Sfidat e shumicës së re parlamentare në RMV: procesi eurointegrues dhe menaxhimi i krizës me pandeminë dhe energjetikën

Me nënshkrimin e marrëveshjes me Alternativën, Qeveria më në fund ka siguruar shumicë parlamentare prej 64 deputetësh, duke i dhënë fund të në këtë mënyrë krizës politike në vend, e cila u krijua pas zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. Me këtë, është qartësuar skena politike në vend, ku pas dështimit të mocionit të besimit të Qeverisë, edhe pushteti edhe opozita kishin nga 60 deputetë, shkruan Portalb.mk.

Kjo shumicë parlamentare, sipas deklaratë të përfaqësuesve të saj, do të synojë të punojë për zgjidhje të sfidave serioze aktuale, siç janë sigurimi i vazhdimësisë dhe epilog të suksesshëm të procesin për fillim të negociatave për anëtarësim në BE, përkatësisht gjetjen e zgjidhjes për kontestin me Bullgarinë, përballja me pandeminë dhe krizën globale energjetike.

Kryeministri Zoran Zaev, pretendon që shumica mund të rritet në 66, por nuk ka qartësuar se kush është subjekti potencial për t’iu bashkuar shumicës së re parlamentare.

“Momentalisht jemi 64 deputetë të konfirmuar, besoj se shumica parlamentare mund të arrijë edhe në 66, për atë duhet të vendosin deputetët”, tha Zaev pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Madje, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka komentuar se shumica qeveritare mund të arrijë në 70 deputetë.

Portalb.mk ka kërkuar përgjigje nga LSDM nëse po zhvillohen negociata me Lëvizjen Besa apo ndonjë subjekt tjetër politik, që do të mund t’i bashkohen shumicës aktuale, sipas paralajmërimeve të Zaevit, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje. As nga Lëvizja Besa nuk kanë qenë të kapshëm për Portalb.mk.

Edhe pse, deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi dje ka marrë pjesë në mbledhjen e kryeministrit Zaev me partnerët e koalicionit, ende nuk është bërë e qartë nëse shumicës së re do t’i ribashkohen edhe deputetët e tjerë të Besës.

Nga ana tjetër, deputeti i ASH-së, Elmi Aziri, në konferencën e djeshme për media, në pyetjen nëse, pas prishjes së koalicionit me Alternativën, grupit të tyre parlamentare do t’i bashkangjiten deputetët e Besës, tha se tani për tani, ASH do të funksionojnë si subjekt i veçantë politik opozitar.

Ndërkohë, marrëveshja me Alternativën për hyrje në Qeveri, ka nxitur reagime te partnerët e tjerë të koalicionit, të cilët kanë thënë se kjo parti edhe pse ka katër deputetët ka  10, 15 apo 20 herë më shumë se sa partnerët e deritanishëm të koalicionit, në mbledhjen e djeshme me kryeministrin Zaev ata kanë shprehur mbështetjen e tyre për shumicën e re, duke thënë se është në interes të shtetit që të vazhdohet procesi i reformave dhe kursi euroatlantike, ndërsa kanë vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do t’i dëmtonin këto procese.

“Në plan të dytë do të bjerë gjithçka edhe reformat që veç më kanë filluar edhe integrimet evropiane nuk do të jenë më as temë. Do të jetë temë kush çfarë pozicione do të marrë në Qeveri, partitë parlamentare mes vete do t’i harmonizojnë qëndrimet. Askush nuk garanton edhe nëse vjen në parlamentare të parakohshme nëse do të kemi qeveri stabile që do të ketë kurs stabil demokratik me reformat në shtet dhe me integrimet euroatlantike. Duke u nisur nga ai pozicion mendoj se është mirë që rritet shumica parlamentare me edhe katër deputetë”, tha lideri i PRSD-së, Tito Petkovski, pas kësaj mbledhje.

Kujtojmë se, pas paralajmërimit për dorëheqje të Zaevit, vendi u fut në krizë politike, pasi Pas kësaj, opozita maqedonase dorëzoi iniciativë për votim të mosbesimit të Qeverisë, ndërsa në listën e kësaj iniciative ishin nënshkruar edhe deputetët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Lëvizjes Besa dhe “Të majtës”, me çka ishin siguruar 61 deputetë për rrëzim të Qeverisë. Megjithatë, deptueti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi nuk u paraqit në seancën ku duhej të diskutohej dhe të votohej për mosbesimin e Qeverisë, me çka opozita nuk arriti të sigurojë kuorum as për të filluar seancën dhe me këtë, mocioni dështoi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button