“Hetimi ndërkombëtar”, shpresë e zbrazur apo mundësi reale për zbardhjen e rasteve gjyqësore të dyshuara për montim?

Hetimi ndërkombëtar është çështje që rregullohet me ligje vendase dhe konventa ndërkombëtare. Nga përmendja e shpeshtë e kësaj mundësie nga ana e subjekteve të ndryshme politike fitohet përshtypja dhe ngrihen pritshmëritë se do të ketë ndryshime dramatike në rastet gjyqësore në fjalë. Megjithatë, realizimi i një hetimi ndërkombëtar nuk është edhe aq i lehtë.
Kështu i komenton ekspertja juridike Besa Arifi, paralajmërimet e fundit për hetim ndërkombëtar të disa rasteve gjyqësore, për të cilat ekziston dyshimi në opinion se nuk janë bërë gjykime të drejta, shkruan Portalb.mk.

Besa Arifi

“Hetimi ndërkombëtar zhvillohet si pjesë e procedurës penale në kuadër të ndihmës juridike ndërkombëtare. Në qoftë se ka indicie se më tepër se një shtet është përfshirë në një vepër penale, pra kur kryerësit e veprës kanë ardhur prej diku tjetër ose diku tjetër e kanë organizuar një pjesë të veprës penale, atëherë mund të ketë hetim të përbashkët të ekipeve të hetuesve nga të dy shtetet. Po ashtu, në procesin e hetimit të një vepre penale mund të ndihmojë edhe “Interpoli”, si organizatë policore ndërkombëtare e cila mund të bëjë hetime në këtë drejtim dhe në një mision që do të ishte më i pavarur apo në një kategori më të lartë se sa vetë policia dhe hetuesia e vendit, thotë Arifi.

Gjatë hetimit që zhvillohet në vend, mund të angazhohen institucione hetuese nga shtete të tjera. Por, profesoresha thotë se, duhet pasur parasysh që hetimi ndërkombëtar është me rëndësi të bëhet në fillim të procedurës penale, sepse sa më shumë vonohet mbledhja adekuate e provave, aq më i vështirë bëhet sigurimi i tyre.

“Në rastet për të cilat flisni, mbledhja e provave ka ndodhur shumë kohë më parë dhe tani është shumë e vështirë të rikrijohen dhe të rikonstruohen ato prova. Prandaj duhet pasur kujdes kur përmendet mundësia për një hetim ndërkombëtar sepse e njëjta i ngre shpresat për ndryshime të mëdha në këto raste, sidomos te të akuzuarit dhe te familjarët e tyre, ndërsa në fund përfundon vetëm si deklaratë politike e subjekteve të caktuara. Sa për ilustrim, për rastin Kumanova që nga viti 2017 është folur për hetim ndërkombëtar, por realisht një gjë e tillë nuk është realizuar”, shpjegon Arifi.

Rast konkret ku kemi hetim ndërkombëtar është ai i zjarrit në Spitalin Modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona. Ekspertë nga Gjermania erdhën në RMV për t’i kryer ekspertizat e tyre, paralelisht me ekspertizat e RMV-së. Pas mbarimit të ekspertizave, ekspertët do të dorëzojnë raport në Prokurorinë e RMV-së në lidhje me gjetjet e tyre.

Nëse harxhohen të gjitha mjetet juridike për lëndët në fjalë në RMV, pra palët nuk do të kenë mundësi ku të ankohen, raportet nga hetimi ndërkombëtar mund të përdoren në procedurën e mëtutjeshme, në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Zjarri në spitalin modular KOVID në Tetovë, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

“Duhet pasur parasysh që disa nga këto raste janë ende në proces të shfrytëzimit të mjeteve juridike në institucionet shtetërore. Në këtë drejtim, pas shfrytëzimit të të gjitha mjeteve të rregullta juridike brenda vendit, në afat prej gjashtë muaj pasi të jetë pranuar aktgjykimi i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm, mund të ngrihet Ankesë deri te Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Në këtë gjykatë shqyrtohen shkeljet procedurale dhe materiale të bëra gjatë procedurave penale, kështu që në të gjitha rastet problematike ku ka pasur shkelje të tilla procedurale, nëse këto shkelje vërtetohen në Gjykatën Evropiane atëherë shteti bart përgjegjësi për ato. Çdo ekspertizë ndërkombëtare por edhe çdo pronocim i avokatit të popullit dhe mekanizmave tjera të brendshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka peshë të veçantë gjatë vendosjes së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thotë profesoresha.

Tema e hetimit ndërkombëtarë për disa lëndë të caktuara gjyqësore u riaktualizua pasi që  kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi dhe kryeministri Zoran Zaev, u pajtuan për marrëveshje qeveritare. Në këtë marrëveshje, mes tjerash, parashihet hetim ndërkombëtar për rastet “Monstra”,Lagjja e Trimave”, “Almiri”, “Alfa”, apo siç e përmendi kryeministri dhe rastin “Nikolla Mlladenov”.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjesZaev tha se askush nuk do t’i anulojë apo kundërshtojë aktgjykimet e formës së prerë, për shembull, por se do të punësojmë ekspertë juridikë evropianë për t’i parë rastet dhe për të komentuar.

Nga Аlternativa theksuan se një prej arsyeve kryesore për hyrje në qeveri është edhe hetimi ndërkombëtar i këtyre rasteve.

“Me sa di, këto janë rastet që janë diskutuar dhe që janë përfshirë në marrëveshjen e liderëve të të dyja palëve. Është e logjikshme që shkaktuan një numër të madh reagimesh dhe kur të hyjmë në thelb të çështjes do të shohim se  me këtë marrëveshje nuk mund të ndikohet në këto raste. Nuk ka vend për shqetësim publik se faktorët politikë do të ndërhyjnë në epilog ose vendimet. Paraprakisht kemi pasur raste kur partitë politike kanë kërkuar monitorim, kemi pasur situata dhe me kërkesë të VMRO-DPMNE-së kur është negociuar Ligji për Prokurorinë Publike, Qeveria ka kërkuar monitorim për rastet e korrupsionit të lartë”, ka tha ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq.

Paraprakisht, hetim ndërkombëtar për rastin “Kumanova” ka kërkuar edhe edhe Bashkimi Demokratik për IntegrimAleanca për Shqiptarët, është paralajmëruar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Më herët ka pasur kërkesë të ngjashme edhe nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushatikryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shalakryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti slloven Borut Pahor. Thirrje të tilla ka pasur edhe nga eurodeputetët, zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB, Kosovë, Shqipëri, figura të tjera politike dhe ekspertëve për çështjet e brendshme.

Reforma në gjyqësor është një prej fushave më të rëndësishme, para se gjithash për qytetarët, por edhe integrimin e vendit në BE. Gjyqësori vazhdon të mbetet ende me nivel të ulët të besueshmërisë te qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button