Taravari: Më vjen keq që Alternativa hyri në Qeveri, kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i ftuar në emisionin “Click Plus” në Tv21, tha se e kanë të vështirë që partneri aktual i tyre në koalicionin Alternativa tu bë pjesë e qeverisë dhe se do të ishte më mirë të ishin bashkë, transmeton Portalb.mk.

“Më vjen keq. Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer me Alternativën. Nëse më pyet nëse e kam të vështirë të mos jemi më bashkë, do të them që po, e kam të vështirë. Dhe më vjen keq që është kështu. Më mirë do të ishte të ishim bashkë, të kishim 12 deputetë dhe të luftonim bashkë për ta hequr BDI-në nga Qeveria. Por ky është vendimi i Alternativës. Le të vazhdojnë kështu. Suksese atyre”, ka thënë Taravari.

Ai gjithashtu komentoi se tani që Alternativa me të cilën kandiduan si koalicion opozitar në zgjedhjet e fundit lokale, hyri në pushtetin qendror, Aleanca për Shqiptarët duhet të marrë postet e drejtorëve në nivel lokal në Shkup, ku fitoi Danela Arsovska, e mbështetur nga koalicioni i tyre dhe nga VMRO-DPMNE.

“Alternativat tashmë janë pjesë e pushtetit qendror. Ata do të menaxhojnë resoret serioze dhe drejtori. Sa i përket pozitave drejtuese në nivel lokal në Shkup, konsideroj dhe mendoj se ato duhet t’i takojnë Aleancës për Shqiptarët. Por le të presim edhe pak. Shpresoj se do të kemi negociata në ditët në vijim dhe do të vendosim se çfarë do të bëjmë më pas”, tha Taravari për Klik Plus.

Lideri i Alternativës, Afrim Gashi, dje në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Zoran Zaev ka bërë të ditur marrëveshjen që kanë arritur për hyrjen e partisë në koalicionin qeverisës. Sipas marrëveshjes, Alternativa do të emërojë tre ministra në qeverinë e re: shëndetësinë, shoqërinë informatike dhe administratën dhe një ministër pa resor i obliguar për diasporë. Alternativa do të emërojë edhe tre zëvendësministra, ndërsa do të marrë përgjegjësi në menaxhimin e disa institucioneve, përfshirë: MEPSO-n, Fondin e sigurimit pensional dhe shëndetësore, Transportin hekurudhor, Qendrën klinike të Tetovës, Agjencinë për investime të huaja etj.

Mbrëmë për marrëveshjen, Zaev informoi edhe partnerët e koalicionit, nga të cilët Tito Petkovski nga NSDP tha se Alternativa e ka shfrytëzuar momentin dhe ka përfituar politikisht nga situata.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button