Në Shqipëri u mbajt takimi rajonal për rininë dhe arsimin

Në Tiranë është mbajtur takimi rajonal me fokus rininë dhe arsimin, duke mbledhur së bashku ministra, zyrtarë të tjerë të institucioneve dhe të organizatave të ndryshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi u organizua nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë dhe Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Qeverinë e Shqipërisë, në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë dhe sipas organizatorëve, takimi shërben për të diskutuar mbi politikat rajonale për të rinjtë dhe për të ndarë praktikat e përbashkëta.

Në hapje të takimit, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Qeverinë e Shqipërisë, Bora Muzhaqi, tha se duke punuar së bashku dhe duke bashkuar forcat, mund të arrijnë që të rinjve t’u ofrojnë të njëjtat mundësi me bashkëmoshatarët e tyre në Bashkimin Evropian (BE).

“Kemi diçka shumë të përbashkët. Gjëja që ne kemi të përbashkët është fakti që të rinjtë tanë janë gjithë të motivuar dhe mbi të gjitha kërkojnë shumë nga vetja e tyre. Ne si politikëbërës kemi detyrën që t’i dëgjojmë ata, por mbi të gjitha që komentet e tyre t’i reflektojmë në strategjitë tona dhe në politikat tona”, tha Muzhaqi.

Muzhaqi theksoi se pavarësisht se ndodhen në një vend apo në një tjetër të Ballkanit Perëndimor, të gjithë të rinjtë kanë të njëjtat sfida dhe përballen me të njëjtat problematika.

Albana Tole, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, në fjalën e saj theksoi se takimi rajonal i dedikohet të rinjve, politikave për të rinjtë dhe politikave arsimore për të rinjtë dhe sipas saj është një mundësi për të ndarë eksperiencat.

Duke iu drejtuar të pranishmeve, ajo tha se “Është kënaqësi të ju mirëpresim në Tiranë sidomos sot në një ditë të shënuar për Shqipërinë që është Dita e Rinisë. Prej vitesh Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor po punojnë bashkërisht për të ulur barrierat dhe për të forcuar bashkëpunimin midis vendeve tona. Procesi i Berlinit ka qenë një çati shumë e mirë, por puna duhet të vazhdojë nga vetë ne, si përgjegjës direkt për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit”.

Pjesë e takimit ishte edhe ministrja italiane për Politikat Rinore, Fabiana Dadone, e cila theksoi se të rinjtë janë shumë të rëndësishëm për t’u përballur me gjitha problemet që vendet kanë përpara. Ajo tha se të rinjtë duhet të përfshihen në vendimmarrje dhe vendet të mundohen të hapen sa më shumë.

Më 8 dhjetor në Shqipëri shënohet Dita Kombëtare e Rinisë, që shënohet si festë zyrtare. Kjo ditë është caktuar në nderim të lëvizjes studentore të dhjetorit të vitit 1990 që u bë iniciatore e rënies së komunizmit dhe lindjes së pluralizmit politik në Shqipëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button