Tetovë, u promovua monografia “Metafora” (Foto)

Sot në Universitetin e Tetovës, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, e promovoi monografinë e saj Veprimtaria kulturore-artistike dhe revistën për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”, transmeton Portalb.mk.

Në rrugëtimin e saj 10–vjeçar, Shoqata “Tradita”, nëpërmjet organizimit të manifestimeve të ndryshme kulturore, konferencave shkencore, përkujtimit të artistëve, të shkrimtarëve dhe të veprimtarëve të kauzës kombëtare, ka kontribuar në zhvillimin e kulturës dhe në promovimin e ideve dhe të vlerave universale.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, theksoi se “ky vizion dhe orientim na ka shoqëruar gjithmonë në punën tonë të përbashkët që është mbështetur në thënien e njohur se arti dhe kultura i përkasin gjithë botës dhe para tyre zhduken të gjithë kufijtë”.

“Modele të tilla komunikimi janë të dobishme për afirmimin e artit poetik, por edhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes krijuesve, letërsive, etnive etj. Prandaj, falë bashkëpunimit me artistë e shkrimtarë të njohur, veprimtarë të kulturës dhe hulumtues shkencorë, kemi arritur që t’i realizojmë me sukses të plotë 8 edicione të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, 5 edicione të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, disa akademi përkujtimore në nderim të figurave më eminente të kulturës dhe të historisë sonë, tri konferenca shkencore, disa tryeza dhe tribuna publike si dhe 5 botime nga lëmi i arsimit, i shkencës dhe i kulturës.” u shpreh Selam Sulejmani.

Ai theksoi se gazetat, revistat, librat – janë thesar i botës dhe trashëgimia më me vlerë e brezave dhe e popujve.

Profesori Xhelal Zejneli në cilësinë e anëtarit të redaksisë u shpreh se revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora” të cilën e boton Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, redaktohet nga persona kompetentë të lëmit të letërsisë, të artit dhe të kulturës të hapësirës sonë.

“Synim themelor i “Metaforës” është ngritja shpirtërore e njeriut në këto udhëkryqe ballkanike, shpeshherë të ngulfatur nga atavizmat e së kaluarës. Me frymën e saj të re, të kthjellët dhe të shëndetshme, revista paraqet një vlerë krejtësisht të re në mjedisin tonë.” tha Xhelal Zejneli.

Profesori Salajdin Salihu, po ashtu anëtar i redaksisë së revistës tha se i gëzohet daljes së numrit të parë të revistës “Metafora”dhe shprehu optimizmin e tij se kjo revistë një ditë do të bëhet metaforë e shkrimeve cilësore.

“Unë jam i bindur se kjo revistë do ta ruajë cilësinë, sepse gjërat cilësore mbeten kur shumëçka të jetë harruar. Sot revistat kulturore vështirë mbijetojnë, sepse nuk i dedikohen publikut. Tregu është bërë i pamëshirshëm ndaj këtyre mediave. Prandaj nevojitet një politikë e mençur kulturore, e cila do t’i trajtojë revistat kulturore si pasuri. Investimi në këso revistash nënkupton investim në mendimin shkencor dhe në vlera artistike.” tha  Salajdin Salihu.

Botimet që u promovuan sot, në zhanre të ndryshme letrare e pasqyrojnë thellësinë historike të kulturës sonë dhe sjellin tema nga e kaluara si dhe nga aktualiteti ynë. Në promovimin e këtyre botimeve morën pjesë profesorë dhe studentë të UT-së, personalitete të njohura nga lëmi i arsimit, i kulturës, i artit si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button