fbpx

Më shumë se gjysma e banorëve të BE-së janë të shqetësuar për krimin kibernetik dhe sigurinë në internet

Sipas një sondazhi të veçantë të kryer në shtator dhe tetor 2021 nga Eurobarometer, shumica e banorëve të BE-së mendojnë se interneti dhe veglat digjitale do të luajnë rol të rëndësishëm në të ardhmen. Për më tepër, një shumicë e madhe e sheh të dobishme që Bashkimi Evropian të përcaktojë dhe promovojë të drejta dhe parime evropiane ashtu që të sigurohet një transformim i suksesshëm digjital, transmeton Portalb.mk.

Rëndësia e teknologjive digjitale në jetën e përditshme

Gjetjet e sondazhit tregojnë se më shumë se tetë nga dhjetë qytetarë të Evropës (81%) mendojnë se deri në vitin 2030, veglat dhe mjetet digjitale si dhe interneti do të kenë rëndësi të madhe në jetën e tyre. Më shumë se 80% e qytetarëve të BE-së mendojnë se përdorimi i tyre do të sjellë të paktën po aq përparësi sa dhe dëme. Ndërsa vetëm një numër i vogël (12%) pret më shumë dëme sesa përfitime nga përdorimi i mjeteve digjitale dhe internetit deri në vitin 2030.

Shqetësimet për dëmet dhe rreziqet në internet

Më shumë se gjysma (56%) e qytetarëve të BE-së të anketuar shprehën shqetësimin e tyre për sulmet kibernetike dhe krimet kibernetike si vjedhja ose keqpërdorimi i të dhënave personale, softueret e dëmshme, viruset, ‘phishing’, etj. Përveç kësaj, më shumë se gjysma (53%) e tyre gjithashtu shprehën shqetësime për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në internet, dhe afër gjysma (46%) e qytetarëve të BE-së shqetësohen për përdorimin e të dhënave dhe informacioneve të tyre personale nga ana e kompanive private ose nga administrate e shtetit.
Rreth një e treta (34%) e qytetarëve të BE-së shqetësohen për vështirësinë e shkëputjes nga interneti dhe gjetjes së një ekuilibri të mirë mes jetës online dhe asaj offline, ndërsa rreth një e katërta e tyre (26%) janë të shqetësuar nga vështirësia e të mësuarit të aftësive të reja digjitale të cilat janë të nevojshme për të marrë pjesë në mënyrë aktive në shoqëri. Së fundi, rreth një e pesta (23%)e  qytetarëve të BE-së shprehën shqetësimin e tyre për ndikimin që kanë në mjedisin jetësor produktet dhe shërbimet digjitale.

Nevojë për më shumë dijeni për të drejtat në internet

Sipas rezultateve të sondazhit, shumica e qytetarëve të BE-së mendojnë se BE-ja i mbron mirë të drejtat e tyre në internet. Megjithatë një numër i konsiderueshëm (pothuajse 40%) i qytetarëve të BE-së nuk janë të vetëdijshëm se të drejtat e tyre si liria e shprehjes, privatësia, mos-diskriminimi dhe të tjera, duhet të respektohen njësoj si në internet ashtu edhe në jetën fizike/reale. Ndërkohë që një pjesë e madhe e qytetarëve të BE-së e konsiderojnë të dobishme dhe të domosdoshme të mësojnë më shumë për të drejtat e tyre në internet.

Hapat e ardhshme

Gjetjet e këtij studimi të parë të Eurobarometer do të ndihmojnë në zhvillimin e propozimit për një deklaratë evropiane mbi të drejtat dhe parimet digjitale të Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit Evropian. Deklarata do të promovojë një tranzicion digjital të bazuar dhe formësuar nga vlerat e përbashkëta evropiane dhe nga një vizion i cili në qendër të ndryshimit teknologjik ka njeriun.

Ndryshe, ky studim u realizua nga 16 shtatori deri më 17 tetor 2021 përmes intervistave në internet dhe, aty ku ishte e mundur, edhe sy më sy. Janë intervistuar 26,530 të anketuar nga 27 shtetet anëtare të BE-së.

Më tepër detaje mund të gjeni këtu: Digital rights and principles – December 2021 – – Eurobarometer survey (europa.eu)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button