Tetovë, filloi të funksionojë Qendra e grave për mbështetje të viktimave të dhunës në familje

Përmes një paneli diskutimi, sot në Tetovë u shënua fillimi i punës së Qendrës së Grave për Mbështetjen e Viktimave të Dhunës në Familje, e cila hapet nga Rrjeti Nacional kundër Dhunës dhe Dhunës në Familje dhe partneri lokal i shoqërisë civile Cortex. Kjo qendër do të ketë ambientet e saj ku mund të drejtohen viktimat e dhunës, transmeton Tetovoinfo.

“Qendra gjendet në rrugën “29 Nëntori” dhe aty do të mund të na kontaktojnë, si dhe në numrat e telefonit ku mund të telefonojnë. Ajo do të ofrojë shërbime të specializuara për të gjitha gratë që do të jenë klientet tona. Ne jemi këtu për t’i mbështetur dhe inkurajuar ata që t’i japin fund asaj që kanë vuajtur deri më tani. Qendra do të ofrojë shërbime të mbështetjes psikologjike falas, punë sociale dhe ndihmë juridike dhe këshillim për karrierë për t’u riintegruar në shoqëri. “ tha Nebahat Imeri, psikologe klinike.

Tetova, përveç kryeqytetit, është i vetmi vend ku tani për tani janë hapur qendra të tilla.

Foto: Tetovoinfo
Foto: Tetovoinfo

“Qendra ofron shërbim më gjithëpërfshirës, ​​asistencë dhe mbështetje nga një punonjës social për të drejtën e mbrojtjes sociale, shoqërimin në institucione dhe ofrimin e shërbimeve nga institucionet, atë që duhet dhe ofrohet si masa për mbrojtjen në ligj, mbështetje të mëtejshme ligjore që ka ekzistuar, karrierë dhe  këshillim . Këshillim psikologjik do të thotë të punosh me gratë dhe fëmijët e tyre që kanë kaluar nëpër dhunë për të kapërcyer traumat, në mënyrë që të nisin një jetë të re pa dhunë dhe të zhvillojnë një plan për të ardhmen. Ne pranojmë donacione, por me vetëqeverisjen lokale shpresojmë të sigurojmë qëndrueshmërinë e saj për të ardhmen.” tha Elena Dimushevska, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit nacional kundër dhunës dhe dhunës në familje.

Darko Obadiq, drejtor i Qendrës Ndërkomunale për Çështje Sociale në Tetovë, i cili ishte pjesë e diskutimit, tha se hapja e kësaj qendre këshillimore është e mirëseardhur, duke vlerësuar se në vitin 2021 për 30 deri në 40 për qind do të ketë më shumë raste të raportuara të dhunës në familje në raport me vitin 2020.

“Punë komplekse i pret ekspertët e Cortex-it të cilët do të punojnë atje, nga ana jonë do të ketë mbështetjen maksimale, nëse kanë nevojë për ambientet tona, stafin tonë profesional dhe burimet tona, të gjithë kjo me qëllimin që të paktën një rast të arrijmë ta zgjidhim.” tha Obadiç.

Qendrën për Mbështetjen e Gruas në Tetovë mund ta kontaktoni në numrin  075/344-760.

Sipas statistikave të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, gjatë këtij viti deri me 31 shtator janë regjistruar gjithsej 42 vepra penale në lidhje me dhunën në familje të kryera ndaj grave, të cilat janë kryer duke shkaktuar lëndime trupore, ose duke rrezikuar sigurinë e personave të dhunuar. Ndërkaq numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara për vitin 2020 është 80.

“Në këto vepra janë përfshirë burra të cilët ishin në cilësinë e bashkëshortëve, djemve, baballarëve, ish-burrave, bashkëshortëve të jashtëligjshëm e të tjerë. Në këto vepra shkaqet kanë qenë nga më të ndryshmet si marrëdhëniet e prishura familjare, çrregullimet nervore, alkooli dhe veset, droga dhe arsye të tjera, ku gjatë kryerjes është përdorë forcë fizike. Të njëjtit pas denoncimit të rasteve menjëherë janë privuar nga liria dhe ndaj tyre janë përgatitur parashtresa përkatëse deri në Prokuroritë Themelore Publike në Tetovë dhe Gostivar.” thanë nga SPB Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button