Reshjet e borës e befasuan Tetovën

Reshjet e bores mbuluan edhe rajonin e Tetovës, situata gjithmonë është më shqetësuese në fshatrat e malësisë të Tetovës ku rrugët bllokohen nga bora. Këtë vit bora e parë Komunën e Tetovës e gjen përsëri jo të pregatitur mirë. Jo më larg se dje, këshilli komunal i Tetovës nuk e votoi propozim-vendimin që kompetencat për mirëmbajtjen e rrugëve t’ia kalojë NPK Tetova-s pasi vlerësuan se nuk ka një plan të detajuar për këtë. Kurse kryetari i komunës Bilall Kasami  ditë më parë e ndërpreu procedurën për prokurim publik të shërbimeve për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, shkruan Portalb.mk.

Reshjet e borës edhe këtë vit e gjetën të papërgatitur vendin ku shumë rrugë u bllokuan nga bora dhe lëvizja u vështirësua. Situatë e njëjtë vërehet edhe në rajonin e Komunës së Tetovës, konkretisht situata si çdoherë është më alarmante në malësinë e Tetovës. Jo menaxhimin e duhur edhe kësaj here po e paguajnë kryesisht qytetarët e malësisë ku gjatë mëngjesit rrugët ishin plotë borë.

Gjatë mëngjesit të sotëm fshati Shipkovicë u mbulua i gjithi nga bora, ku reshjet krijuan shtresë të trashë nga bora ku kalimi u vështirësua shumë.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova njoftuan se në kuadër të mundësive dhe maqinerisë që disponojnë janë vënë në dispozicion të plotë për pastrimin e rrugëve nga rreshjet e borës në Komunën e Tetovës, ku çdo terren është i mbuluar plotësisht me maqineritë e nevojshme, ndërsa koncerntrimi më i madh i potencialit të tyre është në rrugët që lidhin qytetin dhe fshatrat e Malësisë së Tetovës.

“Deri më tani është pastruar çdo rrugë, kurse faza e dytë vazhdon edhe me largimin e borës me qëllim zgjerimin e rrugëve për qarkullim të lirë të automjeteve. Kurse pas orës 15:00 do të fillohet edhe me hedhjen e kripës. Për momentin disponojmë me afërsisht 500 ton kripë dhe 3000 ton metër kub zall.” thanë nga NPK Tetova.

Rikujtojmë që dje në seancën e tretë të këshillit të Komunës së Tetovës u debatua po për këtë çështje, ku këshilli me 15 vota të përmbajtura dhe 14 për, nuk e kaloi propozim-vendimin për dhënien e të drejtës për menaxhim të mirëmbajtjes dimërore të rrugëve dhe udhëve në territorin e komunës së Tetovës gjatë periudhës 2021-2022 të NPK “Tetova” –Tetovë, kjo pikë u la të diskutohet në seancën e radhës të këshillit pasi shumica e këshilltarëve nga ndërmarrja kërkuan që të sjellin një plan më të detajuar për këtë procss.

Për këtë reaguan sot edhe nga NPK-ja ku thonë se nëse kjo pikë do kishte kaluar dje në këshill sot do e kishin më të lehtë punën në terren.

“Normalisht që do ishte më e lehtë që  të menaxhohej gjithë situata nëse gjatë ditës së djeshme Këshilli Komunal do të miratonte konkluzën për të kaluar te NPK gjithë kompetencat për këtë çështje, por pavarësisht kësaj ne po bëjmë maksimumin për të zgjidhur problemin në fjalë.” thanë nga NPK Tetova.

Reagoi edhe kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmishi i cili për këtë pike që nuk arriti të kalon dje në këshill u shpreh i zhgënjyer, pasi këshilltarët që votuan të përmbajtur kërkuan dokumentacion dhe plan të detajuar për relizim të punës në dhënien e ingerencave për NPK-në.

“Sot bora na kaploi dhe çka do të bëjmë ne? Do presim që juridikisht dhe financiarisht të jemi të mbuluar, dhe nuk do të dalim në malësinë e qytetit qe t’i pastrojmë rrugët. Si do u arsyetohemi banorëve të Malësisë nëse përkeqësohet situata, çka do ju themi nëse ata duhet të rinë të ngujuar nga bora e madhe?! Jo vetëm NPK “Tetova” Tetovë po nëse ka nevojë edhe shtabin e emergjencës edhe të gjitha kompanitë që posedojnë mjete dhe makineri për pastrim do t’i lajmërojmë dhe do i pastrojmë rrugët e fshatrave e qytetit.” shkroi Besar Durmishi.

Ndryshe, në prag të fillimit të sezonit dimëror, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami ndërpreu  procedurën për prokurim publik të shërbimeve për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Kjo sipas tij u bë me arsyetimin që komuna të mos marrë ende më shumë borxh, ndërsa për mirëmbajtjen do ta kujdeset Ndërmarrja Publike “Tetova”, me ndihmën e një kompanie private e cila do ndihmojë pa pagesë.

Kryetari i Komunës, Bilall Kasami njoftoi se pastrimi dimëror do të vazhdojë, por me kosto më të lirës se ajo që ishte paraprakisht, pasi borxhi i komunës është shumë i lartë.

“Nga momenti kur unë erdha kishte një procedurë të përmbyllur tenderimi ku për pastrimin e borës ishte një shumë mbi 150 mijë euro. Kemi angazhuar ndërmarrjen komunale që të menaxhojë pastrimin e borës dhe do ti kushtojë Komunës së Tetovës më pak.” tha Bilall Kasami.

Kasami shtoi se kompania do i jep mjetet në shërbim ndërmarrjes pa pagesë financiare për pastrimin e borës, dhe pjesën tjetër të punëve do e organizojë ndërmarrja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button