Odiseada e shqipes në RMV: 1946-2021 (II)

Në hulumtimin Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019 jepet edhe një pasqyrë e institucioneve arsimore dhe kulturore që kanë mbajtur barrën kryesore të gjuhës shqipe dhe “produkteve” të saj nga periudha e pasluftës deri në vitet e demokracisë dhe të tranzicionit: Flaka e Vëllazërimit, shkollat si “Liria” (Shkup, Tetovë), Zef Lush Marku, Kiril Pejçinoviq, Rexhep Voka, Hajdar Dushi, Fakulteti Pedagogjik, RTVM-shqip, tre universitetet (USHT, UEJL dhe “Nënë Tereza”), Teatri Shqiptar, ITSHKSH, shoqatat kulturore artistike etj.

Autorët theksojnë se me ndryshimet kushtetuese të Marrëveshjes Kornizë mes tjerash u avancua përdorimi i gjuhës shqipe si në territorin e RMV-së ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, në njësitë e vetëqeverisjes lokale (shih amendamenti V, VI, VIII), ndonëse gjuha në fjalë është kategorizuar si gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe Ligjin e përdorimit të gjuhës të vitit 2008 dhe 2011 që regullon përdorimin e  shqipes në Kuvend, në komunikimin e qytetarëve me minsitritë, te Avokati i Popullit, në librat e amzës, autoritetet policore, aktivitetet financiare, arsim, shkencë, kulturë etj. si Në tekst konstatohet se gjuha shqipe është zyrtare në 5 rajone, në 26 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Pyetësorit që AZGJ e ka realizuar lidhur me statusin e shqipes mes viteve 1991-2019 i janë përgjigjur 17 komuna, por edhe ato me shumë mangësi (në disa pyetje nuk kanë dhënë fare përgjigje). Nga ky studim del se gjuha shqipe zyrtarizimin më të hershëm e ka parë në Komunën e Tetovës (1992), ndjekur nga ajo Tearcës dhe Jegunovcës (1997) dhe e Dibrës (2003). Ligji i Përdorimit të Gjuhëve i vitit 2019 (që ngërthen 25 nene), i kontestuar nga ish-presidenti Ivanov (veto-pezulluese), i shpallur në “Gazetën Zyrtare” të datës 14 janar 2019, i detyroi instiucionet ta zyrtarizojnë shqipen, ndërkohë duke ndërgjegjësuar edhe publikun lidhur me këtë segment, që sanksionon përdorimin e gjuhët zyrtare dhe alfabetet e tyre. Me nenin 18 është themeluar Agjencia e Zbatimit Gjuhës si person juridik, kompetent për standardizimin dhe përdorimin uniform të gjuhës që e flasin së paku 20% të qytetarëve të RMV-së. Me nenin 20 të këtij ligji krijohet edhe Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve në suaza të Ministrisë së Drejtësi që mbikëqyr zbatimin e këtij ligji, që mbron frymën kushtetuese në funksion të sigurimit të sundimit të së drejtës dhe të realizimit të lirive dhe të të drejtave të njeriut dhe qytetarit. Autorët theksojnë se zbatimi i plotë i këtij ligji është gurthemeli për ndërtimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike me karakter multietik dhe shumëgjuhësor. Në këtë drejtim vlen të theksohen edhe të dhënat nga studimi empirik, i realizuar nga AZGj me 183 institucione – që metodologjikisht mund të konstruktohej edhe më mirë – është konstatuar një gjendje për të dëshiruar në aspekt të trajtimit të gjuhës shqipe: vetëm 48 institucione (26 %) janë përgjigjur edhe në gjuhën maqedonase edhe në atë shqipe, ndërsa 131 (72 %) vetëm në gjuhën  maqedonase dhe 4 vetëm në gjuhën shqipe (2 %); 135 institucione (74 %) nuk kanë paraparë sektor dhe njësi të përkthimit nga gjuha shqipe dhe të lekturës, vetëm 76 institucione janë shprehur se parashohin ndryshim në sistematizimin e vendeve të punës, 124 institucione (68 %) nuk kanë të punësur asnjë përkthyes apo lektor; në buxhetin e vitit 2020 vetëm 43 institucione kishin paraparë mjete financiare për përkthyes dhe lektorë të rinj, vetëm 27 institucione (14.7 %) janë shprehur se kanë nevojë për ndihmën e AZGJ-së (63 syresh “nuk kanë nevojë”) (f. 124-126). Mund të thuhet se “përpjekja” për përligjjen faktike të shqipes vazhdon, se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe AZGj janë agjentë relevantë në avancimin e zbatimit të shqipes dhe të kulturës shqiptare në RMV, dhe se bashkëpunimi mes politikbërësve, akademisë, OJQ-ve, qytetarëve mund të çojë shumë përpara kultivimin dhe mbrojtjen e shqipes në këtë vend dhe shoqëri post-etnike, shumëkulturore, shumëidentitare. Agjenda e ardhshme duhet të jetë kalimi nga shifrat 20% te kategoria “gjuha shqipe”. Në këtë drejtim duhet mobilizim kolektiv i të gjitha instancave, që evoluimi të arrijë pikën e duhur, te akceptimi transparent i gjuhës së bashkësisë së dytë për nga numri në këtë shoqëri. Shikuar sociologjikisht, averzionet duhet të mbeten në histori;  mendjehapuria, respekti i tjetrit dhe tjetërsisë është e ardhmja e njeriut të shekullit XXI.

Shkurt, Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve paraqet një punim relevant shkencor, një dritare nga e cilat mund të shihet realiteti sociologjik dhe kulturologjik i Maqedonisë së Veriut dhe pozita e shqiptarëve dhe shqipes në të brenda 65 viteve të fundit. Është një libër leximi për studentët dhe studiuesit e shkencave sociale, në veçanti për juristët, gjuhëtarët, sociologët e shumë profile të tjera akademike e studimore, por edhe për lexuesit ordinerë që kërkojnë më tepër dije për relacionin gjuha-shoqëria.       

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button