Rasti i Bullgarisë: Me keqardhje, në vend të një punimi shkencor një vëzhgim individual

Kaluan 12 ditë që kur morëm lajmin mbi tragjedinë në Bullgari, lart-poshtë të gjithë u ndikuam nga kjo tragjedi por secili në mënyrën e vet e përjetoj mërzinë. Disa nuk i mbajtën dot lotët duke dhënë lajmin, disa duke lexuar e disa duke e dëgjuar, disa menduan dhimbjet e babait, familjarëve, disa menduan familjarët e vet, disa momentin kur ato i mori flaka, e disa të tjerë u ngulfatën me pyetjet që prodhoheshin në trurin e tyre për shpirtat që tanimë kanë trup të pajetë, pra mund të themi se trishtimi e mërzia që përjetuam ishte prezente tek të gjithë, por kuptimi i këtij trishtimi ishte i ndryshëm tek secili prej nesh.

Për individ të caktuar disa sekonda, për të tjerët disa minuta, e madje orë duhej për të filluar të kërkohen detajet për zbardhjen e rastit; kjo për shkak se truri njerëzor nuk mund të punoj pa e definuar ngjarjen, e derisa ngjarja është akoma e turbullt truri mbush çdo zbrazëtirë me informacione, pak me rëndësi është a janë ato të vërteta ose jo. Por në ndërkohë nuk donim të pranojmë përgjithësime, nuk donin të dëgjonin fjalën “ndoshta” sepse kërkonim saktësisht të vërtetat e çdo detaji e këtë mund t’na jepte vetëm ekspertiza. Dhe, për mos mbetet asnjë dyshim, donim që në ekspertizë të punoj edhe një ekip nga vendi ynë, puna e të cilit nuk do shkaktonte asnjë problem diplomatik.

Kërkimi i detajeve çka, si dhe pse ndodhi, ishte diskutimi parësor në çdo cep ku gjendej një shtetas i Maqedonisë së Veriut, në veçanti shqiptar që jeton në këtë vend; shihje një student që lexon lajmet rreth rastit derisa udhëton me autobus, dëgjoje një plak me kapelën e haxhisë që iu tregonte shokëve një detaj tjetër, shihje një nxënës që tanimë nuk ka motiv për tu marr me diçka tjetër si mësimi apo argëtimi, e më pas një nënë që jo më pak se një orë bisedonte me dhimbje rastin me motrën e vet. Në ndërkohë Qeveria e RMV-së shpalli tre ditë zie, dhe flamujt e shtetit tonë u ulën në gjysëmshtizë, kjo ndoshta na dha ndjenjën se edhe toka e këtij vendi bashkëndjen me ne.

Në ndërkohë sa i morëm trupat e pajetë të viktimave, dhimbja edhe më shumë u shtua, ja që qenia njerëzore është kështu, do të besoj që nuk është e vërtetë, në ndërkohë që pasiguria ia shkatërron neuronet e trurit. Ndërsa ne, “nga larg” vëzhgonim çdo gjë, falë mediave, por në ndërkohë edhe jetonim dhimbjen. Dhe kur ne jetojmë dhimbjen, jemi aty, patjetër që çdokush që është aty për t’na mbështetur, qoftë vetëm politikisht, edhe nëse nuk e ndjen, do e respektoj dhimbjen tonë, nuk guxon të bëj mimika dhe gjeste që e vërtetojnë të kundërtën, kjo bindje na bëri të reagojmë, dhe ndoshta me të drejtë, reaguam.

Këto janë vëzhgimet personalet që i kam veçuar për ti ndarë me miqtë, por kjo nuk mjafton. Ne duhet të kemi një pasqyrë më valide, konkrete e shkencore për popullatën tonë, të dimë se si i perceptojmë tragjeditë e tilla, si ndikohemi, si reagojmë dhe ku e gjejmë përgjigjen e ‘pse’së. Si bindjet tona personale, kolektive dhe fetare ndikojnë në perceptimin dhe përballimin ndaj rasteve të tilla.

Pasqyra e tillë duhet të jap përgjigje për mënyrën e perceptimit dhe përjetimit të rasteve të tilla fillimisht si shoqëri e RMV-së, pastaj si popullatë shqiptare në RMV e në fund edhe si shoqëri shqiptare; duke i klasifikuar sipas statusit socio-ekonomik, kulturor, klasor, gjinor e kështu me radhë. Kjo pasqyrë, jo vetëm që do na vetëdijsojë por edhe do bëhet një udhërrëfyes dhe rekomandues për përballjen ndaj ngjarjeve të ngjashme që mund të ndodhin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button