Antikorrupsioni do të hapë lëndë për grantin e FIZHT për kompaninë e Zarevskit

Kompania e ish-zyrtarit të LSDM-së, Zarevski, ka marrë grant nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, ndërsa Antikorrupsioni do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorime gjatë dhënies së grantit. VMRO-DDPMNE akuzoi se fondi i shpenzon paratë joefektivisht. Fondi thotë se çdo euro e shpenzuar monitorohet, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të hapë lëndë për keqpërdorime të mundshme gjatë dhënies së grantit kompanisë Solar Group nga Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik – FIZHT. Kompania është në pronësi të ish-zyrtarit të LSDM-së Rubinço Zarevski, i cili ishte drejtor i Fondit të Shëndetësisë në qeverinë e Vllado Buçkovskit.

Zarevski u dënua në vitin 2012 me dy vjet burgim me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autoritetit. Ai dyshohej se në vitin 2003 duke ushtruar detyrën e drejtorit të fondit e ka dëmtuar buxhetin për 1,6 milionë denarë ose 26 mijë euro duke mos zgjedhur ofertuesin më të favorshëm në tenderin për blerjen e mjeteve mjekësore, por më të shtrenjtën.

Kompania e Zarevskit ka aplikuar për thirrjen – Startup 3 me projektin “Farma Analitika”. Buxheti i përgjithshëm i projektit është rreth 44 mijë euro. Nga financimi i saj kompania do të investojë rreth 6000 euro, ndërsa 38 mijë euro të mbetura do të sigurohen nga FIZHT.

Në përshkrimin e projektit thuhet se synon të krijojë PAN – një motor kërkimi inovativ inteligjent dhe platformë dixhitale, e cila do të plotësojë nevojat analitike të kompanive farmaceutike dhe shëndetësore (ligjet, rregulloret, çmimet e barnave, etj.) në Maqedoninë e Veriut, me potencial të lartë për tu zgjeruar në vendet e rajonit. Procesi aktualisht kryhet me anë të marrjes manuale të të dhënave dhe projekti PAN do të automatizojë dhe integrojë plotësisht procesin dhe mbledhjen e të dhënave. Gjithashtu, do të optimizohet puna e llogaritjes së çmimeve të barnave në kundërvlerë në denarë, do të eliminohen gabimet, do të zvogëlohen shpenzimet dhe do të përmirësohet procesi i planifikimit të të gjithë pjesëmarrësve në sektorin farmaceutik.

“Fondi i Inovacionit punon më keq se kurrë për të shpenzuar para joefektivisht, më keq se kurrë dhe nga çdo institucion i LSDM-së. Pjesa më e madhe e projekteve që përkrahen janë projekte që janë shpërdoruar nga ky Fond i Inovacionit, paratë e qytetarëve.” tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Arsovski po ashtu informoi se granti i dhënë për një recetë për pica pina romana në vlerë prej rreth 40 mijë euro është projekt i mbështetur nga njeriu i njohur si Mile Milanoviq dhe sipas tij promotori më i madh i kryeministrit Zoran Zaev dhe pjesë e kryesisë së kaluar të LSDM-së në Strumicë.

Fondi i Inovacionit u përgjigj se është për të ardhur keq që opozita, në vend që të motivojë të rinjtë që të hapin startup-e të suksesshme dhe të realizojnë ëndrrat e tyre, siç thuhet në deklaratë, po fut një politikë në një sferë krejtësisht të lirë nga ndikimi politik.

“FIZHT është i vetmi institucion në vend që monitoron çdo euro të investuar në çdo kompani. Procesi i monitorimit drejtohet nga rreth 5 kompani ndërkombëtare. Siç e kemi informuar shumë herë, asnjë nga punonjësit e FIZHT-it nuk merr pjesë në procesin e përzgjedhjes së kompanive që do të financohen.”thanë nga Fondi.

Kjo nuk është hera e parë që FIZHT jep grante për kompani të afërta me zyrtarë publikë. Grantet paraprakisht janë dhënë për kompanitë e ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev dhe ish-deputetit të LSDM-së, Hari Lokvenec. Pastaj një kompani e gruas së këshilltarit të atëhershëm për kulturë të kryeministrit Zoran Zaev, Cvetanka Llaskova, si dhe një kompani në të cilën pronare minoritare ishte Merita Ademi, anëtare e familjes së ngushtë të Asaf Ademit. i cili në atë kohë ishte ministër i Kulturës.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas raportimeve të atëhershme mediatike për keqpërdorime të mundshme në dhënien e granteve, ka ngritur lëndë. Prokuroria nuk është përgjigjur se deri ku është hetimi i rastit dhe nëse kanë nisur procedurë për grantin për kompaninë e Zarevskit.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Fondi për Inovacion përfshihet në një situatë të tillë, për më tepër lexoni lajmet më poshtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button