Për shkak të pluhurit të bardhë në tokë, pastrimi i lindanit në OHIS vonohet

Pluhuri i bardhë që u shfaq në tokë është shkak për vonesën e pastrimit të deponisë së vogël me lindan në OHIS. Kompania greke “Polieko” tashmë i ka filluar punimet përgatitore, për të ngritur çadrën mbi deponinë e vogël nën të cilën duhet të nisë gërmimi i pesticidit kancerogjen. Çadra është 3000 metra katrorë, kurse për momentin po hapen themelet për të vendosur konstruksion metalik rreth deponisë ku ajo do të vendoset. Çadra e specializuar do të jetë e pajisur me njësi të posaçme për filtrim, ndërsa punëtorët do të duhet të mbajnë mbrojtje të posaçme për frymëmarrje, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ekzaminimi i dheut përreth deponisë, në të cilin u zbulua prania e pluhurit të bardhë, është arsyeja për të cilën data e përcaktuar fillimisht punimet ndërtimore në terren për ngritjen e çadrës e shtynë. Mostrat e dheut janë dërguar të analizohen në Institutin e Kimisë pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikore për të përcaktuar përbërjen kimike, si dhe në laboratorin ALS në Çeki.

Foto: Ministria e Mjedisit Jetësor
Foto: Ministria e Mjedisit Jetësor

“Pas kontrollit të dyfishtë dhe verifikimit zyrtar të rezultateve, është përcaktuar një protokoll për ndarjen e dheut në kategori të ndryshme edhe atë nëse ka prani të pluhurit të bardhë, si dhe kontaminim në disa nga pikat e marrjes së mostrave. Tashmë ka filluar gërmimi i themeleve dhe në përputhje me këtë protokoll, si dhe të gjitha rregullat e sigurisë, dheu i gërmuar depozitohet dhe ripaketohet. Çadra do të ngritët pasi të përfundojë vendosja e themeleve dhe pasi të ngritët struktura metalike”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.

Kontraktuesi “Polieko” e ka për obligim t’i dërgojë Ministrisë së Mjedisit Jetësor raporte të rregullta ditore dhe javore për punën e kryer, të mbështetur me foto dokumentacion. Nga kompania thonë se, pavarësisht zgjatjes së punimeve përgatitore dhe pasi të vendoset çadra, gërmimi i dheut të kontaminuar dhe pesticidit që gjendet në deponi do të zhvillohet shumë më shpejt.

Foto Ministria e Mjedisit Jetësor
Foto Ministria e Mjedisit Jetësor

“Për shkak se është material jashtëzakonisht specifik dhe i kontaminuar, kujdesi dhe siguria duhet të jenë në nivelin më të lartë të mundshëm, ndaj të gjitha punët përgatitore kryhen me kujdes të jashtëzakonshëm, ndoshta në dëm të kohës, por gjithsesi në dobi të sigurisë”, thonë nga Ministria.

Pastrimi i deponisë së vogël me lindan, në OHIS, është paralajmëruar se do të zgjasë rreth një viti. Aty ka rreth 7000 tonelata kimikate të rrezikshme dhe tokë të kontaminuar, që tashmë pesë dekada qëndrojnë në oborrin e ish-gjigantit kimik. Ato do të paketohen në fuçi  speciale dhe do të transportohen menjëherë për asgjësim të sigurt në Francë dhe Holandë.

Pranë deponisë së vogël, në rrethin e OHIS-it gjendet edhe një deponi më e madhe me lindan, në të cilën llogaritet se ka rreth 52 mijë tonë lindan kancerogjen. Për pastrimin e saj do të kërkohen fonde shtesë.

Në OHIS ka edhe dy deponi të tjera, të cilat nuk janë ekzaminuar akoma, kurse sasitë që janë depozituar aty vetëm supozohen. Njëra ndodhet në oborrin e fabrikës, ndërsa e dyta në zonën e Pelenicës, afër Draçevës.

Lindani është një përbërës organik i halogjenizuar. Prodhimi dhe përdorimi bujqësor i këtij insekticidi u ndalua sipas Konventës së Stokholmit mbi ndotësit e ngopur organikë sepse kishte ndikim negativ mbi sistemin nervor, mëlçinë dhe veshkat dhe mund të jetë kancerogjen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button