Këshilli Gjyqësor ka marrë rreth 50 iniciativa për shqyrtimin e përgjegjësisë së gjykatësve

Dita ndërkombëtare kundër korrupsionit është rast që Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut t’i ftojë qytetarët që kanë njohuri dhe informata për rastet e korrupsionit në gjyqësor t’i paraqesin, që të munden të realizohen aspiratat për gjyqësor të pakorruptuar, njofton Portalb.mk.

“Këshilli Gjyqësor shpreh gatishmëri që t’u ndihmojë të gjithë atyre që janë përballur me rast të korrupsionit në gjykata dhe për atë i inkurajojmë qytetarët që në vend të bëhen pjesë e sjelljes korruptive, t’i paraqesin ata për të cilët kanë njohuri se interesat personale financiare i vendosin para ligjeve dhe drejtësisë”, thuhet në kumtesën e Këshillit.

Me ndryshimet ligjore, është hapur mundësia që çdokush të ngrit iniciativë për konstatimin e përgjegjësisë për veprim të papërgjegjshëm dhe joprofesional të gjykatësit. Pas kësaj tërësisht janë ndryshuar numrat e dorëzimit të kërkesave. Nëse në vitin e kaluar Këshilli Gjyqësor ka pasur vetëm disa kërkesa në vit, këtë vit ka rreth 50 iniciativa për shqyrtim të përgjegjësisë së gjykatësve.

“Dhe kjo është pjesë e instrumenteve që Këshilli Gjyqësor i shfrytëzon në luftë kundër korrupsionit. Të vetëdijshëm se korrupsioni është dukuri shoqërore e cila rëndë shkatërrohet, ne nuk do të heqim dorë nga lufta e vazhdueshme me qëllim që të krijojmë gjykatës të ndershëm të cilët do t’u shërbejnë qytetarëve dhe të cilët drejtësinë gjithmonë do ta kenë para korrupsionit”, thonë nga KGJ.

Reformat në gjyqësor përveç se janë të domosdoshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut ata janë dhe një prej kushteve kryesore për integrimin e vendit në BE. Gjegjësisht, pa gjyqësor të pavarur, paanshëm, efikas dhe profesional, RMV, nuk mund të bëhet pjesë e BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button