Petkovski: Alternativa e ka shfrytëzuar momentin për përfitim politik, por për ne është e rëndësishme vazhdimi i reformave

Alternativa me katër deputetë ka fituar ndoshta 10, 15 apo 20 herë më shumë se sa që kemi ne si partner i deritanishëm koalicioni, tha mes tjetar kryetari i PRSD, Tito Petkovski, pasi së bashku me partnerët e tjerë të koalicionit ishin në takim me kryeministrin Zoran Zaev, që t’i informojë për marrëveshjen e arritur me Afrim Gashin, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, tha Petkovski, për të është më e rëndësishme fotografia e plotë përkatësisht rritja e shumicës dhe mbështetje e sigurt e Qeverisë, si dhe vazhdimi i reformave.

Ai tha se, si parti nuk kërkojnë asgjë në Qeverinë e re, ndërsa për Alternativën vlerëson se e ka shfrytëzuar momentin kur Qeverisë i është dashur mbështetje nga shumica parlamentare dhe ka bërë kërkesa maksimale për përfitim politike dhe jo sepse në vend të parë i ka pasur eurointegrimet.

“Të jem i qartë, nuk kam përshtypje se Alternativa vdes për integrimin tonë me BE-në, përkundrazi kanë shfrytëzuar momentin kur kemi negociata me Bullgarinë, u ka ardhur mirë për ambiciet e tyre politike. Në politikë shihet përmes prizmit të interesit partiak. Që të jem plotësisht i qartë, nuk bëhet fjalë për ruajtjen e interesave shtetërore, bëhet fjalë për preferimin e interesave partiake, të mirret sa më shumë përfitim politik, punësime, funksione etj dhe jo se në vend të parë janë integrimet në BE. Unë atë nuk e vlerësoj si hap korrekt”, tha Petkovski.

Ai theksoi se, nuk do hapen vende të reja funksionare për Alternativës dhe se nuk bëhet fjalë për 40 apo më shumë siç kanë folur më herët, por se kjo parti do t’i marrë vendet e Besës, si dhe pjesë e atyre që do t’i lëshojnë LSDM, BDI dhe PDSH.

Lideri i PRSD-së sqaroi se, nuk është për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse me atë shteti do të hyjë në turbulenca nga ofertat politike, diskreditimet mes politikanëve dhe një atmosferë zgjedhore e cila asnjëherë nuk ka qenë e këndshme.

“Në plan të dytë do të bjerë gjithçka edhe reformat që veç më kanë filluar edhe integrimet evropiane nuk do të jenë më as temë. Do të jetë temë kush çfarë pozicione do të marrë në Qeveri, partitë parlamentare mes vete do t’i harmonizojnë qëndrimet. Askush nuk garanton edhe nëse vjen në parlamentare të parakohshme nëse do të kemi qeveri stabile që do të ketë kurs stabil demokratik me reformat në shtet dhe me integrimet euroatlantike. Duke u nisur nga ai pozicion mendoj se është mirë që rritet shumica parlamentare me edhe katër deputetë”, tha Petkovski.

Mirosllav Jovanoviq nga partia serbe në Maqedoni tha se, konkludimet e mbledhjes me Zaevin janë se programi i pushtetit do të ketë disa ndryshime në pajtueshmëri me marrëveshjen me Alternativën. Edhe ai, si Petkovski në lidhje me pozitat që i merr kjo parti tha se, nuk bëhet fjalë për 40-të pozita, por më pak mes të cilave 12 pozita në bordet drejtuese dhe 10 udhëheqës të njësive rajonale.

Deputeti Enes Ibrahim, i cili është lider i Partisë së Lëvizjes së Turqve, komentoi shkurt se, partia e tij është që të vazhdohet me konceptin “Një shoqëri për të gjithë”.

“Shoh se vitet e fundit ka avancim në pjesën e të drejtave të njeriut, në pjesën e demokracisë dhe besoj se ajo do të vazhdojë. Me konceptin “Një shoqëri” tensionet etnike u bën e kaluar, për ne si parti më e rëndësishme është që koncepti të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe besoj se me mandatarin e ri ajo do të vazhdojë”, tha Ibrahim.

Kujtojmë se, kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi të dielen nënshkruajtën marrëveshjen zyrtare për hyrjen e Alternativës në Qeveri.

ASH dhe Alternativa kanë qenë partnerë të koalicionit dhe kanë garuar së bashku në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale dhe po ashtu, kanë funksionuar si grup i përbashkët parlamentare në Kuvend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button