Hipokrizia politike dhe aktorët e sajë

Hipokrizia ka kuptimin e dyfytyrësisë dhe përfaqëson qëndrime, vlera dhe bindje në të cilat vetë individi nuk beson. Etimologjikisht vjen nga fjala greke (hipokrisis) që do të thotë “shtirje, simulim”. “Hipokriti” në Greqinë e lashtë ishte termi për aktorin, respektivisht individin, që qëllimisht mashtron të tjerët. Shpesh përshkruhet si mungesë ndershmërie, një veçori që shkakton turp të veçantë në shoqëritë bashkëkohore.

Zakonisht, hipokrizia është tipar i individit, ose i një grupi njerëzish, që shprehin dhe mbrojnë mendime dhe qëndrime në të cilat personalisht nuk besojnë. Të gjitha këto i bëjnë për ndonjë përfitim të premtuar, interes të ngushtë, madje ndonjëherë edhe nga frika.

Fenomeni i këtillë, si në aspektin horizontal ashtu edhe në atë vertikal, ka depërtuar në të gjitha poret e shoqërisë. Hipokriti imiton, simulon, kopjon individë, edhe pse nuk e njeh burimoren tek ata! Me gënjeshtrën shoqërohet deri në atë masë, sa në fund mishërohet me të.

Një individ, tipari i të cilit është hipokrizia, është me karakter të dobët, herë të përkulshëm, e herë të atij konformist dhe materialist. Hipokriti nuk lind si hipokrit, por krijohet si i tillë.

Fatkeqësisht, në 20 vitet e fundit, ky virus i shëmtuar, ka marrë hov dhe ka shpërbërë një pjesë shumë të madhe të vlerave etike.

Hipokrizinë mund ta gjejmë në politikë, në ekonomi, në kulturë, në arsim,në drejtësi, madje edhe në xhamia e kisha dhe mos të flasim në rrugë, çajtore, mejhane, kafene e bujtina.

Për momentin, politika është segmenti më real i këtij fenomeni çoroditës!

Veprimi sistematik dhe koheziv i politikëbërësve mbi bazën e hipokrizisë nënkupton formën më të rëndë të krimit dhe krijimin e paligjshëm të skllavërisë moderne të të gjithë popujve. Përvetësimi i një modeli të tillë të sjelljeve në shoqëri, me vetëdije provokon dhe imponon një gjendje kaosi dhe pasigurie kolektive.

Metodat më të zakonshme për zbatimin e saj në politikë janë planet për aneksimin e pronave shtetërore dhe sociale në favor të kapitalit privat, shkatërrimi i burimeve shtetërore, masat ekonomike, të maskuara me borxhe të vazhdueshme prej organizatave të huaja, shkatërrimi i sistemit arsimor dhe shëndetësor, mungesa e shtetit ligjor, etj.

Një politikan, i vrarë para disa vitesh, kishte thënë: Kush do moral le të shkojë në xhami ose kishë, le të mos merret me politikë, sepse të gjithë politikanët thirren në ligj ndërsa asnjëri prej tyre nuk e respekton atë, edhe pse, po të ishte gjallë i ndjeri, dhe të shihte politikanë fjalamanë, që ballëlartë sorollaten nëpër vendet e shenjta, të cilat i përmend ai, ndërsa me dinakëri fshehin djallëzinë e tyre, kushedi se si do të ndihej.

Ne jemi dëshmitarë të politikanëve daullexhinjë, të cilët na lodhën me premtime  për gjoja reforma në drejtësi, ndërsa “Justitia” qëmoti ka ngelur e shtanguar në vend.

Me elegancë flasin për arsimin, ndërsa të njëjtin e kanë sjellë buzë greminës, apo ndryshe thënë, brenda sajë.

Përmendin spitale dhe mjekësi moderne, ndërsa nuk kanë të ndalur karvanet e mjekëve dhe të motrave medicinale, të cilët trishtueshëm e lëshojnë vendin, duke pushtuar tokat e premtuara të perëndimit.

Me të madhe trumbetojnë gjëra, në të cilat nuk besojnë as adhuruesit më të mëdhenj të përrallave!

Rastet më flagrante po ndodhin kohëve të fundit, kur dyfytyrëshit brenda ditës ndryshojnë gjithçka! Ndryshojnë tekat, ndryshojnë veset, ndryshojnë sjelljet, ndryshojnë mendjet, ndryshojnë unin, ndryshojnë emrin! Hipokritët e këtillë, të cilët brenda ditës ndryshojnë shumë më tepër se kameleonët, janë pikërisht ata, që nuk njohin din e iman! Po, po, i njëjti në mëngjes është Mark, në mesditë Muharem, tjetri në mesditë Hoxhë në mbrëmje Prift, ndërsa i treti në mbrëmje Engjëll në mëngjes D….!

Shumë sisteme besimi dënojnë sjelljet që lidhen me hipokrizinë ose hipokritët, ndërsa te ne, fenomenet e sipërpërmendura kanë krijuar foletë e tyre të përhershme.

Ndoshta një ditë do të ndryshojnë gjërat, por personalisht nuk jam i bindur se ky ndryshim do të vijë kaq shpejt, pas kësaj katrahure, apo pas këtij përkeqësimi drastik të vlerave morale, ose thënë pak më ndryshe, i përzierjes të së njëjtave me antivlera.

Autor: Afrim Ramadani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button