Sondazh: Dy të tretat e studentëve nuk votojnë në zgjedhjet studentore, gjysma nuk e dinë se cilët janë liderë e tyre

Sondazhi i realizuar për “Meta.mk”, nëpërmjet faqes “Studentarija” në Instagram, ka treguar njohuri të pamjaftueshme dhe interesim të vogël të studentëve për punën e parlamenteve studentore në fakultetet dhe universitetet në vend.

Rreth 59 % e studentëve, të cilët iu përgjigjën pyetjeve, kanë deklaruar që nuk e dinë se kush është kryetari ose kryetarja aktuale e Parlamentit Studentor Universitar (PSU) në universitetin e tyre. Situata me Parlamentet Studentore të Fakulteteve (PSF) është paksa më e mirë, por edhe atje më shumë se gjysma (53%) e studentëve nuk i dinë emrat e kryetarëve të parlamenteve studentore në fakultetet amë.

Një përqindje e lartë (63%) e studentëve, të cilët iu përgjigjën anketës, kanë thënë se nuk ishin aspak të njohur me punën e PSU-së në universitetin e tyre, ndërsa 32 % kanë thënë se kishin njohuri deri diku. Vetëm 5 % e studentëve kanë thënë se ishin plotësisht të njohur me aktivitetet e parlamenteve studentore universitare.

Situata me parlamentet e fakulteteve është paksa më e mirë – 48 % e studentëve kanë deri diku njohuri për aktivitetet e PSF-ve, 43 % nuk kanë fare njohuri, ndërsa  9 % kanë njohuri të plotë me punën e PSF-së në fakultetin e tyre.

Në pyetjen se si do ta vlerësonin punën e PSF-së në fakultetin, gjegjësisht PSU-së në universitetin amë, shumica e studentëve kanë thënë se nuk kanë përgjigje, gjegjësisht në pyetjen për PSU-të ashtu janë përgjigjur 49%, kurse në lidhje me pyetjen për PSF-të ashtu janë përgjigjur 40 %.

Rezultati i atyre që e kanë vlerësuar punën e parlamenteve tregon notë mesatare prej 2,7 për punën e Parlamenteve Studentore të Fakulteteve, ndërsa vlerësimi i punës së parlamenteve në nivel universitar është edhe më i ulët 2,5.

Gati 90 % e studentëve kanë thënë se nuk mund të numëronin disa nga aktivitetet që i kanë realizuar parlamentet studentore të fakulteteve dhe universiteteve gjatë vitit të kaluar.

Në nëntor në Fakultetin Ekonomik kanë votuar më pak se 2 % e studentëve

Sondazhi gjithashtu tregoi se 70 % e studentëve nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në zgjedhjet studentore në dy vitet e fundit, pas miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë në vitin 2018 dhe zgjedhjeve të para që u mbajtën në vitin 2019.

Ajo që e pasqyron dështimin e plotë, është se situata nuk ka ndryshuar as këtë vit, nëse merret parasysh dalja në zgjedhjet për anëtarë dhe kryetar të Parlamentit Studentor të Fakultetit me numrin më të madh të studentëve në UKIM, ai Ekonomik. Sipas Procesverbalit të Komisionit Zgjedhor për rezultatet e para të zgjedhjeve, të zhvilluara në Fakultetin Ekonomik më 15 nëntor, nga gjithsej 2.486 studentë-votues sipas listës zgjedhore, kanë votuar vetëm 42, që është më pak se 2% e numrit të përgjithshëm të studentëve në Fakultetin Ekonomik.

Kryetarja e sapo zgjedhur e Parlamentit Studentor të Fakultetit Ekonomik në UKIM, Dafina Andonova, vlerëson se pjesëmarrja e ulët është për shkak të situatës aktuale me pandeminë, për shkak të cilës disa studentë ndjekin mësime onlajn nga shtëpia, ndërsa zgjedhjet janë realizuar me votim fizik.

“Zgjedhja e Kryetarit të Parlamentit Studentor të Fakultetit Ekonomik u realizua në kohë, në përputhje me ligjin dhe statutin. Për fat të keq, pjesëmarrja ishte e ulët, por besoj se kjo është për shkak të situatës me kovid-19, sepse një numër i madh i studentëve nuk jetojnë në Shkup. Shpresoj që pandemia të përfundojë sa më shpejt dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme të jetë më e madhe”, tha Andonova.

Afrimi i organeve pranë studentëve

Pjesëmarrje më e madhe është vërejtur në zgjedhjet e zhvilluara në fakultetet e Universitetit “Sh. Klimenti i Ohrit” në Manastir (UKLO), megjithatë mësimi në këto fakultete me muaj të tërë po zhvillohet kryesisht me prani fizike.

Kryetarja e  sapo zgjedhur e Parlamentit Studentor Universitar të “Sh. Klimenti i Ohrit” (PSU UKLO), Simona Naumovska, thotë se nevoja për një mënyrë të re të përfaqësimit të studentëve dhe përmirësimit të standardit studentor është e qartë tashmë një kohe të gjatë.

“Udhëheqësia e sapo zgjedhur e PSU UKLO me përgjegjësi dhe vetëdije të madhe e merr rolin e mbrojtjes së të drejtave të studentëve e njëkohësisht edhe avancimin e tyre. Fakti që, si ekip i ri studentor, jemi të përfshirë në punën e organeve dhe trupave të Universitetit tregon se ndjenja e mosinteresimit është relative. Natyrisht, jemi dëshmitarë se gjatë viteve të kaluara ndihej  nevoja për një mënyrë të re të përfaqësimit dhe avancimit të standardit dhe nevojave të studentëve, prandaj  personalisht mendoj se është pasqyrim i një imazhi shumë më të gjerë akademik dhe social. Ajo që mund të premtoj është që ne, si udhëheqësi e PSU UKLO, do të bëjmë gjithçka për të ndryshuar ato situata dhe këtë do ta dëshmojmë dhe vërtetojmë më së miri me shembuj personalë dhe aktivizëm”, tha Naumovska.

Sondazhi tregoi se interesi i studentëve për t’u përfshirë në aktivitetet e parlamenteve, për të kontribuar në punën e tyre është i pamjaftueshëm, kështu që 40 % e studentëve nuk janë të interesuar të përfshihen në punën e parlamenteve të fakulteteve apo universiteteve, ndërsa vetëm 14 % e studentëve kanë shprehur interes të tillë.

Naumovska beson se për t’ua afruar organet studentore studentëve është e nevojshme që programet, planet dhe aktivitetet t’u prezantohen të gjithë studentëve, por edhe përfaqësuesit e studentëve të dëgjojnë pritshmëritë e studentëve, që të mësojnë dhe dinë në cilin drejtim të veprojnë.

“Kjo mënyrë, e drejtpërdrejtë, duhet të kthehet në komunikim të rregullt, duhet të bashkëpunojmë me kolegë nga të gjitha njësitë në UKLO. Gjithashtu mendoj se përveç që duhet të njoftohen më në detaje me atë që ne mund ta ofrojmë, si udhëheqësi e kemi për detyrë të evidentojmë nevojat e tyre, të shikojmë mundësitë për të punuar së bashku për ndryshime në studim, praktikë, në argëtim dhe sport. Por këtë gjithsesi do ta lëmë ta thonë kolegët tanë. Nisemi nga pozicioni i tyre, duam të respektojmë mendimin e të gjithë të rinjve të gatshëm për veprim, për aktivizëm studentor. Fakti që jam në krye të studentëve nga UKLO është motiv i mjaftueshëm që bashkëpunimi me kolegët studentë të jetë konstant, i përhershëm dhe cilësor, sepse besoj që vetëm të bashkuar në qëllimet tona të mira do të mund të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura, të tejkalohen pengesat në atë rrugë dhe të përmirësohet jeta studentore në kuptimin më të gjerë të fjalës”, theksoi Naumovska.

Aktualisht, parlamentet studentore universitare janë organi më i lartë përfaqësues i studentëve, që funksionon në kuadër të universiteteve dhe nëpërmjet të cilëve mund të krijohen politika studentore. Formimi i tyre është përcaktuar me Ligjin për Arsimin e Lartë, i cili u miratua në vitin 2018.

Përndryshe, edhe hulumtimi i Forumit Arsimor Rinor (FAR), që u realizua në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, tregoi mungesë të interesimit në mesin e studentëve për atë së cilët studentë i udhëheqin parlamentet. Asokohe mbi 63% nuk ​​e kanë ditur emrin e kryetarit të PSU UKIM.

Në dokumentin “Një vjet përfaqësues të studentëve” i publikuar në shkurt të këtij viti, i cili ka të bëjë me Parlamentet Studentore të Fakulteteve dhe Parlamentit Universitar të UKIM, thuhet:

“Interesimi i ulët i përfaqësuesve të studentëve dhe, rrjedhimisht, pjesëmarrja e ulët e studentëve në zgjedhje janë vetëm shenjë se ku duhet përqendruar vëmendja në të ardhmen. Vetë studentët janë ata që do t’i përbëjnë kuadrot e ardhshme për parlamente më të mira dhe më efektive, që do të thotë se duhen gjetur mënyra për t’i angazhuar ata.”

Në dokumentin e FRA rekomandohet rritjen e dukshmërisë së punës së parlamenteve për të informuar më mirë studentët, për atë se si dhe çfarë punojnë përfaqësuesit e tyre, për të nxitur kandidaturën dhe përfshirjen e tyre në punën e parlamenteve të fakulteteve, përkatësisht parlamentit universitar, si dhe realizim të fushatave edukative dhe informative për zgjedhjet studentore me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes tyre.

Sipas përgjigjeve në pyetjet e anketës, studentët në vend, mësimin onlajn e përmendin si sfidën më të madhe me të cilën përballet arsimi i lartë, ndaj kërkojnë rikthim më të shpejtë në sallat e ligjëratave dhe në amfiteatro. Në të njëjtën kohë, ata mendojnë se nevojitet digjitalizim i proceseve për regjistrim dhe vërtetim të semestrave, në vend që të bartin aplikime në letër dhe të presin me orë të tëra para shërbimeve për çështje studentore. Ata gjithashtu janë të mendimit se kurrikulat në bazë të të cilave mësojnë janë të vjetruara, ndërsa këtë para do kohe e vuri në dukje edhe Sindikata e Pavarur Akademike (SPA).

Anketa është realizuar nëpërmjet Instagram profilit të “Studentrija” në periudhën 1-2 dhjetor 2021 dhe në të janë përgjigjur 5.357 studentë. Shumica prej tyre, 65 %, janë studentë të Universitetit “Sh. Kirili e Metodi” në Shkup, pastaj të Universitetit “Goce Dellçev” – Shtip (15%), Universiteti “Sh. Klimenti i Ohrit”- Manastir (11%), si dhe universitetet e tjera shtetërore e private me 9%.

Ndonëse kjo nuk është anketë e realizuar me mostër përfaqësuese, besojmë se rezultatet e pasqyrojnë situatën reale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button