Vonesa në eurointegrimin e Shkupit dhe Tiranës ndikon në besimin e BE-së në rajon, vlerësoi Varheji

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria arritën shumë në sferën e reformave dhe Brukseli i mbështet përpjekjet e tyre, por vonesa e eurointegrimit të tyre ndikon në besimin drejtë BE-së në Ballkanin Perëndimor, theksoi eurokomisari për Zgjerim Oliver Varheji në Forumin Ballkanik të Sofjes i quajtur “Është koha që të kthehet besimi”.

Varheji tha se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet t’i zgjidhin çështjet e hapura dhe së shpejti të fillojnë bisedimet me Shkupin dhe Tiranën.

“Gjashtëdhjetë e pesë për qind e ekonomisë së Ballkanit Perëndimor ka lidhje me BE-në, që e tregon orientimin e tyre logjik”, tha Varheji, duke theksuar në paraqitjen e tij onllajn nga Budapesti dhe se rajoni është i rrethuar me vende të BE-së.

Siç informon MIA nga Sofja, sipas Varhejit, të gjithë duhet të sillen drejtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, jo si kandidatë, por si shtete anëtare të BE-së. Vitin e ardhshëm Brukseli në rajon do të investojë 30 miliardë euro, që është 1/3 e PBV të Ballkanit Perëndimor.

Kryenegociatori në emrin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, profesor Vllado Buçkovski, në forumin në Sofje tha se është bërë shumë në sfera të ndryshme, duke e potencuar sferën mediatike, duke i theksuar dy agjencitë nacionale të lajmeve, se MIA ka korrespondent në Sofje, ndërsa BTA për disa ditë do të marrë akreditim edhe për korrespondentin e saj në Shkup.

Ai tha se Maqedonia e Veriut nuk ka pretendime territoriale drejtë Bullgarisë dhe se kjo do të pasqyrohet në notën diplomatike, ndërsa Shkupi nuk ka qëllim të përzihet në punët e brendshme të Sofjes. Buçkovski tha edhe se për gjashtë vjet do të ketë tren mes dy kryeqyteteve, duke shtuar se Maqedonia e Veriut do të marrë 200 milionë euro për ndërtim të seksionit deri në kufirin me Bullgarinë.

Ish-ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Sollomon Pasi, i cili ka udhëhequr me një nga panelet, tha se do të blejë biletë për trenin e parë që do të qarkullojë mes Sofjes dhe Shkupit. Ai ju bëri thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që të gjejnë zgjidhje të shpejtë, të mirë dhe të përhershme për kontestin mes tyre, duke theksuar se si Maroku dhe Izraeli nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim ushtarak, që ishte e paimagjinueshme deri para një viti.

Daniell Kadik nga Rrjeti Liberal Evropian vlerësoi se Rusia dhe Kina po tentojnë ta pengojnë integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor dhe për këtë të gjithë duhet të punojnë bashkë që të sigurohet se eurointegrimi nuk do të dështojë.

Analisti politik, Alfred Musliu tha se fuqia e një vendi nuk matet për nga armata, por me arritjet bashkëkohore që i ka arritur në sferën e ekonomisë, biznesit, kulturës dhe arsimit.

Organizator i Forumit Ballkanik të Sofjes “Është koha të kthehet besimi” është eurodeputeti bullgar Ilhan Quçuk, i cili theksoi se është e rëndësishme biseda për historinë, por njëkohësisht jo më pak e rëndësishme edhe biseda për të ardhmen. Ai përkujtoi se sa është e brishtë qetësia në pjesë të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, siç është situata në Bosnje e Hercegovinë dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Interesi strategjik i Bullgarisë duhet të jetë Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e BE-së”, theksoi Quçuk, Sipas tij, BE-ja nuk mund të jetë lojtar gjeopolitik sepse nuk është lojtar politik.

Në forum morën pjesë ish-ministra bullgarë, deputetë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare të përfshirë në proceset rajonale, ambasadorët e Kosovës, Shqipërisë, Turqisë dhe ushtruesi i detyrës ambasador i Maqedonisë së Veriut në Bullgari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button