Punët që e presin ministrin e Alternativës në Shoqërinë Informatike dhe Administratë

Partia Alternativa do të udhëheqë me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, ndonëse nuk dihet zyrtarisht se kush do të jetë pasuesi i Jeton Shaqirit nga BDI. Sipas marrëveshjes për partneritet qeveritar, Alternativa ka pranuar që të mos ndryshohet programi qeveritar, por të plotësohet. Me marrjen e kësaj ministrie, Alternativa do të duhet që punën e saj në këtë resor ta fokusojë në reformat në administratën publike, të cilat vazhdimisht premtohen, por vazhdojnë të jetë në shënjestër të kritikave, shkruan Portalb.mk.

Reformat në administratë për Maqedoninë e Veriut, përveç që janë nevojë për qytetarët, ata janë edhe kusht për integrimin e vendit në BEMinistria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) është bartësi i procesit reformues, gjegjësisht ajo ka hartuar Strategji për Reformën e Administratës Publike 2018–2022 e cila i përcakton masat të cilat duhen të ndërmerren në pesë vite për të arritur qëllimet e përgjithshme dhe specifike të përcaktuara në secilën prej fushave prioritare.

Portalb.mk u ndal te dy fushat më të mëdha të cilat përfshijnë një sërë aktivitetesh gjegjësisht, digjitalizimin dhe procesin e riorganizimi dhe optimizimit të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve të inspektimit.

Riorganizimi dhe optimizimi i administratës

Maqedonia e Veriut ka numër të madh të të punësuarve në administratën publike, por edhe numë të madh të institucioneve, për këtë në letrën mandatuese që kryeministri Zaev ia ka dërguar ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri në pikat e para të detyrave që ia ka caktuar e përmend këtë proces.

“Në bashkëpunim me Qeverinë dhe institucionet kompetente, të vazhdojmë me procesin e riorganizimit dhe optimizimit të organeve të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve të inspektimit; Të zvogëloni vëllimin e të punësuarve në sektorin publik me 20%, duke bashkuar funksionet dhe kompetencat e institucioneve, daljen në pension në moshën 64 vjeçare (me përjashtime për personelin dhe profesionet deficitare), paketat për transferim në sektorin privat ose pension të parakohshëm, etj.”, shkruhet në letrën mandatuese.

Ky proces u premtua që prej vitit 2017-të kur në krye të kësaj ministrie ishte Damjan Maçevski, Filloi në vitin 2019-të dhe do të zgjatë 3 vite.

Pasardhësi i Shaqirit do të duhet që të vazhdojë me procesin. Paraprakisht janë zbatuar analiza fillestare dhe mapimi i institucioneve dhe kornizës ligjore, me mbështetje prej donatorëve tjerë. Projekti ka buxhet prej 1.7 milionë euro, në kuadër të projektit IPA, gjegjësisht financimi është siguruar tërësisht prej parave të Komisionit Evropian.

Derisa procesi i riorganizimit dhe optimizimit nuk ka përfunduar, numri i të punësuarve dhe institucioneve vazhdon të jetë ndër problemet kryesore të sektorit publik. Sipas raportit të regjistrit  të të punësuarve në sektorin publik për vitin 2020, të cilin e ka përgatitur Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, numri i të punësuarve në sektorin publik është zvogëluar për 1.717 në krahasim me vitin e kaluar, ndërkaq numri i institucioneve është rritur për 8, gjegjësisht, 131.183 të persona janë të punësuar në 1.322 institucione.

Në kuadër të premtimeve për zvogëlim të numrit të të punësuarve në administratë, parashihej edhe  projekti për transferim të të punësuarve prej sektorit publik në atë privat. Pavarësisht se i njëjti është premtuar që nga viti 2019-të kur me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) udhëhiqte Damjan Mançevski, i njëjti ende nuk ka filluar. Këtë projekt më pas e premtoi dhe ministri Jeton Shaqiri. MSHIA nuk jep të dhëna se çfarë kanë bërë me këtë projekt, ndërkaq Sindikata e Administratës theksoi se ata askush s’i ka kontaktuar në lidhje me këtë projekt prej kur është votuar qeveria “Zaev 2”, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut të vitit 2020. Edhe në uebin e MSHIA-s s’mund të gjendet asnjë aktivitetet në lidhje me këtë projekt.

Digjitalizimi i shërbimeve 

Digjitalizimi i shërbimeve, padyshim që është në dobi dhe interes të qytetarëve, shtetit, por gjithashtu edhe i domosdoshëm për atje ku synojmë të integrohemi, BE. Hulumtimet tona paraprake kanë dëshmuar dhe treguar se rezultatet nga raportet, analizat, apo anketat e institucioneve ndërkombëtare apo të brendshme, por edhe OJQ-ve për administratën e Maqedonisë së Veriut nuk janë vetëm kritika në letër, por problem serioz në përditshmërinë e qytetarëve që enden sporteleve për një dokument të caktuar.

Ministri i ri duhet që të vazhdojë me procesin e themelimit të Agjencisë Digjitale, e cila sipas paralajmërimit të Jeton Shaqirit, pritet të ndodh gjatë vitit 2022 dhe ky institucion parashihet të jetë menaxhuesi kryesor i çështjeve të digjtializimit.

  • Hulumtimet e Portalbit për shërbimet elektronike mund t’i lexoni: KËTU

Elementi rëndësishëm për digjitalizimin e shërbimeve është digjitalizimi i regjistrave amë, proces i cili ka filluar, por ende nuk ka mbaruar. Pas digjitalizimit të tyre, mund të krijohet mundësia e largimit të disa dokumenteve personale pasi që institucionet do t’i kenë të dhënat në formë elektronike dhe nuk do t’i endin qytetarët për të nxjerrë certifikata. Kjo, mbase është praktikë evropiane, ku një qytetar e ka një kartelë identifikimi dhe me atë i kryen të gjitha shërbimet, qoftë me prani fizike apo elektronike.

Me zbatimin e procesit të digjitalizimit mund të ndihmohet në ndryshimin e perceptimit të qytetarëve i cili është se administrata nuk ofron shërbime efikase, të shpejta dhe cilësore.

MSHIA, vazhdon ta promovojë projektin “Një pikë për shërbime”, që fillimisht u hap salla për shërbime në ish hapësirat e Bankës Komerciale, në afërsi të hotelit “Stoun Brixh”. Këtu, qytetarët në një vend munden që t’i marrin 10 shërbime nga institucionet të ndryshme – Ministrisë së Punëve të Brendshme, Transportit dhe Lidhjeve, Punë dhe Politikë Sociale, Drejtorisë për Librat Amë, Agjencisë për Kadastër dhe Pronë të Patundshme, Agjencisë për Punësim, Drejtorisë për të Ardhurat Publike, Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Regjistrit Qendror. Sportele të tilla ka edhe në disa qytete tjera.

Kishte paralajmërime për vendosje të dokumentomateve nëpër disa institucione, megjithatë, me rekomandim të Qeverisë MSHIA hoqi dorë pasi kapacitetet e saja do t’i përforcojë në “Një pikë për shërbime”.

LEXO: RMV, ministri Shaqiri thotë se aplikacioni për nxjerrjen e dokumenteve nga celulari është gati

Gjithashtu sipas MSHIA-s është gati dhe aplikacioni për identifikim elektronik, i cili sipas autoriteteve, nëpërmjet celularëve, gjegjësisht aplikacionit qytetarët do të kenë mundësi që t’i skanojnë dokumentet personale, letërnjoftimin apo pasaportën. Gjegjësisht aplikacioni nëpërmjet kamerës së celularit do të bëjë identifikimin e personit dhe pastaj i njëjti do të ketë mundësi që të nxjerrë dokumente përkatëse pa pasur nevojë që të shkojë në sportele. Sipas autoriteteve qeveritare, shërbimi i këtillë do të mundësojë zëvendësimin e letrës dhe stilolapsit me dokumente elektronike, nënshkrime elektronike dhe aprovime nëpërmjet telefonave celularë.

Detyrimet dhe obligimet tjera që parashihen t’i përmbushë ministri i ri, mund t’i lexoni më poshtë në letrën mandatuese ku kryeministri Zoran Zaev ia ka dërguar një listë me kërkesa, ministrit të Shoqërisë Informatike, Jeton Shaqiri:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button