fbpx

SHBA-të organizojnë me “përulësi dhe vetëbesim” samitin për demokracinë

Departamenti amerikan i Shtetit, që po organizon takimin për demokracinë, thotë se Amerika po përballet me “përulësi dhe vetëbesim” me sulmet që po pëson demokracia në mbarë botën, shkruan VOA, transmeton Portalb.mk.

Sulmi ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara më 6 janar nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump që kërkonin përmbysjen e humbjes së tij në votime, tronditi shumë njerëz në mbarë botën, përfshirë Presidentin e zgjedhur Joe Biden.

Sulmi u bë pjesë e arsyeve që Presidenti Biden të organizonte samitin për demokracinë, thotë Nënsekretarja e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Uzra Zeya.

“Përqasja jonë është me përulësi dhe njëkohësisht me vetëbesim. Vetëbesim pasi duam të dëgjojmë dhe të mësojmë, duke mos iu shmangur mangësive tona. Vetëbesim në përpjekjet tona të vazhdueshme për një bashkim më ideal dhe tek siguria se duke punuar së bashku, demokracitë kanë mundësinë dhe do të përmbushin zotimin për qytetarët e tyre, pavarësisht nga sfidat që paraqesin autokratët dhe autoritarët”. tha Zeya.

Sulmi i 6 janarit ka lënë gjurmët e tij dhe po influencon tek mënyra se si vendet e tjera sillen në skenën ndërkombëtare, thotë Brian Katulis, nga Instituti i Lindjes së Mesme.

“Dëgjoj se shumë vende, mike, armike dhe konkurrente, nuk do të mbështesin plotësisht Shtetet e Bashkuara, pjesërisht pasi shohin botën që po ndryshon. Ata shqetësohen shumë për zhvendosjet e mëdha në Shtetet e Bashkuara; ata panë se si gjërat u zhvendosën dukshëm nga Presidenti Obama tek Presidenti Trump, dhe se tashmë po zhvendoset në një tjetër drejtim me Presidentin Biden.” tha Katulis.

Përplasjet mes demokracive botërore dhe qeverive autoritare kanë qenë në vëmendjen kryesore të politikës së jashtme të administratës Biden, që nga krizat në Myanmar, Haiti, Sudan dhe shumë vende të tjera.

Udhëheqësit autoritarë të vendeve si Rusia dhe Kina nuk janë të ftuar në samit. Rusia dhe Kina e kanë kritikuar vetë samitin si anti-demokratik dhe përçarës. Gjatë një vizite të fundit në Kenia, Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli për një rënie shqetësuese të demokracisë në kontinentin afrikan dhe në mbarë botën.

“Demokracitë po tërhiqen… Po testohet demokracia në gjithfarë mënyrash, nga brenda dhe nga jashtë. Kemi parë të bjerë edhe besimi i qytetarëve tek demokracia. Shohim se aktorët e këqinj shfrytëzojnë disa nga ndasitë që ekzistojnë brenda demokracive; institucionet e pavarura sfidohen dhe dëmtohen; gazetarët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut kërcënohen dhe sulmohen.” tha Blinken.

Presidenti Biden e percepton samitin si fillimin e një viti promovimi të demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe ekstremizmit, mbrojtjen e gazetarëve të burgosur dhe të kërcënuar, si dhe të aktivistëve të të drejtave të njeriut në mbarë botën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button