Qytetarët e revoltuar sot do të bllokojnë rrugën Qafë Thanë – Strugë

Sot nga ora 12.30 deri në orën 13.30 rruga magjistrale Strugë – Qafë Thanë do të jetë e bllokuar për të gjithë llojet e transportit. Rruga do të bllokohet nga rreth-rrotullimi në fshatin Teferiç deri në fshatin Frëngovë, në shenjë proteste nga banorët e revoltuar të fshatrave që gravitojnë në këtë zonë për shkak të shkatërrimit të rrugës. Edhe pse me vite të tëra premtohet ri-ndërtimi i kësaj rruge, në realitet nuk është bërë asgjë për përmirësimin e gjendjes së mjerueshme të kësaj rruge magjistrale, shkruan Portalb.mk

Banorët e revoltuar do të bllokojnë  qarkullimin në këtë rrugë në shenjë proteste për kushtet tejet të këqija në të cilat realizohet komunikacioni në magjistralen në fjalë.

Me fillimin e reshjeve të shiut dhe borës në këtë rrugë u ri-hapen gropat e arnuara sipërfaqësisht disa muaj më parë. Gjendja e rrugës magjistrale Strugë-Qafë Thanë përvec se dëmton teknikisht mjetet e transportit që qarkullojnë në këtë rrugë mbi të gjitha rrezikon jetën e udhëtarëve që qarkullojnë nëpër të.

Rruga magjistrale Strugë-Qafë Thanë që e lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, është ndërtuar në kohën e ish Federatës së Jugosllavisë. Riparimi i kësaj rruge, gropat e shumta të së cilës vetëm arnohen sipërfaqësisht, premtohet vite me radhë nga partitë politike por asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret dhe më gjithëpërfshirës për përmirësimin e gjendjes katastrofale të kësaj rruge.

Organizatorët bëjnë thirrje për protestë paqësore dhe pjesëmarrje masive. Protesta organizohet nga Bashkësitë Komunale të fshatrave Ladorishtë, Teferic, Zagracan, Fërngovë, Fierishtë, Shum, Kalishtë, e të tjera.

Premtime me dekada, realizim aspak!

Për ndërtimin e kësaj rruge është folur dhe premtuar me dekada e megjithatë nuk ka pasur asnjëherë projekt dhe veprim konkret. (BDI prezanton projektet në infrastrukturë, kryefjala te Korridori 8). Madje edhe procesi i rehabilitimit dhe mbushja e gropave është zvarritur e stër-zvarritur nga autoritetet përkatëse.

Një vit më parë, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, Goran Sugareski, u shpreh se kanë filluar punimet për rehabilitimin e rrugës Strugë – Qafë Thanë. Disa ditë më vonë, banorët e asaj zone e përgënjeshtruan deklaratën e ish ministrit. Banorët e fshatrave që gravitojnë në aksin rrugorë Strugë-Qafë Thanë deklaruan se nuk ka asnjë aktivitet për ndërtimin e rrugës dhe se makineritë në rrugë thjeshtë po pastrojnë kanalet e ujit anash rrugës.

Tre muaj më vonë, në fund të dhjetorit nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore njoftuan se shteti nuk do e rindërtojë aksin rrugor në fjalë por vetëm do bëjë sanimin e gropave. Banorët e fshatrave që gravitojnë në këtë rrugë, të lodhur nga premtimet dhe të irrituar nga neglizhenca e autoriteteve u kërcënuan me protesta.

Në muajin mars 2020, drejtori i Ndërmarrjes për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov tha se për 20 ditë do të shpallet tenderi. Megjithatë, edhe gjatë muajve në vijim nuk pati asnjë lëvizje.

Në fund të muajit maj të vitit 2020 nga ky institucion thanë se tenderi akoma nuk është gati dhe se për 10 ditë dokumentacioni do të jetë gati. As pas 10 ditësh nuk pati asnjë tender për përmirsimin e gjëndjes së rrugës në fjalë.

Në korrik 2020, i pyetur nga gazetarët se kur do të shpallet tenderi për rehabilitimin e rrugës ndërkombëtare Strugë-Qafë Thanë, Goran Sugareski, tanimë ish ministër për Transport dhe Lidhje, tha se tenderi pritet të shpallet së shpjeti.

“Projektimi është nga fundi dhe ne presim që tenderi të shpallet sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të fillojë ndërtimi i saj. Ne qëndrojmë prapa asaj që kemi thënë. Mund të ketë ndonjë vonesë, por do të ndodhë në këtë periudhë. Unë nuk do të jap një afat kohor” – tha Goran Sugareski, ish ministër për Transport dhe Lidhje.

Edhe pse së fundi u premtua se punimet për ndërtimin e kësaj rruge do të fillonin në vjeshtë, më 6 shtator 2020 ministri i ri i Lidhjeve dhe Transportit, Bllagoja Boçvarski, u shpreh para gazetarëve se akoma nuk është i njoftuar për gjendjen e aksit rrugor Strugë – Qafë Thanë.

“Kur do të njoftohem saktë me këtë pjesë do iu njoftojmë për gjendjen me këtë pjesë dhe do të bëjmë gjithçka që të vazhdojë me realizim dhe të punohet për fillimin e ndërtimit të kësaj pjese “, deklaroi Bllagoja Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Lexoni më shumë:

Gjitha premtimet për riparimin e plotë të rrugës së shkatërruar Strugë – Qafë Thanë mbeten fjalë boshe

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button