Ministria e Drejtësisë së Kosovës: Vizita në RMV e zv.ministrit, do të realizohet në një moment tjetër të përshtatshëm

Zëvendësministri i Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu e ka shtyrë vizitën e tij në RMV që duhej ta , pasi që autoritetet e RMV-së nuk e kanë lejuar që të bëjë vizitë te të burgosurit në rastin “Kumanova”. Nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës theksojnë se paraprakisht autoritetet e shtetit fillimisht ia kanë miratuar kërkesën, ndërkaq mbrëmë e kanë lajmuar se nuk janë përfunduar disa procedura. Zv.ministri i RMV-së, Agim Nuhiu, tha se homologu i tij do të vijë për vizitë në RMV javën e ardhshme, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Drejtësisë së Kosovës thekson se paraprakisht autoritetet e RMV-së kanë konfirmuar për vizitën, megjithatë në mbrëmje i kanë njoftuar se duhen edhe disa çështje procedurale.

“Sa i përket vizitës së paralajmëruar, gjithçka ka qenë e konfirmuar, si nga ana jonë, ashtu edhe nga pala maqedonase. Mirëpo, dje në mbrëmje jemi njoftuar nga autoritetet atje që disa çështje procedurale nuk janë plotësuar në tërësi. Në këtë drejtim, vizita që ka qenë e caktuar, është shtyrë për një ditë tjetër. Ajo nuk është anuluar dhe e njëjta do të realizohet në një moment tjetër të përshtatshëm, kur të përmbushen të gjitha aspektet formale nga autoritetet zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, . tha për Portalb.mk, Genc Nimoni, këshilltar i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.

Ata shtojnë se mbesim në kontakt me Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut dhe po komunikojmë vazhdimisht me ta, për këtë dhe çështje të tjera, në frymën e koordinimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit reciprok.

Portalb.mk, kontaktoi edhe me zv.ministrin e Drejtësisë, Agim Nuhiun, për të pyetur në lidhje me atë se a do të realizohet vizita e homologut të tij nga Kosova. Ai tha se zv.ministri nga Kosova do të vijë javën e ardhshme.

“Vizita nuk është anuluar, por është shtyrë dhe do të mbahet javën e ardhshme. Mund të konfirmoj se do të takohet me mua, a për të tjerët, nuk e di agjendën e tij. Pra për të vizituar të burgosur duhet të sigurojë leje përkatëse nga institucionet dhe ajo nuk është nën kompetencën tonë si Ministri”, tha ministri Agim Nuhiu.

Sipas procedurës, ambasadori (në këtë rast i Kosovës), e informon Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut për vizitën e funksionarit (në këtë rast zv.ministrit të Drejtësisë). Pasi që në agjendën e tij ka vizitën në Burgun e Idrizovës, atëherë MPJ e RMV-së, e dërgon kërkesën te Ministria e Drejtësisë, e cila pastaj duhet që ta ridërgojë këtë kërkesë deri te Burgu (në këtë rast i Idrizovës). Burgu i Idrizovës vendos për nëse do ta pranojë ose jo dhe më pas dërgon shkresë mbrapa dhe informohen autoritetet kosovare.

Paraprakisht, Sallahu në një emision në televizionin kosovar T7 e paralajmëroi vizitën në RMV, gjatë së cilës ka theksuar se do të takohet edhe me shtetasit e Kosovës të dënuar në rastin “Lagjja e Trimave”. Qëllimi i kësaj vizite, ashtu siç tha, është që të informohet për kushtet në të cilat e mbajnë dënimin dhe nëse respektohen të drejtat e tyre.

“Si ministri, duke pasur parasysh Ligjin për nënshtetësi, në të cilin theksohet qartë se shtetasi ka lidhje të ngushta me shtetit, ne kemi për obligim (ndaj shtetasve të Kosovës). Kemi konfirmim nga zëvendësministri i Drejtësisë se mund t’i vizitojmë të enjten. Do t’i vizitojmë, do t’i shohim kushtet, më pas do të ndërmarrim masa, siç është dërgimi i letrave drejtuar qeverisë së atjeshme për të krijuar kushte më të mirë”, tha Sallahu.

Megjithatë, zëvendësministri i Drejtësisë së RMV-së, Agim Nuhiu, i cili do të duhej të ishte nikoqir e ka demantuar homologun e tij se do të ketë takim me të dënuarit, por se bëhet fjalë për vizitë në Burgun e Idrizovës.

“Sallahu do të ketë takim me mua dhe drejtorët e burgjeve në vend. E vazhdojmë bashkëpunimin mes ministrive. Nuk është e saktë se do të ketë takim me të burgosurit në rastin Lagjja e Trimave. Për takime ka procedura të veçanta sipas rrugës diplomatike, por nuk është kërkuar dhe nuk do të realizohet”, deklaroi Nuhiu.

Sallahu, mbrëmë vonë ka njoftuar se e shtyn vizitën e tij dhe nuk dihet se kur do të realizohet.

“Lagjja e Trimave” është një prej katër rasteve për të cilat kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës Afrim Gashi, janë marrë vesh për monitorim ndërkombëtar të aktgjykimeve dhe procedurave gjyqësore.

Portalb.mk së fundi njoftoi se gjykatësit e Gjykatës Supreme kanë miratuar vendim në lidhje me ankesat e palës mbrojtëse të rastit “Lagjja e Trimave – Kumanova”, por i njëjti, sipas procedurës, nuk publikohet derisa nuk shkruhet vendimi dhe nuk nënshkruhet nga anëtarët e Këshillit.

Sipas Ligjit për Procedurë Penale, Supremja duhet ta përgatisë dhe publikojë vendimin në afat prej 60 ditëve.

Për këtë ngjarje të armatosur, në shkurt të vitit 2016-të në Gjykatën Penale të Shkupit është mbajtur procesi gjyqësor kundër 29 personave, të cilët u ngarkuan me veprën “Organizatë terroriste” dhe “Terrorizëm”. Të gjithë 29 të akuzuarit përpara gjykatës janë deklaruar se nuk ndjehen fajtorë. Rasti më vonë u bashkua me “Vetëtimën”, në të cilin ishte zhvilluar procedurë kundër 8 personave për ndihmë të grupit të armatosur, me [ka grupi i të akuzuarve u rrit në gjithsej 37. Prej tyre, 33 u dënuan për veprat, ndërkaq 4 persona u liruan.

Gjykata Penale i dënoi 7 përfaqësues të grupit me burgim të përjetshëm, ndërkaq 13 të tjerë me nga 40 vjet burg. Me dënim prej 20 vjet burg janë dënuar 5 persona, 1 i akuzuar me 12, ndërkaq nga 2 u dënuan me nga 14, 13 dhe 12 vjet burg. Në total, të akuzuarit u dënuan me 746 vjet burg dhe 7 burgime të përjetshme.

Aktgjykimin më vonë e konfirmoi Gjykata e Apelit, ndërkaq tani është në duart e Supremes, e cila është gjykata më e lartë në vend.

Supremja ka mundësi që ta rikthejë rastin në rigjykim apo të kërkojë rishqyrtim të rastit, ndërkaq në rast se e konfirmon aktgjykimin, për të akuzuarin “mbyllen dyert” për kërkim të drejtësisë brenda Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht ata më pas mund të ankohen vetëm në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Për më shumë rreth rastit lexo: DOSJE: 6 vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, ende asgjë nga hetimi ndërkombëtar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button