Tetovë, ende nuk është bërë ndarja fizike e rrugës Industriale, aksidentet ndodhin shpesh

Shkurtin e ardhshëm bëhen një vjet nga kur Komuna e Tetovës pas protestave të qytetarëve në rrugën Industriale, premtoi se do të bëjë ndarjen fizike midis dy drejtimeve të qarkullimit përgjatë kësaj rruge, por kjo nuk është bërë ende. Sot, nga Komuna e Tetovës thanë se ky është premtim i ish kryetares dhe se kryetari i ri shqyrton mundësinë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, ndërsa rruga Industriale vazhdon të jetë ndër rrugët më të rrezikshme, ku bëhen shumë aksidente madje edhe ku janë humbur jetë njerëzish, shkruan Portalb.mk.

Po bëhen gati një vit nga  protestat e banorëve të lagjes “Industriale” si rezultat i aksidentit tragjik ku humbi jetën një vajzë 6 vjeçare në po këtë rrugë. Nga Komuna e Tetovës, kur asokohohe kryetare ishte Teuta Arifi atëherë i pranuan të gjitha kërkesat e tyre, kështu duke ju premtuar se për një afat të shkurtër do të fillojnë punët, por sot kërkesa më e rëndësishme e protestuesve vazhdon të mbetet e papërmbushur.

Premtimi i parealizuar është ndarja fizike mes dy drejtimeve të qarkullimit, gjë që është çështja më e rëndësishme për sa i takon rrugës “Industriale”. Ndarja është e paraparë që të bëhet në të gjithë rrugën industriale, ndërsa të lihet hapësirë vetëm në vendkalimet për këmbësorë.

Aksident në rrugën Industriale 17.11.2021, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Aksident në rrugën Industriale 17.11.2021, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga Komuna e Tetovës, tani që kryetar është Bilall Kasami thanë për Portalb.mk se kryetari aktual shqyrton mundësitë për zgjidhjen e problemit.

“Ndarja e bulevardit V.S. Bato është premtim i ish kryetares së Tetovës, kryetari aktual shqyrton mundësitë për zgjedhjen e problemit”, thonë nga Komuna.

Rikujtojmë që në korrik nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk, thanë se kanë bërë planin për ndarjen fizike mes dy drejtimeve të qarkullimit përgjatë Industriales dhe si do të duket e njëjta dhe se me rebalancin e fundit e kanë buxhetuar ndërtimin e zhardinjeres në një pjesë të rrugës Industriale, në vlerë prej dy milionë denarëve.

Kanë kaluar pesë muaj, ndërsa në terren nuk është ndërmarrë asgjë. Në këtë rrugë vazhdimisht ndodhin aksidente, madje në disa raste veturat kalojnë nga njëra kahje në tjetrën. Vetëm gjatë këtij viti si pasojë e aksidenteve jetën e kanë humbur dy persona.

“Prej 1 janar 2021 deri 29 nëntor 2021 në rrugën ,,Vidoje Smilevski Bato” kanë ndodhur 46 aksidente trafiku ku janë shkaktuar dëme materiale dhe persona të lënduar kurse në dy nga aksidentet e ndodhura ka pasur edhe dy viktima në njerëz.” thanë nga Sektori për Punë Të Brendshme Tetovë.

Në një video të siguruar nga Portalb.mk, shihen se si disa vetura që kalojnë nga njëri drejtim në tjetrin përgjatë rrugës industriale, kështu duke shkelur rregullat e komunikacionit dhe duke përbërë rrezik në trafik, ky fenomen shpesh vërehet kur komunikacioni është më i ngarkuar. Videoja më poshtë paraqet edhe planin nga Komuna.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button