NJERIU QË NUK DI TË URREJË

Daim Ilazi, me të cilin na miqësoi letërsia, është njeriu i fisëm që nuk e njeh xhelozinë, urrejtjen dhe smirën. Shpirti i tij është i mbushur me dashuri për njeriun. Ai nuk urren kombe, gjuhë e kultura, as nuk e duron ksenofobinë, sepse e din që kulturat, si sisteme të hapura, pasurohen falë bashkëpërkimeve, kontakteve; pra duke dhënë e huazuar vlera.

Frankofoni Daim Ilazi, për këtë qëllim, e themeloi në vitet 90-të Klubin Kulturor Francez në Tetovë. Aty ftoi poetë e personalitete nga bota frankofone. Njëherësh, poetëve dhe politikanëve shqiptarë u krijoi kontakte me personalitete europiane. Këtë mision e vazhdoi edhe si diplomat.

Daim Ilazi është poeti në diplomaci, por jo edhe diplomati në poezi. Diplomatit i duhet dija për letërsinë dhe poezinë, kurse poezisë nuk i mjafton diskursi i diplomatit. Si poet ai nuk flet me diskursin e diplomatit, por me atë të poetit. E thotë hapur dhe me ekspresivitet atë që ia dikton shpirti.

Daim Ilazi ka lindur në vitin 1954, në Zhelinë – një vend i përmendur në disa karta mesjetare. Gjatë periudhës osmane Zhelina është e përmendur për konakët e veçantë, për hanet që vizitoheshin nga udhëpërshkruesit e huaj ose për udhën e madhe që e lidhte Pollogun me Shkupin e prej aty me Selanikun dhe Stambollin. Pozicioni gjeografik ua mundësoi banorëve të Zhelinës dhe Pollogut që ta njihnin “botën tjetër”. Banorët e Pollogut kanë prirje për udhëtim. Këtë veçanti e përmendin disa udhëpërshkrues, veçanërisht në shekujt XIX dhe XX. Duke udhëtuar njihnin jo vetëm hapësira gjeografike, por edhe kultura të ndryshme.

Zhelina është vend i bukur, me pamje të hapur, me njerëz punëtorë e të shkathët, të cilët nuk e humbin kohën me ankesa. Ata nuk i nënshtrohen fatit, por duan që fatin e tyre vetë ta vizatojnë në fletoren e madhe të jetës. Njëkohësisht, e ruajnë një liri të brendshme edhe në kohëra të zymta.

Në këtë katund të rrafshët dhe të bukur të Pollogut e kaloi fëmijërinë Daim Ilazi. Aty e kreu shkollën fillore, kurse të mesmen në Tetovë. Kulturalisht, intelektualisht dhe profesionalisht u formua në Zagreb, ku në vitin 1979 u diplomua për arkeologji dhe për gjuhë frënge.

Zagrebi ishte njëra nga qendrat më të hapura kulturore dhe arsimore në bllokun lindor. Aty botoheshin librat e autorëve të ndaluar në shtetet tjera të bllokut komunist. Aty studionin të rinj dhe të reja vendesh të ndryshme.

Në këtë qytet Daim Ilazi lidhi miqësi edhe me njërin prej poetëve më të mëdhenj kroat, Miroslav Kërlezhën.

Daim Ilazi u rikthye në Tetovë me disa diploma: të arkeologut, profesorit të gjuhës frënge dhe me diplomën e qytetarisë. Nga një ish – provincë austro – hungareze ai u rikthye në ish-provincën osmane. Nga një gjendje kulturore u rikthye në një gjendje tjetër kulturore. Në Tetovë punoi si profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge për më shumë se dy dhjetëvjeçarë.

Tetova është përshkruar prej kronistëve si qytet i pasur, i bukur,  i zhytur në gjelbërim, me ujë bilur dhe ajër të pastër, por përshkrimet kanë mbetur nëpër shënime dhe kronika të moçme, për sa kohë gjendja e sotme është ndryshe.

Tetova, sipas Ashik Çelebiut nga Prizreni, ishte qendër kulturore ku jetonin poetë që shkruanin poezi të bukura. Nga ky qytet e kishin origjinën shumë poetë të njohur në Perandorinë Osmane, duke filluar nga shekulli XVI, sikurse fatkeqi Muid me jetë të ngjashme si të Ovidit. Nga Tetova ishin Sexhvedi dhe i krisuri Ibrahim Tului. Pastaj, një tjetër i veçantë, i cili pasi e braktisi postin e vezirit iu përkushtua lutjes dhe meditimit. Ai është Sersem Ali Dede, miku i fëmijërisë së Sulltan Sulejmanit, vëllai i sulltaneshës Mahidevran, i cili në Tetovë e ndërtoi teqenë që përmendet nga shumë autorë europianë. Kjo teqe, që u vizitua nga shumë udhëpërshkrues, poetë e shkencëtarë, që kishte një bibliotekë të pasur, ishte bërë qendër e nacionalizmit shqiptar, siç thotë Brailsfordi.

Nga ky qytet është mësuesi i parë i Sami Frashërit, myderrizi Mahmut Efendi Tetova, i cili eruditit të Rilindjes Kombëtare ia mësoi gjuhët arabe, perse dhe turke.

Në këtë qytet krijuan poetët: Murat Isaku, Abdylazis Islami, Sadudin Gjura, Mustafa Laçi, Nexhat Pustina, Ramadan Sinani e shumë të tjerë pas tyre.

Kur Daim Ilazi u rikthye në Tetovë, e cila për shkak të rrethanave historike e politike kishte mbetur shumë pas në planin arsimor e kulturor, i vu vetes si mision që, nga pozita e mësimdhënësit, të reflektonte te nxënësit jo vetëm me dijen dhe kulturën e tij, por edhe me mënyrën e sjelljes, me stilin allafrënga, atë perëndimor. Daim Ilazi e dinte se arsimimi e krijon individin e lirë. Apo, sikurse tha Sokrati: “Nëse në Athinë nuk do të kemi bukëpjekës, atëherë do na mungojë buka. Nëse nuk do të kemi këpucëtarë, atëherë nuk do të kemi këpucë. Por, nëse nuk do të kemi mësues, atëherë nuk do te kemi athinjotë”.

Daim Ilazi punoi me përkushtim që Tetova të kishte njerëz me vetëdije kritike e urbane; të kishte njerëz të ditur dhe të ngritur kulturalisht, siç i kishte pasur përherë. Ai e dinte se një komb i përparuar ka nevojë edhe për histori kulture dhe jo vetëm për histori lufte.

Daim Ilazi është shqiptari dhe europiani i mirë që nuk e fsheh mendimin e tij. Ai është qenie dialogjike, tolerante. Është intelektuali me vetëdije kritike që e pranon shumësinë e stileve të jetesës, të mendimeve, të ideve…

Daim Ilazi u dallua edhe si diplomat karriere. Kjo karrierë iu mundësua falë njohjes së frëngjishtes, kroatishtes, gjermanishtes, anglishtes dhe turqishtes. Gjatë misioneve diplomatike krijoi miqësi me njerëz të shquar, e afirmoi kulturën shqiptare dhe orientimin tonë perëndimor. Kjo është shumë domethënëse, veçmas kur i kemi parasysh paragjykimet për shqiptarët dhe ballkanasit, tepër të pranishme në botën perëndimore dhe jo vetëm, ku deri vonë Ballkani është quajtur “zonë përtej kulturës europiane” ose “Europa tjetër”.

Përgjatë një periudhe 22 vjeçare ai shërbeu si konsull në Bern (1995 -1990), si këshilltar ambasade në Paris (2002 – 2006), ministër – këshilltar në Bruksel (2011 – 2013) dhe Ankara (2019-2021). Është dekoruar edhe nga Qeveria e Francës me medaljen “Kalorësi i Palmës Akademike”

Daim Ilazi ka kontribuar edhe në sferën kulturore. Ishte themelues dhe president i Klubit Kulturor Francez, që shënoi shumë aktivitete përgjatë viteve 1991 – 1994. Ishte anëtar bordi i festivalit “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, pjesëmarrës në festivale poetike kombëtare e europiane, por edhe njëri nga themeluesit dhe nënkryetar i Shoqatës “Oeneum” në Tetovë.

Ai është autor i gjashtë librave me poezi dhe një libri publicistik. Ka botuar edhe librin poetik në frëngjisht e shqip me titullin: “Marrëzi ballkanike – Folie Balkanique” dhe librin shqip e maqedonisht: “Bie shi në Tetovë – Vo Tetovo vrne dozhd”. Ka fituar çmimin “Euro – Frankofone”, në Paris, më 2006. Është prindi i tre fëmijëve dhe tani jeton në Tetovë.

Si poet është shpirttrazuar. Poezia e tij rrezaton dashuri për njeriun. Ai është adhurues i rendit dhe paqes në botë. Natyra e tij e fisme e kërkon të bukurën si kategori estetike dhe të mirën si kategori etike. Kjo ndjeshmëri haset në librin poetik “Në Tetovë bie shi” – një përzgjedhje nga opusi i tij letrar.

Në krijimtarinë e tij letrare bie në sy stili dhe ndjeshmëria e njëjtë poetike. Poezia e Daim Ilazit është ekspresive, zakonisht me tone kritike kundrejt dukurive që ndodhin me ne dhe rreth nesh.

Daim Ilazi është adhurues i vlerave poetike europiane, veçanërisht i vlerave që vijnë nga sistemi kulturor francez. Kultura franceze ka ndikuar edhe në formimin kulturor të tij.

Ai e do edhe vendlindjen dhe shkruan poezi për të, pavarësisht se ajo di të bëhet ngulfatëse për një shpirtlirë dhe kërkimtar. Me këtë rast nuk shërbehet me diskurs patetik. Ai e do vendlindjen ndryshe nga çfarë është në të vërtetë. E do më të lirë, më të hapur, më kreative.

Daim Ilazi shkruan për simbolet kryesore të vendlindjes: për Kalanë e Tetovës, për lumin Shkumbin, kurse nëpërmjet reminishencave e rikthen një botë tjetër, atë të fëmijërisë dhe rinisë së tij.

Ai shkruan edhe për tragjedinë ballkanase, për Sarajevën, Srebrenicën, Bllacën, Reçakun – pra, për njollat e zeza jo vetëm në ndërgjegjen serbe, por edhe ballkanase dhe europiane.

Për të Ballkani është vend pa pranverë, me errësirë mortore, me flamuj të zi që i mbulojnë shtëpitë dhe me varreza masive që, siç thotë në një varg, janë “kryefjalë lajmesh botërore”.

Ai shkruan edhe për Aushvicin – këtë simbol të krimit, çmendurisë dhe shpërfytyrimit njerëzor.

Ai shkruan për Guernikën – këtë “mozaik trishtimi” dhe derisa e sodit pikturën e Pikasos “bota i duket e zbrazur”.

Ai shkruan për Parisin, këtë qytet poetësh, mendimtarësh, personalitetesh të artit, kulturës, letërsisë dhe politikës.

Ai shkruan edhe për “Varrezat e Parisit” – aty ku prehen emra të mëdhenj të historisë kulturore të Europës. Aty bashkëbisedon me hijet e gjenive.

Ai shkruan edhe për vetminë. Në një varg thotë: “I fuqishëm jam në vetmi”. Vetmia është “habitati” që i duhet poetit.

Janë të veçanta poezitë e dashurisë: “Kudo shkruaj emrin tënd”, “Më thuaj diçka me zë të ulët”, “Një herë” etj

Shkruan edhe për ligësitë që ia zënë frymën botës sonë; për përplasjet e mëdha, traumat, ankthet ekzistenciale të kohës sonë.

Ai beson te forca e dashurisë dhe falë saj ndjehet mbret. Një mbret që dëshiron t’i pushtojë zemrat e njerëzve pa i lënduar ato.

Njeriu i kohës sonë, i joshur nga materialja, nga e dobishmja, praktikja, pragmatikja, ka harruar të dashurojë. Ose: dashurinë e ka nxjerrë në plan të dytë. Kjo gjendje është e papranueshme për Daim Ilazin, këtë poet e njeri që nuk di të urrejë, që e do artin, veçanërisht poezinë.

Ai, së fundmi, ka shkruar libër për laureatët e Çmimit Nobel për letërsi, ku i thekson jo vetëm virtytet, por edhe veset e shkrimtarëve që janë “më normal se normalët”, siç thonë estetët.

Mikut tim i dëshiroj shëndet, më shumë frymëzim, më shumë dritë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button