Këshilli Gjyqësor reagoi pasi Zaev dhe Gashi u morën vesh për hetim ndërkombëtar të disa rasteve gjyqësore

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut sot ka dalë me reagim pasi që paraprakisht, kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi dhe kryeministri Zoran Zaev, u pajtuan për marrëveshje qeveritare. Në këtë marrëveshje parashihet hetim ndërkombëtar për rastet “Monstra”, “Lagjja e Trimave”, “Almiri”, “Alfa”, apo siç e përmendi kryeministri dhe rastin “Nikolla Mlladenov”, njofton Portalb.mk.

“Në lidhje me paralajmërimin për kontroll eventual të lëndëve të mbaruara dhe miratimit të aktgjykimeve të plotfuqishme, Këshilli Gjyqësor thekson se në Ligjin për Procedurë Penale, Ligjin për Procedurë Civile, por edhe ligjeve procesuese, qartë parashihet e në çfarë kushte mund të ketë përsëritje të procedurës për ndonjë lëndë ose cila gjykatë është kompetente për shfuqizimin e ndonjë aktgjykimi. Si dhe me çfarë qëllimi do të formohet komision ndërkombëtar, Këshilli Gjyqësor nuk ka informata, por ka të drejtë dhe obligim që të tregojë respektimin e vazhdueshëm të ligjeve dhe vendimeve gjyqësore”, thonë nga KGJ.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Zaev tha se askush nuk do t’i anulojë apo kundërshtojë aktgjykimet e formës së prerë, për shembull, por se do të punësojmë ekspertë juridikë evropianë për t’i parë rastet dhe për të komentuar.

Nga Аlternativa theksuan se një prej arsyeve kryesore për hyrje në qeveri është edhe hetimi ndërkombëtar i këtyre rasteve.

“Qeveria do t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur, të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara për ndikim politik, siç janë: Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave, Almiri i vogël”, thuhet në pikën 2 të marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button