Ndryshku mbi kulturën shqiptare

Çështja e ndërgjegjes, është çështje komplekse. Por, te shqiptarët kjo është shumë e thjeshtë, sepse, si kategori psikologjike, pothuaj është zhdukur, nuk ekziston, ndaj dhe jemi aty ku jemi. Pra kemi shumë individë me ndërgjegje të ndryshkur, ndërkaq kjo do të thotë që s’u ha palla për asgjë, edhe përkundër faktit se në punën e tyre, përgjegjësia, mbase edhe morale, duhet të jetë kod veprimi.

Janë të shumtë ata të cilët kanë dhënë shembuj konkret se nuk u ha palla as për popullin, as për atdheun, as për arsimin, as për kulturën. Dhe të tillë, pra me ndërgjegje të ndryshkur, kemi pasur dhe do të kemi, por ndoshta jo me kaq bollëk.

Disa nga ta jo vetëm që janë me ndërgjegje të ndryshkur, por edhe dyfytyrësh dhe fare nuk turpërohen, duke u shtirë se janë në rrugën e drejtë të kulturës shqiptare, të artit shqiptar dhe të letërsisë shqiptare.

Në fakt, nuk janë as ata që mendojnë se janë. Thjeshtë kanë gozhduar pozitën e tyre dhe, varësisht se nga “lëviz” dielli, andej e kthejnë fytyrën, duke i ndërruar maskat, ashtu siç e do çasti.

Nuk ka më rend, nuk ka më kritere, nuk respektohen as ligjet thelbësore. Sidomos, kjo më e theksuar është te botimet, ku fatkeqësisht kemi një anarki të vërtetë. Edhe përkundër faktit se që moti është alarmuar për këtë anarki, institucionet përkatëse nuk lëvizin as gishtin më të vogël për ta vënë një rend.

Pikërisht në këtë segment janë paraqitur grupime të ndryshme, të cilat janë fortifikuar brenda llojit dhe thjeshtë nuk çajnë kokën për dëmin që ia bëjnë jo vetëm letërsisë, por edhe një varg segmentesh që janë të ndërlidhura me lëmin e botimeve.

Vlera dhe e bukura nuk ndjehen fare aty ku protagonistët i ulin brekët para politikës, sidomos politikës ditore. “Artistët” e tillë në radhë të parë e gënjejnë vetveten, sepse kur bie terri dhe kur shtrihen në shtrat i largojnë maskat e tyre “demokratike – artistike” dhe në pah u del fytyra e mjerë.

Shumë lirë i shitet shpirti (artistik) politikës ditore. Pikërisht kjo ka bërë që ndryshku bukur shumë ta mbulojë kulturën. Është një gjendje në të cilën vullnetarisht janë futur të gjithë ata që mendojnë se janë duke kontribuuar për kulturën shqiptare.

Janë ata të cilët lakmia për pushtet i ka verbuar dhe nuk e shohin shtresën e madhe të ndryshkut mbi kulturën shqiptare.

Burimi: HEJZA

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button