U anëtarësuam në Evropën Kreative, program i BE-së me buxhet prej mbi 2,4 miliardë euro

Maqedonia e Veriut u bë anëtare me të drejta të plota në programin e BE-së Evropa Kreative, i cili për periudhën 2021-2027 ka një buxhet prej mbi 2,4 miliardë euro dhe dedikohet për sektorin kulturor, kreativ dhe audiovizuel, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ambasadorja e Misionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, Agnesa Rusi dhe Komisionerja e BE-së për Inovacion, Hulumtim, Kulturë, Arsim dhe Rini, Maria Gabriel, e nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Maqedonisë së Veriut në programin Evropa Krijuese (2021 – 2027)”, njoftojnë nga Ministria e Kulturës.

Programi u miratua më 28 maj 2021 nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian. “Evropa Kreative 2021 – 2027” përbëhet prej tre pjesëve/nënprogrameve: kultura, MEDIA dhe pjesa Ndërsektoriale.

Programi njeh diversitetin kulturor si prioritet kryesor për të adresuar sfidat me të cilat përballen sektorët e kulturës, kreativ dhe ai audiovizuеl sot. Prioritetet e programit janë: mbrojtja, zhvillimi dhe promovimi i diversitetit dhe trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore, si dhe forcimi i konkurrencës dhe potencialit ekonomik të sektorëve kulturorë dhe kreative dhe të sektorit audiovizuel.

“Programi synon harmonizimin e këtyre prioriteteve me zhvillimin e hovshëm të politikave digjitale, gjithëpërfshirëse dhe mjedisore të Bashkimit Evropian në aspekt të garantimit të qëndrueshmërisë së tyre”, informojnë nga Ministria e Kulturës.

Buxheti i Bashkimit Evropian i parashikuar për këtë program është 2,44 miliardë euro për periudhën 2021-2027. Financimi i Bashkimit Evropian, në aktivitete të ndryshme të programit shkojnë nga 80 për qind deri në 40 për qind, që është vërtetim për pjesëmarrje të lartë me mjete financiare të pakthyeshme dhe sasisë së madhe të fondeve maksimale për projektet e miratuara.

Programi ofron mundësi për lloje të ndryshme mbështetjeje për sektorët përkatës dhe përfshin shumë grupe të synuara si pjesëmarrës të mundshëm në projekte (sektorët kulturorë dhe kreativë, sektori audiovizuel, institucionet arsimore, shoqatat qytetare, komunat dhe institucionet lokale, organizatat private etj.).

Ndikimi që arrihet prej rezultateve të projekteve që zbatohen është mbështetje e rëndësishme në zhvillimin e sektorit kulturor, krijues dhe audiovizuel në nivel kombëtar. Evropa Kreative ofron transparencë dhe dukshmëri maksimale të projekteve dhe ndikimit të tyre.

Programi në nivel kombëtar zbatohet nëpërmjet Zyrës për Evropën Kreative pranë Ministrisë së Kulturës (Nënprogrami Kulturë) dhe Agjencisë së Filmit (Nënprogrami MEDIA). Zyra funksionon si organ këshillimor dhe informativ për zbatimin e programit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button