Të drejtat e njeriut me fytyrë të rraskapitur nga pandemia

Nëse të drejtat e njeriut në kushte normale janë shkelur një qind herë, gjatë pandemisë po shkelen një mijë herë. Maqedonia në fund të pusit për nga pasojat e Pandemisë, që lë hapësirë të madhe për menaxhim të keq dhe jo adekuat me situatën.

Është shumë vështirë të flitet për të drejtat dhe liritë e njeriut, në kushte kur pandemia ka okupuar pothuajse gjithë  globin, gjithë njerëzimin, dhe shtetet duke u munduar që të përballen me të, duket se kanë  kanë humbur orientimin dhe nuk janë në rrugë të drejtë. Si pasojë e pandemisë dolën në sipërfaqe shumë defekte shtetërore, para se gjithash të sistemit shëndetësor. Pjesë e  sulmit të pandemisë  është edhe Republika e Maqedonisë së Veriut e cila po përjeton pasoja me përmasa të rënda.

Menjëherë pas paraqitjes së pandemisë, në pranverë vitit 2020, u mobilizua i tërë sistemi shtetëror, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duke miratuar një seri masash me karakter të urdhrave ekzekutiv si ora policore, ndalimi i qasjes në vende publike, mbyllja e shkollave, çerdheve, ndalimi i ahengjeve dhe dasmave, vënia e qytetarëve në karantinë pa kurrfarë kriteresh, mbyllje kufish, dënime me gjoba dhe burg për ata që nuk respektojnë masat, mbajtja e maskave dhe distancës, dhe shumë masa të tjera që goditën rëndë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit. Parasegjithash u godit rëndë liria e lëvizjes dhe e qarkullimit, e sigurisë juridike dhe qytetare, frika dhe paniku, humbja e sigurisë juridike, segregacioni, qasje vetëm për të vaksinuarit, me një fjalë, u godit mirëqenia njerëzore. Kuptohet,  e gjithë kjo në emër të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.  Nëse të drejtat e njeriut në rrethana normale janë shkelur një qind herë, në kushte pandemie po shkilen një mijë herë. Kapak i gjithë kësaj ishte djegia e Spitalit modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona. E gjithë kjo lë hapësirë për dyshime për një menaxhim të keq dhe joadekuat të situatës.

Masat shtrënguese ndaj qytetarëve  u sollën pa kurrfarë debati publik dhe parlamentar, vetëm përmes urdhërave komanduese qeveritare,   dhe atë qindra urdhëra komanduese.  Qytetarët, në vend që në kohë pandemie të udhëhiqen nga liderë të mençur dhe të urtë, ata u komanduan. Megjithatë, duhet të shtojmë se qytetarët tanë, në kohë pandemie treguan dhe po tregojnë një vetëdije dhe diciplinë të lartë, në respektimin e masave.

Por, edhe përkundër këtyre kufizimeve të rrepta, Republika e Maqedonisë së Veriut, prin në rajon nga numri i të infektuarve, i të hospitalizuarve, e mbi të gjitha të vdekjeve, si pasojë e pandemisë. Ku kemi gabuar, ku po gabojmë! Vallë, sistemi ynë shëndetsor paska qenë në fund të pusit. Kjo duhet të na bëjë vigjilent në të ardhmen.

Duke u nisur nga fakti që vetë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme bart me vete rreziqe dhe paraqet potencial për shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut,  Avokati i Popullit, menjëherë pas kësaj shpalljeje, deri te institucionet kompetente dërgoi disa rekomandime, të cilat parasegjithash kishin të bëjnë me kategoritë më të rrezikuara, siç janë fëmijët, personat me aftësi të kufizuar, dhe personat e privuar nga liria. Avokati i Popullit u sugjeroi këtyre organeve, se gjatë marrjes së çdo vendimi eventual që ka të bëjë me pandeminë,  të kenë parasysh respektimin e të drejtave të njeriut.

Avokati i Popullit si institucion që mbron liritë dhe të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve, me vëmendjen më të madhe shqyrton çdo ankesë që ka të bëjë me shkelje të të drejtave në kohën e pandemisë. Ankesat janë të lidhura me shumë dimensione të masave të pandemisë.

Avokati i Popullit gjatë vitit 2021 ka pranuar rreth 2550 ankesa të qytetarëve që kanë të bë bëjnë me të gjitha sferat e jetës shoqërore. Si edhe vite më parë, prijnë ankesat ndaj punës së gjyqësorit, ku janë regjistruar rreth 420. (Në kushte normale Avokati i Popullit pranon rreth 3000 ankesa në vit).

Sipas raporteve të Avokatit të Popullit, vite me radhë, gjyqësori mbetet nder organet shtetërore më të kritikuara dhe me i pabesueshmi nga ana e qytetarëve. Në të gjitha vendet, pa marrë parasysh se çfarë rregullimi shtetëror kanë ndërtuar, gjyqësori duhet të paraqet garantin më të lartë të respektimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Nëse nuk i besojmë gjyqësorit, atëherë asgjë nuk kemi bërë për sigurinë juridike të qytetarëve. Secili prej nesh, kur ka ndonjë konflikt, qoftë me pasona fizik, ose me shtetin I drejtohet gjykatës. Gjykatat dhe vetëm gjykatat janë atë organe që duhet ta ndajnë Drejtësinë nga padrejtësia, ta mbrojnë të drejtin nga i padrejti. Puna  e gjyqësorit është pasqyra më reale e nivelit të respektimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve, në një shtet.

Sot,  më 10 Dhjetor -Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, të gjithë ndjejmë keqardhje, që në vend  që të flasim solemnisht për respektimin, mbrojtjen, dhe avancimin e të drejtave  të njeriut, ne sot po flasim me  një fytyrë të lodhur e të rraskapitur nga Pandemia dhe sprovat dhe pasojat e mëtutjeshme që mund të sjellë ajo, ndaj të drejtave të njeriut.

Themelet dhe standardet që i ka vënë Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, edhe sot e kësaj dite mbeten burim dhe inspirm i përhershëm në  dokumentet themeltare të shteteve. Mbi këto standarde mund të shkohet por, shtetet assesi nuk guxojnë të punojnë kundër vlerave që i ka proklamuar Deklarata. Të drejtat e njeriut fillojnë që në barkun e nënës, dhe nuk kanë fund.

Në shekullin 21, popujt dhe flasin për një gjeneratë të re të të drejtave të njeriut. E drejta për të qenë të lumtur, të kemi mirëqenie, të kemi siguri juridike dhe ta ndjemë siguri, e drejta për tu ankuar deri te një organ i pavarur siç është Avokati i Popullit, dhe mbi të gjitha e drejta për nje qeverisje të mirë. Tani më, qeverisja e mirë paraqet të drejtë themelore të njeriut dhe qytetarit bashkëkohor.

Të drejtat e njeriut duhet respektuar, jo vetëm në kohë paqe, por edhe në kohë konfliktesh dhe pandemishë, sepse të drejtat e njeriut janë vetë njeriu, personaliteti i tij, vetë qenia njerëzore.

(Autorja është Zëvendëse e Avokatit të Popullit)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button