Petkov: Qëndrimi bullgar ndaj Maqedonisë së Veriut mbetet i njëjtë, por duam ta përmirësojmë

Mandatari i qeverisë së re bullgare, Kiril Petkov, nga “Ndryshimi vazhdon”, sot në mesditë ka prezantuar përbërjen e qeverisë, e cila do të jetë koalicion dhe do të përfshijë katër parti dhe koalicione, transmeton 360 Shkallë.

I pyetur nga gazetarët për qëndrimin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, Petkov tha se ai mbetet i njëjtë. Por ai beson se të dyja vendet mund të përfitojnë shumë nga fqinjësia e mirë dhe kjo duhet bërë në suaza të komunikimit të mirë dhe shumë punës.

“Pozicioni bullgar mbetet ashtu siç është, por ne duam ta përmirësojmë. Nuk duam të vazhdojmë vetëm me parulla në të dy anët e kufirit, duam të ulemi bashkë, ekipe nga sfera të ndryshme të punojnë dhe të shkojmë në fqinjësi të mirë. Por në të njëjtën kohë ne do të mbrojmë interesat kombëtare bullgare.” tha Petkov.

Ndryshe, në qeverinë e propozuar janë pesë zëvendëskryeministra dhe 17 ministra. Për ministre të Punëve të Jashtme është propozuar Teodora Gençevska, nga partia “Ka popull të tillë” të Sllavi Trifonov. Në të dyja përpjekjet e ITN për të formuar qeverinë, ajo u propozua për ministre të mbrojtjes.

Në mesin e pesë zëvendëskryeministrave dhe ministrit të financave, është propozuar edhe bashkëkryetari i “Ndryshimi vazhdon” Asen Vasilev.

Zëvendëskryeministrja për Qeverisje Efektive është Kalina Konstantinova (PP), zëvendëskryeministre dhe ministre e Ekonomisë dhe Industrisë është Cornelia Ninova (BSP), zëvendëskryeministër dhe ministër i Zhvillimit Rajonal është Grozdan Karadzov (ITN), dhe zëvendëskryeministër dhe ministër i Mjedisit është Borislav Sandov (DB).

Petkov pret që qeveria të zgjidhet të hënën dhe tha se shpreson që ajo të kryejë mandatin e saj të plotë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button