Shqiptarët ndërmjet Irfanit dhe Erdoganit

Që në fillim të shkrimit më duhet të sqarojë titullin dhe të them se në këtë opinion nuk ka qëndrim për dy polemikat e mëdha ndër shqiptarë që karakterizuan ditët që kaluan. Pjesën nga një ligjëratë mbi disa aspekte të moralit të mbajtur kohë më parë të hoxhës Irfan ef. Salihu nga Prizreni e të aktualizuar vetëm tani dhe ndodhitë rreth protestave që po mbahen në Turqi kundër kryeministrit të Turqisë Rexhep Tajip Erdogan.

Qëndrimi për këto dy çështje do mungojë për shumë arsye por kryesisht nga fakti se i pari është debat i vazhdueshëm me shekuj për çështje esenciale si feja, morali, fati dhe takati kurse tani dhe këtu ky debat ka devijuar. Kurse debati dhe marrja anë për Turqinë dhe ndodhitë mendoj se është duke u bërë matanë dhe përtej prioriteteve të opinionit të këtushëm dhe ky debat tani më ka reflektime politike.
 
Sigurisht nuk është bash e drejtë të qëndron në titull diçka për të cilën nuk shprehet qëndrim dhe kjo gjë, sa për krahasim, i ngjason debateve të paralajmëruara për Marrëveshjen Kornizë të Ohrit nga njeriu dhe institucioni që gjatë tërë kohës ka qenë i angazhuar, që në titull dhe përshkrim të vendit të paguar të punës, mu për implementimin e kësaj marrëveshje: Musa Xhaferi-t, zëvendës kryeministër për implementimin e MKO-së nga rradhët e BDI-së. Parti që prej njëmbëdhjetë viteve që është formuar ky sekretariat, nëntë vjet të plota udhëheq me te. Kurse shtatë vjet prej atyre nëntë viteve udhëheq me te mu paralajmëruesi i tanishëm i këtyre debateve.

Duke marrë parasysh vitet dhe kontekstin e kësaj Marrëveshje tani, pas gjithë asaj që pamë ndër mote, janë polemizuar gati gjithë aspektet e kësaj marrëveshjeje kurse me rastin e Kërçovës dhe Strugës në zgjedhjet e fundit lokale doli në shesh edhe përçudnimi i njërit prej proceseve që solli MKO-ja; decentralizimi. Duke ditur të gjitha këto opinioni me të drejtë do mund të ketë pritur që në dymbëdhjetëvjetorin të bëhen tjera debate për këtë Marrëveshje. Sidomos duke parë profilin e pjesëmarrësve debati i parë do mund të bëhej edhe me temë: Telekomi dhe Marrëveshja e Ohrit. Një debat i shkëlqyeshëm ku do mund të argumentohej me ndihmë edhe të dokumenteve ndërkombëtare nga Gjyqi i Nju Jork-ut se nëse përqindja e hises sipas Marrëveshjes së Ohrit është aplikuar edhe në rastin me Magyar Telekom. 

Pasi nuk kam qëndrim për çështjet nga titulli sigurisht që edhe nuk mund të jap vlerësim për atë se si dhe për çka do duhej të bëheshin debatet dhe polemizimet tona, më se të domosdoshme, sikur për çdo popull, shtet dhe shoqëri të shëndoshë. Por, duke shfrytëzuar rastin për të kujtuar njërën prej datave më të mëdha shqiptare, 10 Qershorin e Lidhjes së Prizrenit do ndaj një përshtypje për nivelin dhe cilësinë e debateve tona gjithandej ku ka shqiptarë: Ka diçka simbolike në atë se Lidhja e Prizrenit është më 10 Qershor kur edhe është dita e fundit e vitit shkollor, e ajo si duket është se atëherë nuk kemi patur shkollë formale shqipe dhe vit shkollor kurse tani i kemi ato por si duket nuk kemi LIDHJE. (10.06 1878-10.06.2013)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button