PSE FINANCOHEN FESTIVALET TEATRORE?

Festivalet teatrore te ne, pa dyshim që janë “produkte” të subjekteve politike që drejtojnë qeveri, të cilët, përmes marionetave teatrale, zhvillojnë propagandë për “efikasitet politiko-kombëtar” të koalicionit qeverisës! Natyrisht, është aktivitet që kushton shumë dhe që paguhet shumë! Të kushtueshme janë sidomos festivalet që thërrasin trupa teatrore nga jashtë vendit! Të pagueshme janë, sepse si “produkte qeveritare” vjelin financa nga të gjithë organet qeveritare si dhe nga drejtoritë qoftë të eshalonit të dytë e tretë, qoftë të pushtetit lokal! Njerëzit po bëjnë shtëpia nga një festival!

Këto festivale do të organizohen nga një “OJQ” e cila asnjëherë nuk jep llogari për punën që ka zhvilluar, asnjëherë nuk kontrollohet, asnjëherë nuk ndërrohet bordi, as udhëheqja, nuk u kërkohet procesverbale nga mbledhjet ku sjellin edhe “vendime” të ndryshme, thjesht, nga OJQ të mirëfilltë shndërrohen në një tezgë që sjell përfitime të majme, e cila ndahet në disa pjesë, gjithsesi edhe në pjesën që e marrin sekserët e që e ndajnë bashkë me ata që japin financa! Kështu shkon! Kulturë bëhet sa për t’u pasuruar matrapazët dhe jo për t’u përforcuar ky taban i identitetit etnik.

Politikat kulturore të një shteti serioz dhe të një shoqërie të pjekur mund të lejojnë që të organizohen festivale kombëtare e ndërkombëtare, por ekskluzivisht nën menaxhimin e teatrove si institucione nacionale, të cilët kanë mundësi të ndryshme logjistike! Natyrisht, mund të organizojnë edhe OJQ-të, produksionet e ndryshme teatrore, por vetëm me program e projekt që shkon përtej organizimit të festivalit tre-katër ditor një herë në vit!

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë me bollëk festivale teatrore, gati në të gjitha qendrat e mëdha mbahen festivale të tilla (Kumanovë, Shkup, Tetovë, Dibër etj)! Çka përfitojnë organizatorët e çka shoqëria shqiptare, sidomos komuniteti teatërdashës? Të parët fitojnë mirë, të dytët asgjë! Të parët shesin demagogji, të dytët varfërohen kulturalisht. Manipulimi me vlera kulturore është punë mediokrish!

Një OJQ apo produksion, që mrizon rrafsh një vit për t’u aktivizuar nja dy-tre ditë sa do të zgjasë “festivali teatror” kombëtar apo ndërkombëtar, duhet të përjashtohet nga të qenët hisedar i buxhetit shtetëror. Një OJQ apo produksion i mirëfilltë dhe profesional, deri në mbajtje të festivalit gjatë vitit do të organizonte një sërë aktivitetesh, duke filluar nga takimet seminarike tipike, workshope stinore e deri te prezantimet dhe debatet mbi prurjet e reja teatrale nëpër botë. Kjo po që është angazhim për ta informuar komunitetin, për të “abdejtuar” me të rejat nga skenat teatrale si dhe për të qenë në koherencë me kahet dhe zhvillimet bashkëkohore teatrale në vend, në rajon e më gjerë.

OJQ-të apo produksionet që merren me organizim të festivaleve teatrale duhet që me të tilla aktivitete t’u paraprijnë festivaleve, kurse për këtë duhen projekte, për të cilat pa dyshim që duhet të sigurohen financa! Për të tilla aktivitete Ministria e Kulturës duhet të jetë duarshlirë. Ministria financon një festival, kurse nga ana tjetër, organizatorët e sigurojnë edhe pesëfishin e financave të ndara nga ministria, duke kërkuar nga komunat shqiptare, nga drejtoritë që udhëhiqen nga shqiptarët, nga korporatat e ndryshme etj. Me financat e ministrisë mbahet festivali, po paratë e tjera nga sponsorë e donatorë të fuqishëm, ku shkojnë ato para? Në kulturë jo njëherë, ndërsa në xhepat e “përfituesve kulturorë” (akronim i “përfituesve luftarakë”) gjithsesi që po! I inspektuar edhe ky “aktivitet financiar” patjetër që duhet të raportohet në Ministrinë e Kulturës që kjo ministri pastaj, të dijë se me sa ta financojë një festival apo ta përjashtojë fare nga buxheti i ministrisë! Ndryshe, në tallje të opinionit në emër të kulturës do të përfshihet edhe ky dikaster qeveritar dhe me këtë i gjithë pushteti!

Burimi: Hejza

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button