Omicron ndoshta ka marrë një pjesë të gjenit të virusit të ftohjes shprehen shkencëtarët amerikan

Varianti i koronavirusit – omicron, i cili shkakton COVID-19 – mund të ketë fituar të paktën një nga mutacionet e tij duke mbledhur një copëz nga materiali gjenetik i një virusi tjetër – ndoshta ai që shkakton ftohjen e zakonshme – i pranishëm në qelizat e infektuara në të njëjtën kohë, sqarojnë shkencëtarët amerikanë, shkruan Panacea.mk.

Kjo sekuencë gjenetike nuk shfaqet në asnjë version të mëparshëm të koronavirusit, të quajtur SARS-CoV-2, por është i pranishëm në shumë viruse të tjera, duke përfshirë ato që shkaktojnë ftohjet, por gjithashtu edhe në gjenin e njeriut, thonë shkencëtarët.

Duke e inkorporuar atë sekuencë në strukturën e vet, omicron mund të duket “më njerëzor”, gjë që do ta ndihmonte atë të shmangte një sulm nga sistemi imunitar i njeriut, tha Wenky Soundararayan nga kompania e analizës së të dhënave me bazë në Kembrixh.

Kjo mund të nënkuptojë se virusi transmetohet më lehtë dhe shkakton vetëm sëmundje të lehtë ose asimptomatike.

Shkencëtarët ende nuk e dinë nëse omicron është më infektiv se variantet e tjera, nëse shkakton sëmundje më të rënda dhe nëse do të shtypë variantin delta si variantin më të përhapur.

Mund të duhen disa javë që këto pyetje të marrin përgjigje.

Sipas studimeve të mëparshme, qelizat në mushkëri dhe në traktin gastrointestinal mund të mbajnë njëkohësisht virusin SARS-CoV-2 dhe virusin e ftohjes së zakonshme.

Një infeksion i tillë shoqërues krijon kushtet për rikombinimin viral, proces në të cilin dy viruse të ndryshëm në të njëjtën qelizë strehuese ndërveprojnë me njëri-tjetrin, duke krijuar kopje të reja që kanë material gjenetik nga të dy “prindërit”.

Mutacioni i ri mund të shfaqet fillimisht te njerëzit e infektuar me të dy patogjenët kur një variant i virusit SARS-CoV-2 “mblodhi” sekuencën gjenetike të një virusi tjetër, thonë Soundararayan dhe kolegët në studim, i cili ende nuk është shqyrtuar.

E njëjta sekuencë gjenetike ndodh shumë herë në një nga koronaviruset që shkakton ftohje tek njerëzit – të njohur si HCoV-229E – dhe në virusin e imunodefiçencës njerëzore (HIV) që shkakton SIDA, theksoi Soundararayan.

Afrika e Jugut, ku u identifikua për herë të parë varianti omicron, ka shkallën më të lartë të HIV-it në botë, i cili dobëson sistemin imunitar dhe rrit ndjeshmërinë e një personi ndaj infeksioneve me viruse të ftohjes dhe patogjenë të tjerë.

“Në këtë pjesë të botës, ka shumë njerëz ku mund të ndodh rikombinimi që e vendos atë grup të kudogjendur gjenesh në omikron,” shtoi Soundararayan.

“Ne ndoshta kemi anashkaluar shumë rikombinime që kanë ndodhur me kalimin e kohës dhe që kanë çuar në shfaqjen e omicron,” thekson Soundararayan.

Nevojiten më shumë kërkime për të konfirmuar origjinën e mutacioneve të omicron dhe efektin e tyre në funksionin dhe transmetimin e virusit.

Ka hipoteza të tjera që varianti i fundit i omikronit mund të ketë marrë pak kohë për t’u zhvilluar në ndonjë shtazë pritëse.

Ndërkohë, Soundararayan thekson se, gjetjet e reja nënvizojnë rëndësinë e njerëzve që marrin vaksina të disponueshme për koronavirusin.

“Duhet të vaksinoheni për të reduktuar shanset që personat e tjerë me imunitet të reduktuar të ekspozohen ndaj virusit SARS-CoV-2”, thekson Soundararayan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button