Gazetarët u nisën drejt Oslos për ceremoninë e çmimit Nobel për Paqe

Gazetarja nga Filipinet, Maria Ressa dhe gazetari rus, Dmitry Muratov, nesër do të pranojnë Çmimin Nobel për Paqe në Oslo. Komiteti norvegjez i Nobelit tha se po nderonte dyshen e gazetarëve për përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë e shtypit, shkruan VOA, transmeton Portalb.mk.

Çmimi Nobel për Paqe është vlerësimi i fundit për gazetaren filipino-amerikane, Maria Ressa e cila më herët është nderuar edhe me shumë çmime tjera për përpjekjet e saj për të mbrojtur lirinë e shtypit në Filipine.

Ajo foli para gazetarëve në aeroportin e Manilas, ndërsa nisej drejt Oslos ku nesër zhvillohet ceremonia e Nobelit.

“Jam e gëzuar për çmimin, por edhe e zemëruar. Shpresoj për një të ardhme më të mirë.“ tha gazetarja Ressa.

Ajo themeloi agjencinë e lajmeve Rappler, të cilës iu pezullua licenca nga autoritetet filipinase. Zonja Ressa është kritike e hapur e presidentit Rodrigo Duterte. Ajo është përplasur me autoritetet, sidomos pas kiritkave për operacionet vdekjeprurëse të qeverisë kundër drogës.

Gazetarja është arrestuar disa herë, së fundmi më 2020 kur u dënua për shpifje me gjashtë vite burg. Aktualisht ajo është liruar me kusht.

Të mërkurën, kundër saj dhe gjashtë organizatave tjetër u ngritën akuza të reja për shpifje, nga një ministër i qeverisë në Filipine.

Në fillim të javës një gjykatë në Manila i dha gazetares Ressa leje të udhëtojë drejt Oslos, pasi vlerësoi se fluturimi i saj nuk përbën rrezik.

“Ky është një çmim i vogël që duhet paguar për të vazhduar punën tonë, një shqetësim që nuk duhet ta kemi. Nuk duhet të kem 10 urdhër arreste. Nuk duhet të jem e liruar me kusht. Ka shumë gjëra që nuk duhej të ndodhnin.” tha Ressa .

Gazetarja Ressa ndan çmimin e vitit 2021 me kolegun rus Dmitry Muratov, kryeredator i gazetës “Novaya” dhe një kritik i vazhdueshëm i Presidentit rus Vladimir Putin.

Nga viti 2000, gjashtë gazetarë të “Gazetës Novaya” janë vrarë për shkak të punës së tyre, duke përfshirë gazetarën kryesore hulumtuese Anna Politkovskaya.

Dmitry Muratov foli me gazetarë në tetor pasi kuptoi se është fitues i çmimit.

“Ky çmim është vlerësim i punës së kolegëve tanë të ndjerë.“ tha Muratov .

Gazeta Novaya është bashkëthemeluar nga ish-udhëheqësi sovjetik dhe laureati i Nobelit për Paqe, Mikhail Gorbachev, i cili e quajti Muratovin një gazetar të guximshëm.

Kur Presidenti Putin u pyet për ndarjen e Çmimit Nobel për gazetarin rus, ai dha këtë paralajmërim.

“Nëse ai mundohet të fshihet pas çmimit Nobel duke e përdorur atë si mburojë për të shkelur ligjin rus, i bie që ai do ta bëjë këtë për të tërhequr vëmendje tek vetja ose ndonjë arsye tjetër.” kishte deklaruar Putin.

Kjo është hera e parë nga viti 1935 që Çmimi Nobel për Paqe u jepet gazetarëve.

“Nëse doni të ndikoni tek shoqëria në të cilën jetoni, nëse ju intereson vënia e udhëheqësve para përgjegjësisë, nëse ju intereson zgjidhja e problemeve si ndryshimet klimatike ose gjetja e rrugës për dalje nga pandemia, atëherë duhet të informoheni. Por nuk mund të informoheni nëse gazetarët nuk mund ta bëjnë punën e tyre.” tha Joel Simon, Drejtor ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Qeveria në Filipine dhe ajo ruse mohojnë të kenë shënjestruar gazetarët ose të kenë goditur lirinë e shtypit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button