Pastrimi i gjyqësorit

Derisa jemi në pritje të datës për hapjen e bisedimeve me BE-në, qeveria e re e Maqedonisë së Veriut (MV) ose me të njëjtin kryeministër ose me ndonjë të ri mund të bëjë shumë punë në forcimin e gjyqësorit me kapacitete të reja dhe vendosjen e një farë rendi në fushën e drejtësisë. Nga e para mund të nisë me pastrimin e gjyqësorit nga mbetjet e komunizmit, e dyta nga kuadrot e korruptuara të periudhës së sistemit shumë partiak dhe e treta më e rëndësishmja, pastrimi i departamenteve nga partiakët e instaluar në kohën e Gruevskit dhe të Zaevit. Për kohën e qeverisjes së Zaevit dhe masat që i ka marrë ai rreth shtetit ligjor, mund të themi se gjendja nuk duket e mirë dhe e njëjta paraqitet si e mjerë dhe tepër e përkeqësuar në procedurat e luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Lëndë të tëra që janë hapur, ende vazhdojnë të zvarriten për arsye të ndërhyrjeve politike dhe grupeve financiare që lidhen me fatin e rasteve ku janë të involvuar ish zyrtarë të lartë të qeverisë së Gruevskit dhe të qeverisjes Zaev I dhe II. Duke filluar nga rastet e Kamçevit dhe Mijalkovit pa përjashtuar këtu edhe ish prokuroren e lartë të Prokurorisë Speciale Katica Janeva, gjykimet e pa përfunduara dhe të ndikuara nga politika, tregojnë se në Maqedoninë e Veriut, ndërtimi i shteti ligjor është larg.

Nuk janë vetëm këto raste të njohura dhe të tjerat të montuara, kemi ndodhi nga rastet e përditshme ku janë të përfshira më shumë palë si p.sh. të gjendjes civile dhe në fushën e shkeljes së të drejtave të njeriut, ku situata është ende më e keqe. Organet qeveritare dhe ato të drejtësisë, tani e kanë shansin të tregohen para BE-së se kjo qeveri është e gatshme të bëjë përmirësime në luftën kundër korrupsionit, ku epilogu i rasteve nuk varret nga e drejta, por nga paraja dhe ndikimi politik.

Në qoftë se vazhdimisht do të kërkohet nga BE-ja një datë të bisedimeve dhe përsëri do të vazhdohet me praktikat e vjetra të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit, atëherë nuk kemi bërë asgjë. Dihet se shumë lëndë gjyqësore ende vazhdojnë të mbajnë vulën e politikës, janë të bllokuara dhe nuk hapen, sepse shefat e partive politike i mbajnë qeveritë ose në rast se ngrihet ndonjë aktakuzë, të njëjtit mund të rrëzojnë një qeveri.

Nuk mund të vazhdohet deri në pafundësi me raste që duhet të kenë përfundim të drejtë. Kapitulli 24- 25 i BE-së nuk mund të anashkalohet me reforma sipërfaqësore dhe raporte jo serioze se ka përmirësime në sferën e drejtësisë. Rastet e fundit duke filluar nga viti 2015, janë indicie se shumë vështirë është të ndryshohet mentaliteti i vjetër i klasës politike që pretendon BE dhe jetën si atje. Më vështirë është të ndryshohen gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, natyrisht të lidhur me qeverinë, policinë, hetuesinë dhe partitë politike. Në sistemin e kalbur të drejtësisë në MV, krimi nuk ndëshkohet, kurse i dobëti ose dënohet pa faj ose detyrohet të heshtë.

Ku jemi tek faktori i jashtëm, ShBA dhe BE kanë dhënë ndihma të konsiderueshme në sektorin jo qeveritar dhe atë qeveritarë në trajnimin e gjyqtarëve, stafit gjyqësor dhe të prokurorëve, por pa rezultate konkrete në punën e gjykatave për të parandaluar korrupsionin dhe gjykimin e çështjeve me nder dhe drejtësi. Qeveritë e këtyre vendeve duhet të zgjedhin ose BE ose sistemin e korruptuar të vendeve me oligarkë dhe gjyqtarë të pasur. MV dhe shtetet fqinjë duhet të nisin të funksionojnë si shoqëri ku ka drejtësi e jo ku e krimi përshëndetet nga politika dhe grupet e biznesit. Kurse më i dëmtuari këtu, është individi, si më i pafuqishmi për të përballuar institucionet e korruptuara dhe me plot nepotizëm. Je fat keq të kesh ndonjë çështje të pazgjidhur në gjykatat ballkanike, sepse punët nuk të bëjnë. Dhe aq më keq të ndeshesh me sistemin e krimbur të gjyqësisë në Maqedoninë e Veriut. Fundja 15 dhjetori nuk është aq larg. Pas kësaj date mund të kemi një vlerësim më të saktë se nga do të shkojë Maqedonia e Veriut dhe të tjerët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button