Në gusht do të fillojë ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup (Infografik)

Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup do të fillojë vitin e ardhshëm. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, njoftojnë se projekti është në fazën e tenderit. Ky objekt kapital për kryeqytetin do të duhet të ndërtohet përgjatë lumit Vardar në vendin Trubarevë, kurse pushteti qendror ka siguruar 136 milionë euro për ndërtimin e tij, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Aktualisht po zhvillohet faza e dytë e vlerësimit të kompanive të përzgjedhura nga lista e ngushtë për kontratën për mbikëqyrjen e punimeve. Për kontratën për ndërtim, afati i fundit për dorëzim të ofertave është janari i vitit 2022, e pas kësaj do të fillojë vlerësimi i tyre. Nënshkrimi i marrëveshjes është planifikuar për në gusht të vitit 2022”, njoftojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Investues në këtë projekt është Ndërmarrja Publike e Shkupit “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, që do të duhet të realizojë një aktivitet të madh gjithëpërfshirës, me të cilën duhet të sigurohet trajtimi i ujërave të zeza për më tepër se gjysmë milion banorë të kryeqytetit. Nga Ministria presin bashkëpunim të mirë me autoritet e reja në Qytetin e Shkupit, në mënyrë që ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza të përfundojë me sukses.

Faza e parakualifikimit për tenderin ndërkombëtar ka filluar në vitin 2020, ndërsa në fazën e parë për përzgjedhje të ofertuesit më të favorshëm janë paraqitur 12 kompani ose konsorciume të interesuara për ndërtimin e këtij impianti.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor pret se, nëse kontrata për ndërtim nënshkruhet në gusht të vitit të ardhshëm, i gjithë objekti të vihet në funksion deri në gusht të vitit 2028, ndërsa gjatë kësaj periudhë janë paraparë dy vjet për raportim të defekteve në impiantin e trajtimit.

Infografik nga Portalb.mk për ujërat e zeza
Infografik nga Portalb.mk për ujërat e zeza

Ndërkohë, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se sasia e ujërave të zeza, që krijohen nga amvisëritë dhe kompanitë në vend, po rritet nga viti në vit. Nëse në vitin 2017 janë krijuar 111 346 841 metër kub ujëra të zeza, në vitin 2020 kjo sasi është rritur në 140 056 606 metër kub ujëra të zeza. Informatat statistikore flasin për rritje të vëllimit të ujërave të ndotura që janë prodhuar nga familjet, por edhe nga bizneset.

Lidhur me këtë, Meta.mk tashmë ka shkruar se në vitin 2018, vetëm 21,7 për qind e ujërave të zeza urbane në vendin tonë i janë nënshtruar trajtimit para se të derdhen në lumenj, liqene dhe ujëra nëntokësore. Sipas këtyre të dhënave, Maqedonia, së bashku me Serbinë dhe Kosovën, janë në fund të Evropës për sa i përket përqindjes së popullsisë që ka qasje në të paktën trajtimin dytësor të ujërave të zeza urbane.

Kështu, nga 80 komuna të Maqedonisë, kujdesin për grumbullimin dhe largimin e ujërave të zeza urbane të cilat i krijojnë familjet e realizojnë gjithsej 55 ndërmarrje publike. Prej tyre, vetëm 17, nga këto ofrues të shërbimeve ujore, e bëjnë trajtimin e ujërave të zeza dhe në atë mënyrë nuk i ndotin ujërat nëntokësore, lumenjtë, liqenet dhe rezervuarët në të gjithë vendin.

Me përmasën e planifikuar impianti, për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, do të duhet të mbulojë trajtimin e fekaleve që aktualisht prodhohen në 9 nga 10 komunat e Shkupit. Kjo është një e katërta e popullsisë së përgjithshme në vend, prandaj realizimi i tij do të rrisë ndjeshëm përqindjen e trajtimit të ujërave të zeza.

Pasi ky objekt kapital të fillojë të funksionojë, fekalet nga amvisëritë dhe bizneset e Shkupit nuk do të derdhen drejtë në ujërat e lumit Vardar, e si rezultat pritet të përmirësohet cilësia ujit të lumit Vardar dhe të ngritët në kategorinë e dytë të ndotjes.

Aktualisht ujërat e lumit Vardar në aspektin bakteriologjik klasifikohen në kategorinë më të keqe të kontaminimit, në atë të katërtën, ndërsa në aspektin kimik janë ndërmjet kategorisë së katërt dhe të pestë të ndotjes. Prandaj, larja, ujitja e sipërfaqeve bujqësore, peshkimi për ushqim në ujërat e Vardarit dhe shfrytëzimi i puseve që ndodhen pranë lumit e që përdoren për ujë të pijshëm ndalohet.

Për realizimin e këtij aktiviteti ndërtimor infrastrukturor, Qeveria e RMV-së ka siguruar 68 milionë euro nga Banka Evropiane për Investime (BEI), 58 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe grante nga BEI në shumë prej 10 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button