Ku ta mbështesim shpresën për ardhjen e Godosë?

Historia na mëson se pushtetet e këqia triumfojnë kudo ku pakica e bashkuar shtyp shumicën e përçarë. Kështu ka qenë përherë, të paktën që nga mesjeta e oligarkive skllavopronare, kur masat e gjera popullore robtoheshin nga një rreth i ngushtë sunduesish të trashë, që nuk donin t’ia dinin nga djersa e kujt po trashen. Kështu është dhe sot, kur grupe të vogla oligarkësh kanë monopolizuar gjithë kapitalet fitimprurëse, që nga industria e gjer te shkenca e arti, duke shfrytëzuar pamëshirshëm mundin e njerëzve të thjeshtë që jetojnë me mëditje mizerje. Situata është më e keqe në vendet e varfëra me shkallë afrikane papunësie, në të cilat shuhet jeta në këste të padiktueshme për shkak të shpërnguljes së përgjithmonshme të të rinjëve, që kërkojnë gjetiu sigurimin e të ardhmes së sigurt. Mjerisht, në kësi shtetesh çeshite jetojnë dhe shqiptarët, që është dashur ta kuptojnë më herët atë thënien emblematike të Paul Valery-t, sipas të cilit: Kur shteti është i fortë na shtyp, e kur është i dobët, na zhduk.

Për ta kuptuar si e do puna thënien e mësipërme mjafton të kthejmë kokën drejt oligarkëve shqipfolës, që tebdilosen në njerëz të urtë e shpirtvirgjër kur i akuzojnë të tjerët për banditëritë e paskrupullta që na kanë katandisur simos më keq, ndërkohë që në seancat e shpeshta të kacagjelimeve brenda sojit shpërfaqin karakteret egërshane dhe akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje ordinere të parave publike, madje të thesareve shtetërore, për pasurime të shpejta e marramendëse pa asnjë mundësi arsyetimi të burimit të milionave, jetës faraonçe dhe bëmave të tjera kurvërishte.

Në kësi rrethanash një Zot e di sa qesharake duken pretendimet se i paskemi plotësuar të gjitha kushtet për t’u bërë pjesë e botës së qytetëruar, duke futur brenda kllapave të harresës të vërtetën e hidhur se shtetet me qeveri të shndërruara në agjenci shtrëngimi të të drejtave elementare njerëzore, siç është e drejta për jetë të dinjitetshme, janë më pranë diktaturave moniste sesa demokracive liberale perëndimore, ku pushteti në masë të madhe vjen nga populli, jo nga zyrat e komiteteve partiake të dirigjuara nga prijës me mendësi makiaveliste, që, siç thoshte Frridrih Niçe, i kategorizojnë njerëzit në vegla dhe në armiq.

Kjo është arsyeja përse është utopi pritja e ndryshimeve që do ta përmirësojnë jetën tonë, sepse secila parti që vjen në pushtet bëhet më e keqe se pararendësja, sepse çdo Luigj i ri hyp në fron si shpëtimtar dhe festohet me hosanna si hero, për t’u plandos pastaj përtokë me barabba dhe për të thyer qafën si haxhiqamil.

Jo rastësisht, pas përfundimit të dy mandateve si president i SHBA-së (1981-19890, Ronald Regani e përkufizoi politikën si profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit, duke shtuar se ajo (politika) ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër.

I dëshpëruar nga politikat luhatëse evropiane edhe ish presidenti francez Sharl de Goli la pas vetes një deklaratë tronditëse, që është më e besueshme sot sesa në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit XX: Nuk do të ketë ndonjë burrë shteti evropian që do të bashkojë Evropën. Evropa do të bashkohet nga kinezët…

Pyetja është: nëse Regani dhe De Goli qenë të pakënaqur me politikbërësit e SHBA-së dhe Francës, atëherë ku ta mbështesin ballkanasit shpresën për ardhjen e Godosë? Veçmas ne shqiptarët?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button