Varheji: Vonesa në integrimin evropian të Shkupit dhe Tiranës ndikon në besimin ndaj BE-së në rajon

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë arritur shumë në fushën e reformave dhe Brukseli mbështet përpjekjet e tyre, por vonesa në integrimin e tyre evropian ndikon në besimin ndaj BE-së në Ballkanin Perëndimor, tha komisioneri për zgjerim i BE-së Oliver Varhei në Forumin Ballkanik të Sofjes me titull “Koha është që të kthehet besimi” të mbajtur të premten, transmeton Portalb.mk.

Varheji tha se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të zgjidhin çështjet e hapura dhe së shpejti të fillojnë negociatat me Shkupin dhe Tiranën.

“Gjashtëdhjetë e pesë për qind e ekonomisë në Ballkanin Perëndimor është e lidhur me BE-në, gjë që tregon orientimin e tyre logjik”, tha Varhei në paraqitjen e tij online nga Budapesti.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, sipas Varheit, të gjithë duhet të sillen me vendet e Ballkanit Perëndimor, jo si ndaj kandidatëve, por si vende anëtare të BE-së. Vitin e ardhshëm, tha ai, Brukseli do të investojë 30 miliardë euro në rajon, që është një e treta e PBB-së së Ballkanit Perëndimor.

I dërguari i posaçëm i qeverisë maqedonase për Bullgarinë, Vllado Buçkovski, në forumin në Sofje tha se është bërë shumë në fusha të ndryshme, duke theksuar fushën e medias. Ai theksoi dy agjencitë kombëtare të lajmeve, gjegjësisht se MIA ka korrespondent në Sofje, ndërsa BTA për disa ditë do të marrë akreditim për korrespondentin e saj në Shkup.

Ai tha se Maqedonia e Veriut nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë dhe se kjo do të shprehet me notë diplomatike, kurse Shkupi nuk ka ndërmend të ndërhyjë në punët e brendshme të Sofjes. Buçkovski tha gjithashtu se për gjashtë vjet do të ketë tren midis dy kryeqyteteve, duke shtuar se Maqedonia e Veriut do të marrë 200 milionë euro për ndërtimin e pjesës deri në kufirin me Bullgarinë.

Ish-ministri i Jashtëm bullgar Solomon Pasi, ​​i cili kryesonte me një nga panelet, tha se do të blejë biletë për trenin e parë që do të udhëtojë midis Sofjes dhe Shkupit. Ai i bëri thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që të gjejnë zgjidhje të shpejtë, të mirë dhe të qëndrueshme për mosmarrëveshjen midis tyre, duke përmendur se si Maroku dhe Izraeli nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi ushtarak, e cila ishte e paimagjinueshme deri para një viti.

Daniel Kadik nga Rrjeti liberal evropian tha se Rusia dhe Kina po përpiqen të pengojnë integrimin evropian në Ballkanin Perëndimor dhe prandaj të gjithë duhet të punojnë së bashku për të siguruar që integrimi evropian të mos dështojë.

Analisti politik Albert Musliu, nga ana tjetër, theksoi se fuqia e një vendi nuk matet me armatën, por me arritjet moderne të shtetit në fushën e ekonomisë, biznes, kulturë dhe arsim.

Organizator i Forumit ballkanik të Sofjes “Është koha që të rikthehet besimi” është eurodeputeti bullgar Ilhan Kuçuk, i cili është edhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, ti cili gjatë fjalimit kujtoi se sa e brishtë është paqja në pjesë të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, siç është situata në Bosnje dhe Hercegovinë dhe dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Interesi strategjik i Bullgarisë duhet të jetë që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e BE-së”, tha Kuçuk.

Sipas tij, BE-ja nuk mund të jetë lojtar gjeopolitik pasi nuk është lojtar politik.

Në forum morën pjesë ish-ministra bullgarë, deputetë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare të përfshira në proceset rajonale, ambasadorët e Kosovës, Shqipërisë, Turqisë dhe ushtruesi i detyrës së ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Bullgari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button