fbpx

Bekteshi: Po shqyrtohen ofertat që kemi marrë për zhvillim të Kodrës së Diellit

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi deklaroi sot, se veç më kanë marrë oferta për zhvillimin e Kodrës së Diellit dhe të njëjtat po i shqyrtojnë, shkruan Portalb.mk.

Ai njoftoi se bëhet fjalë për, oferta për partneritet publiko – privat edhe për oferta të tjera, ndërsa sipas tij, paralelisht me procedurën e zgjedhjes së ofertave, po investohet nga ana e Qeverisë dhe menaxhmentit.

“Komisioni i formuar për zhvillimin e Kodrës së Diellit është në funksion dhe ka rregullisht mbledhje dhe pikërisht këto projekte, këto investimet që u prezantuan dalin nga diskutimet dhe idetë që jepen në atë komision dhe gjithsesi brenda në menaxhmentin të ELEM Tours. Ne veç më kemi disa oferta për Kodrën e Diellit, por jo vetëm për Kodrën e Diellit, në pjesën e qendrave të skijimit dhe zhvillimit të qendrave të skijimit në shtetin tonë. Po shqyrtohen të gjitha mundësitë, po shqyrtohen planet e tyre të biznesit dhe ofertat e tyre. Ndërsa Qeveri serioze dhe menaxhment nuk pret vetëm që të përfundoj ai proces, por paralelisht me atë investon me mundësitë që i ka, me qëllim që ta rris mundësinë e Kodrës së Diellit sepse, Kodra e Diellit është e gjithë qytetarëve të shtetit tonë e posaçërisht e qytetarëve që gravitojnë në kuadër të rajonit të Pollogut”, tha ai.

This slideshow requires JavaScript.

Ministri Bekteshi së bashku me ministrin e Ekologjisë, Naser Nuredini dhe drejtorin e ELEM Tours, Adem Avziu sot vizituan Kodrën e Diellit, me çka edhe paralajmëruan se nga java e ardhshme qendra e skijimit do të lëshohet zyrtarisht në përdorim për turistët.

Si Ministri e Ekonomisë, si Qeveri, çdoherë ELEM tours menaxhment i cili me përkushtim dhe në bazë të dinamikës që e ka paraparë i realizon punimet, qofshin ato infrastrukturore, qofshin ato punime në përmirësimin e shërbimeve për vizitorët, çdoherë do ta kenë mbështetjen tonë dhe në atë mënyrë do të krijojmë një qendër e cila do të konkurrojë me qendrat jo vetëm rajonale, por pse jo edhe evropiane në një të ardhme shumë të afërt

“Edhe pse është vit i pandemisë, me të vërtetë janë bërë punë për përmirësimin e infrastrukturës, përmirësimit të cilësisë së shërbimeve që ofrohen në Kodrën e Diellit. Nëse vazhdohet me punë të këtillë, Kodra e Diellit por edhe qendrat e tjera mund të bëhen më konkurruese në rajon dhe në atë mënyrë do të tërheqin turistë. Ne do të vazhdojmë me masat për tërheqjen e turistëve të huaj, por do t’i ndihmojmë edhe turistët vendorë që të nxitet turizmi vendorë në vitin e ardhshëm. Në mënyrë direkte apo indirekte përmes përmirësimit të shërbimeve të qendrave tona turistike do të ndikojmë në zhvillimin ekonomik dhe lokal, por edhe në zhvillimin rajonal të gjithë rajonit të Pollogut”, deklaroi Bekteshi.

Ndërsa, ministri Nuredini theksoi se ajo që është e rëndësishme është se, sot për herë të parë e shpallëm hapjen qendrën e Kodrës së Diellit si park kombëtar në Malin Sharr.

“Ky është një shembull se si mundemi ne të krijojmë aktivitete ekonomike brenda në zonë e mbrojtjes, në të njëjtën kohë u japim mundësi që qytetarët tanë të vijnë edhe të relaksohen dhe të bëjnë aktivitete të ndryshme. Kjo është e rëndësishme sepse, ky është një shembull se si do ta zhvillojmë parkun kombëtarë në mënyrë të qëndrueshme, me aktivitete dimërore por edhe verore më tutje”, tha ai.

Drejtori Avziu, informoi se, qendra e skijimit e Kodrës së Diellit zyrtarisht do të hapet më 15 dhjetor.

“Sot jemi këtu që të inspektojmë të gjitha çështjet dhe investimet që janë bërë në qendrën e skijimit, përveç kësaj ne sot do të paralajmërojmë edhe lëshim zyrtar të përdorimit të qendrës së skijimit, ajo do të jetë nga data 15-të javën e ardhshme. Gjithashtu, se më 15-të dhe 16-të do të jetë falas për të gjithë skiatorët”, deklaroi Avziu.

Ndryshe, procedura për ndarjen e “ELEM Turs” nga  Elektranat e RMV-së  ende nuk ka përfunduar. Ndërkaq, vazhdon të ngelet e paqartë për opinionin se çfarë po ndodh me investimet në Kodrën e Diellit dhe kush do të jetë investitori të cilit do t’i jepet me koncesion kjo qendër skijimi për 99 vitet e ardhshme, për këtë Qeveria vazhdon të hesht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button