Kujdesu burrërisht, përfshirja e burrave në parandalimin e dhunës me bazë gjinore (Infografik)

Në prani të folësve vendas dhe të huaj, të premten u diskutua për këshillimin dhe punën me autorë të dhunës në bazë gjinore, aspektin e parandalimit të dhunës në bazë gjinore dhe përfshirjen më të madhe të burrave në luftën kundër këtij fenomeni. Konferenca, e  organizuar nga Reaktor – hulumtimi në veprim dhe HERA – Shoqata për edukim shëndetësor, me titull “Kujdesu burrërisht – Nga ndërgjegjësimi deri në përfshirje: Përfshirja e burrave në parandalimin e dhunës në bazë gjinore dhe puna me dhunuesit me fokus në sigurinë e viktimave”, e hapi një aspekt shumë pak të diskutuar deri tani që ka të bëjë me dhunën në bazë gjinore, transmeton Portalb.mk.

“Pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës, mungesa e zgjedhjes së duhur për punë të dinjitetshme, mosbesimi dhe pasiguria që e përshkojnë çdo sferë të jetës sonë janë vetëm disa nga arsyet që krijojnë ndjenja negative, të cilat më pas në pafuqinë tonë mund t’i projektojmë tek të tjerët ose të njëjtat t’i kanalizojmë në sjellje negative, ndërsa mosfunksionimi i sistemit i përforcon më tutje këto praktika dhe krijon boshllëqe e padrejtësi edhe më të mëdha dhe forma të ndryshme të dhunës. Prandaj është shumë me rëndësi që të ketë mekanizma të përshtatshëm për dialog, mundësi për këshillimin e grave dhe burrave edhe për tejkalimin e këtyre dukurive edhe për parandalimin e tyre”, tha Tanja Ivanova nga Reaktor – hulumtimi në veprim.

Duke folur për shkaqet e mundshme, ajo theksoi rëndësinë e ekzistimit të mjeteve për parandalim të dhunës në bazë gjinore. Bojan Jovanovski nga HERA theksoi se kujdesi i burrave është ende një temë mjaft e stigmatizuar në shoqëri – flitet pak dhe janë ndërmarrë shumë pak hapa për përfshirjen e burrave në parandalimin e dhunës, pavarësisht nëse është një shërbim nëpërmjet të cilit ata duhet të mbështeten për t’i dhanë fund ciklit të dhunës në familje ose të promovojë përfitimet që i sjell barazia gjinore.

“Në planin afatgjatë, mënyra më e mirë për të eliminuar dhunën në një shoqëri është investimi në parandalimin e dhunës dhe është më optimale që kjo të ndodhë qysh gjatë shkollimit, në bankat shkollore”, shtoi Jovanovski.

Sipas Jovanovskit, koncepti i ri për arsimin, me ndjeshmëri për aspektin gjinor, është hap fillestar drejt arritjes së këtij qëllimi. Fjalimet e folësve e konfirmuan rëndësinë e parandalimit të dhunës, që për t’u realizuar me sukses, duhet të përfshijë si burrat ashtu edhe djemtë, sepse edhe ata vetë janë të prekur nga dhuna, prandaj përfshirja e tyre duhet të jetë pjesë integrale e programeve për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna. Këtë e vërteton përvoja austriake, ku burra dhe djem nëpërmjet programeve dhe aktiviteteve konkrete janë të përfshirë në parandalimin e dhunës në bazë gjinore.

Në kuadër të projektit të partneritetit “Krijimi i parandalimit multi-profesional të dhunës në bazë gjinore, punë me dhunuesit nëpërmjet një qasjeje të fokusuar në sigurinë e viktimave dhe këshillimin e meshkujve në Maqedoninë e Veriut”, Reaktor dhe HERA do të punojnë pikërisht në këtë temë, duke u përpjekur të sigurojnë të dhëna për gjendjen në Maqedoninë e Veriut, e më pas duke u bazuar në ato të dhëna, do të punojnë në krijimin e shërbimeve me të cilat do t’i adresojnë në mënyrë adekuate nevojat dhe do ta promovojnë rolin e burrave dhe djemve në parandalimin e dhunës në bazë gjinore.

Në konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të cilët iu drejtuan të pranishmëve dhe i theksuan përpjekjet e angazhimet e tyre institucionale për këtë temë.

Shifra të larta vërehen në raportime në vendin tonë, por ky numër mund të jetë më i lartë në realitet marrë parasyshë edhe numrin e grave të cilat nuk e raportojnë dhunën, ndër shkaqet është edhe mosbesimi në institucionet kompetente dhe pavarësia ekonomike.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme nga viti 2019 e deri në shtator të këtij viti janë regjistruaj gjithsej 2,779 vepra penale të dhunës në familje dhe numri i të dhunuarve nga këto raste është 2,996, ku pjesa më e madhe e të dhunuarve janë gra. Dhunuesit në këto vepra janë kryesisht bashkëshortët. Portalb.mk përgatiti infografik për këtë.

Infografik nga Portalb.mk për dhunën në familje
Infografik nga Portalb.mk për dhunën në familje

Ndryshe, në shkurt të këtij viti në Maqedoninë e Veriut hyri në fuqi dhe Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen e grave nga dhuna në familje. Përmes këtij ligji, shteti detyrohet të sigurojë risocializim të viktimave të dhunës, sigurim shëndetësor dhe mundësi ekonomike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button