Aziri nga ASH: Prej tani do të funksionojmë si subjekt i veçantë politik (VIDEO)

Pas prishjes së koalicionit me Alternativën, Aleanca për Shqiptarët ka caktuar deputeten Ilire Dauti si koordinatore të grupit parlamentar të kësaj partie. Duke komentuar marrëveshjen që Alternativa nënshkroi dje me kryeministrin Zoran Zaev, deputeti i ASH-së, Elmi Aziri, deklaroi për gazetarët se janë të befasuar se me sa lehtësi kjo parti ka nënshkruar marrëveshje me një Qeveri që sipas tij, po tregohet si më jofunksionalja deri më tani, shkruan Portalb.mk.

“Nuk duam të komentojmë hapat politik të partive të tjera politike, sepse ne e kemi agjendën tonë, por thënë realisht ne jemi të befasuar me lehtësimin si mund që një parti politike me aq lehtësi ta anulojë një marrëveshje dhe të nesërmen të nënshkruaj marrëveshje, posaçërisht duke pasur parasysh se ajo marrëveshje nënshkruhet me përfaqësues të shumicës që sipas të gjitha indikatorëve, është më e keqja, më jo efikasja më jo funksionalja në 30 vjet pluralizëm në Maqedoninë e Veriut. Realisht jemi të befasuar nga partneri ynë politik i deritanishëm”, tha Aziri.

Ai njoftoi se tani do të funksionojnë si subjekt i veçantë politik në kuvend, ndërsa i pyetur për bashkëpunimet e mundshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ai tha se është herët të flitet për këtë.

“Ne presim ditët e ardhshme organet partiake do të marrin qëndrim për bashkëpunimin e ardhshëm me Alternativën në nivel lokal.  Tani për tani ne funksionojmë si grup i veçantë i parlamentit. Është herët të diskutojmë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, me qenë se nuk kemi sinjale të tilla, megjithëse ne shpresojmë se, shumë shpejt vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare. Për momentin që flasim ASH do të funksionojë si subjekt i veçantë politik”, tha deputeti Aziri.

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi nënshkruan marrëveshjen zyrtare për hyrjen e Alternativës në Qeveri.

Kujtojmë se, ASH dhe Alternativa kanë qenë partnerë të koalicionit dhe kanë garuar së bashku në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale dhe po ashtu, kanë funksionuar si grup i përbashkët parlamentare në Kuvend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button