fbpx

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Gabriel Escobar për vizitë në Shkup, zhvillon takime me funksionarët e vendit

Presidenti Stevo Pendarovski sot priti Gabriel Escobar, zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. Në takim u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, si dhe për gjendjen në rajon, transmeton Portalb.mk.

Presidenti Pendarovski vlerësoi se dy vendet në vazhdimësi ushqejnë dialog politik produktiv dhe shprehu besimin se marrëdhëniet bilaterale do të vazhdojnë të zhvillohen me dinamikë edhe më të fortë.

Presidenti Pendarovski theksoi rëndësinë e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara në arritjen e qëllimeve strategjike të vendit tonë që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.

Lidhur me aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, presidenti Pendarovski rikonfirmoi pritjet për fillimin e shpejtë të negociatave për anëtarësim, duke theksuar se zhbllokimi i procesit integrues do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe zhvillimin e përgjithshëm të rajonit. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski falënderoi për mbështetjen e administratës amerikane dhe personalisht zëvendës ndihmës sekretarin shtetëror Escobar për nevojën e përparimit të vendeve të rajonit drejt BE-së.

Në takim, presidenti Pendarovski theksoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si anëtare më e re e NATO-s, për të kontribuar në sigurinë kolektive dhe mbrojtjen e vlerave të bashkësisë euroatlantike.

Presidenti Pendarovski falënderoi për ftesën për pjesëmarrje në Samitin virtual për Demokraci të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor 2021.

Pas takimit me presidentin Pendarovski, Eskobar ka zhvilluar tjetër takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ku ky i fundit ka falënderuar ShBA-të për mbështetjen e dhënë ndaj Maqedonisë së Veriut duke potencuar se tani është momenti që Bashkimi Evropian të fillojë negociatat me vendin tonë.

“Jemi falënderues për mbështetjen e qartë dhe të zëshme të SHBA-ve dhe jemi të gëzuar që ky mesazh është pranuar nga shtetet e BE-së… Tani është momenti që BE të fillojë negociatat me ne që ne të mbetemi të përkushtuar për realizimin e reformave”, tha Osmani.

Megjithatë, edhe pse pati interesim nga mediat, nuk u lejuan pyetje e gazetarëve ndaj Eskobarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button