Në Shtip do të ndërtohet park diellor për prodhimin e energjisë elektrike

Në hapësirën ku ishte paraparë të jetë aeroporti i mallrave në Shtip, do të bëhet park diellor për prodhimin e energjisë elektrike. Bëhet fjalë për investim direkt francez greenfield i kompanisë “Akio Energy”. Siç tregoi kryeministri Zoran Zaev, parku diellor “Stipion” do të jetë një nga më të mëdhenjtë në Evropë me kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike nga 360 deri në 400 megavat, transmeton Portalb.mk.

“Kompania ‘Akio Energy’ me ndërtimin e parkut diellor ‘Stipion’ si dhe ‘VPD’ gjermane që investon në parkun e ri me erë ‘Virovi’ do t’i japin stimul të ri ekonomisë sonë, me angazhimin e fuqisë punëtore të vendit, kuadrove të rinj, të cilët të ardhmen e tyre e shohin në kompani të tilla moderne. Kjo qeveri, si asnjë tjetër më parë, investon në energji dhe krijon mjedis për investime në burimet e rinovueshme të energjisë dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore, diellit, erës dhe ujit për prodhimin e energjisë elektrike. Sipërmarrësia në energji për mbi 30 vjet është neglizhuar, kurse investimet janë reduktuar në minimum”, tha Zaev.

Ambasadori i Francës, Cyril Bomgartner tha se ky është investimi më i madh francez në vend në pesëmbëdhjetë vitet e fundit dhe shtoi se dhjetëra kompani franceze, secila prej tyre e njohur ndërkombëtarisht, aktualisht po punojnë për pozicionin e tyre në tregun maqedonas.

“Ky park diellor do të jetë më i madhi i ndërtuar ndonjëherë në këtë rajon të Ballkanit Perëndimor. Ky investim është gjithashtu i një rëndësie të madhe strategjike, pasi do të kontribuojë në forcimin e pavarësisë energjetike të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që do të ndihmojë vendin që të hyjë në rrugën e saj ambicioze evropiane për reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit”, tha ambasadori Bomgartner.

Eric Scott, kru i kompanisë Akio Energy nga Franca, tha se investimi i vlerësuar pritet të jetë rreth 270 milion euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button