Drejtorë të përshtatshëm partiakë në vend të profesionistëve – praktikë që nuk braktiset në Maqedoninë e Veriut

Takim i kryeministrit Zoran Zaev me partnerët e koalicionit qeveritar, pas marrëveshjes me Alternativën për të hyrë në Qeveri, raporton REL, transmeton Portalb.mk.

Pas marrëveshjes mes Zaevit dhe Gashit për emërimin e drejtorëve të institucioneve publike, u aktualizua pyetja nëse duhet të ndërpritet praktika që krerët e institucioneve të vendosin prapa dyerve të mbyllura. Ministri Milevski dhe zëvendëskryeministri Dimitrov mendojnë se kjo praktikë deri diku duhet të braktiset.

A duhet drejtorët e spitaleve, bibliotekave, shkollave dhe institucioneve të tjera publike të zgjidhen me marrëveshje partiake apo me konkurs publik, është pyetja që u aktualizua pas marrëveshjes së fundit mes liderëve të LSDM-së dhe Alternativës.

Zoran Zaev dhe Afrim Gashi u pajtuan që përfaqësuesit e partnerit të ri të koalicionit qeveritar të menaxhojnë, ndër të tjera, spitalin në Tetovë, Muzeun Natyror Matematikor, kinemanë në Strugë dhe rreth katërdhjetë pozita të tjera.

Misha Popoviq, drejtues i Qendrës për Qeverisje të Mirë në Institutin për Demokraci, i cili në pranverë publikoi një analizë për mënyrën e emërimit të drejtuesve të institucioneve publike, thotë se marrëveshja e partive duhet të jetë vetëm për postet politike të nivelit të parë, përkatësisht ministra dhe zëvendësministra.

“Çdo gjë përtej kësaj, nëse qeveria dëshiron të promovojë qeverisje të mirë, duhet të orientohet kah profesionalizimi i shërbimeve drejtuese gjegjësisht krijimin e një procesi gjithëpërfshirës që do të inkurajojë profesionistët, të cilët aktualisht janë në administratë apo jashtë saj për të aplikuar që të drejtojnë shërbimet kryesore për një kohë më të gjatë”, tha Popoviq.

Përdoret pozicioni i ushtruesit të detyrës

Konkretisht, në sondazhin e tyre ata kanë vëzhguar 116 emërime pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në verën e vitit 2020. Kanë përfunduar se pothuaj gjysma e emërimeve janë të ashtuquajturat ushtrues detyre, dhe siç u përgjigjën nga institucionet, në rastet kur caktojnë ushtrues detyre nuk kishin detyrim ligjor për të zhvilluar një proces konkurrues. Analiza arrin në përfundimin se emërimet e tilla përdoren, mbi të gjitha, për të anashkaluar procedurën dhe për të vendosur personin e dëshiruar.

“Nga të gjitha 116 emërimet, Qeveria ka dorëzuar vetëm një ranglistë dhe tre procesverbale të tjera nga shqyrtimi i kandidatëve. Në të gjitha rastet ka vetëm një aplikues, që do të thotë se në kushtet e mosbesimit të përhapur në proces, nuk është bërë mjaftueshëm për të motivuar kandidatët potencialë që të aplikojnë për vendin e punës”, theksohet në analizë.

Ministrat kërkojnë ndryshime

Kryetari i LDP-së, Goran Milevski, i cili është edhe ministër i Vetëqeverisjes Lokale, thotë se janë të përkushtuar që kjo praktikë të ndryshojë për disa institucione publike, por jo për të gjitha.

“Ne si parti për shembull besojmë se drejtorët e shkollave duhet të zgjedhin punonjësit e tyre sikurse në të kaluarën. Drejtorët e institucioneve shëndetësore duhet t’i zgjedhin punonjësit në ato institucione, sepse ata e dinë më së miri si duhet të zhvillohet institucioni i tyre. E njëjta vlen edhe në fusha të tjera”, tha Milevski.

Megjithatë, ai shton se në disa institucione, ku duhet të merret përgjegjësi politike, si në sistemin energjetik, në Fondin e sigurimeve pensionale dhe invalidore dhe në atë të shëndetësisë, emërimi politik duhet të mbetet.

“Aty krijoni politika, politika qeveritare dhe mendoj se është në rregull që aty të vijnë si kandidatë partiakë, por duhet të ketë kriter se kush mund të jetë drejtor në një pozicion të caktuar, të ketë përvojë, ekspertizë, njohuri të asaj fushe…”, thotë Milevski në intervistën që do ta transmetojmë në tërësi të dielën.

Qeveria, megjithatë, dëshiron të mbajë kontrollin

Para pak kohësh, zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Nikolla Dimitrov, duke përmendur si shembull Greqinë, e cila tashmë e ka ndërprerë këtë praktikë, tha se është koha të zvogëlohet kulaçi politik që fitohet në zgjedhje, duke përmendur pozitat e drejtorëve të spitaleve, shkollave dhe shkollave dhe drejtuesit e kompanive publike.

Sipas Popoviqit, për tejkalimin e kësaj situate nevojitet vendosmëri në veprime nga qeveria e Maqedonisë. Ai gjithashtu thotë se varianti i fundit i projektligjit për menaxhmentin e lartë është problematik pasi, siç thekson ai, propozon që komisioni, i cili do të vendosë për përzgjedhjen e kandidatëve të regjistruar të jetë i përbërë plotësisht nga qeveria.

“Kjo tregon se qeveria dëshiron të mbajë kontrollin se kush do të jetë në pozitat drejtuese dhe të mbetet ky parim i meritave partiake,” thotë Popoviq.

Ndryshe, kjo nuk është praktikë e re në Maqedoni, kështu që të gjitha strukturat politike e shfrytëzonin rastin që nëpërmjet marrëveshjeve ndërpartiake t’i ndajnë resorët në institucionet shtetërore dhe publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button