Gjykata Administrative konfirmoi vendimin e Qeverisë që të anulohet koncesioni për minierën “Ilovica – Shtuka”

Gjykata Administrative ka hedhur poshtë padinë e kompanisë “Euromax resources” dhe ka konfirmuar vendimin e Qeverisë që t’i merret koncesioni Ilovica 6 për minierën për bakër dhe ari “Ilovica – Shtuka”. Gjykata ka vendosur në tetor, pasi paraprakisht Gjykata e Lartë Administrative ka kthyer prapa procedurëd. Gjykata Administrative ka hedhur poshtë padinë e kompanisë kanadeze si të pabazë, pas çka “Euromax” në nëntor ka dorëzuar ankesë të re në Gjykatën e Lartë Administrative, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

“Padia e paditësit “Euromax resources” është dorëzuar kundër vendimit të Qeverisë të datës 16.12.2019, ndërsa në bazë të së njëjtës është sjell edhe vendim nga Gjykata Administrative më 5 tetor të këtij viti, me të cilin padia e paditësit refuzohet si e pabazë. Kundër vendimit të Gjykatës Administrative është deklaruar ankesë nga paditësit në Gjykatën e Lartë Administrative më 11 nëntor 2021, e cila është dërguar në organin e paditur në përgjigje. Pas kompletimit të lëndës, e njëjta do të dërgohet në Gjykatën e Lartë Administrative për procedurë të mëtejme dhe vendim”, informuan nga Gjykata Administrative.

Aktivistët e organizatës qytetare “Lugina e shëndetshme” janë të kënaqur nga vendimi i gjykatës.

“Shpresojmë se ky është rrethi i fundit i vendimeve dhe se rasti do të përfundojë, ndërsa “Euromaks” përfundimisht do të largohet nga vendi ynë. Ne mbetemi me qëndrimin se minierë nuk do të ketë”, thonë nga “Lugina e shëndetshme”.

Nga kjo organizatë theksuan se i japin mbështetje të gjithë popujve ballkanik që përballen me luftën e njëjtë.

“Populli fitoi në Rumani dhe i largoi minatorët nga Rosija Montana, me vite i bllokoi minatorët në Greqi, u ngritën kundër minatorëve në Serbi. Ne në Maqedoni tash më me vite jemi të zgjuar dhe i bllokojmë me të gjitha mënyrat në dispozicion dhe nuk e kemi ndërmend të lëshojmë pe, posaçërisht sepse projekti i Euromaks i tejkalon të gjithë projektet e tjera minerare të Ballkanit me parametrat ndotës dhe kapacitetin potencial destruktiv”, theksuan nga “Lugina e shëndetshme”.

Kjo është hera e dytë që lënda ku shqyrtohen koncesioni Ilovica 6 do të jetë para Gjykatës së Lartë Administrative. Rasti me minierën në Strumicë në korrik kishte kthesë, pasi gjykata e lartë anuloi vendimin e Gjykatës Administrative me të cilën ishte ankesa e “Euromax resources” për koncesionin e anuluar dhe solli vendim të ketë sërish gjykim në Gjykatën Administrative. Paraprakisht, Gjykata Administrative me vendim në tetor të vitit të kaluar, refuzoi ankesën e kompanisë si të pabazë.

Vendimi më i ri i Gjykatës Administrative i miratuar para dy muajve nuk është publikuar në ueb faqen e gjykatës, edhe pse kompania kanadeze, si obligim për informimin e aksionarëve të saj e publikoi që në fillim të muajit të kaluar. Nga gjykata thonë se nuk e kanë publikuar, pasi në ueb faqe publikohen vetëm vendime gjyqësore në fuqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button