Komiteti i Helsinkit në RMV: , Dy vitet e fundit i nxorën mbi sipërfaqe pasojat e trajtimit të pabarabartë të njerëzve

Më shumë se shtatë dekada pas miratimit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara,  ideali i barazisë është ende i paarritshëm dhe duket se kriza globale, që u shkaktua nga pandemia e koronavirusit, e ka bërë atë edhe më të largët, kanë thënë nga Komiteti i Helsinkit me rastin e ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, transmeton Portalb.mk.

Komiteti i Helsinkit vlerëson se, dy vitet e fundit i nxorën mbi sipërfaqe pasojat e shumta të trajtimit të pabarabartë të njerëzve brenda një shoqërie, ndërsa pabarazia reflektohet edhe midis vendeve me nivele të ndryshme zhvillimi.

“Individët dhe grupet e margjinalizuara, të rrezikuara dhe të varfra i ndjejnë më së shumti efektet e krizës shëndetësore dhe ekonomike për shkak të diskriminimit të cilit i nënshtrohen, gjë që reflektohet në aksesin në mallra dhe shërbime, nivelin e mbrojtjes shëndetësore dhe të tjera dhe realizimin e të drejtave socio-ekonomike. Shpërndarja e pabarabartë e vaksinave nëpër botë ende pasqyron dallime jashtëzakonisht të mëdha midis vendeve. Ne anën tjetër, si rezultat i fushatave dezinformuese dhe manipulimeve në hapësirën digjitale, vërehet polarizim i paparë deri tani i njerëzve në mbarë botën, me pasoja të mëdha, mbi të gjitha, mbi shëndetin publik, si dhe mbi kohezionin social, solidaritetin me ata që janë më të dobët dhe në nivelin e komunikimit publik”, thuhet në kumtesë.

Nga kjo organizatë kanë shtuar se, pandemia e thelloi hendekun, tashmë ekzistues, gjinor në tregun e punës, përkatësisht që nga fillimi i pandemisë, punën e kanë humbur më shumë gra se burra.

“Në periudhën e kaluar, hap pozitiv është puna e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, por është e nevojshme që të adresohen sfidat e tij financiare dhe organizative për të përmbushur plotësisht funksionin e tij të rëndësishëm. Edhe pse roli i institucioneve është vendimtar prapë lufta, për të përmbushur aspiratat që i përmban Deklarata e të Drejtave të Njeriut, duhet të bëhet në nivel të tërë shoqërisë. Edhe me këtë rast theksojmë se arsimi është faktor kyç, i cili mund të ndikojë në ndryshim thelbësor dhe çrrënjosjen e paragjykimeve, ndaj reformat në këtë sektor duhet të jenë të thella dhe gjithëpërfshirëse. Edhe roli i mediave dhe mënyra se si ato i trajtojnë çështjet e të drejtave të njeriut është veçanërisht i rëndësishëm”, theksojnë nga KH.

Më tej kanë shtuar se, parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit janë në thelbin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe si të tilla janë pjesë e Objektivave dhe Agjendës Globale 2030, Agjendë që synon t’i japë fund varfërisë dhe urisë, të realizojë të drejtat e njeriut për të gjithë njerëzit, të arrijë barazinë gjinore dhe të forcojë të gjitha gratë e vajzat dhe përgjithmonë të mbrojë Tokën dhe burimet e saj natyrore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button