fbpx

“Stuhia e artilerisë politike” euro-amerikane në Ballkanin Perëndimor

Ballkani Perëndimor do të ketë katër të dërguar special nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në dy vitet e fundit, këto vende kanë emëruar të dërguarit e tyre, Bashkimi Evropian Mirosllav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi, Matthew Palmer nga SHBA-ja si përfaqësues i posaçëm për reformën zgjedhore në Bosnjë dhe Hercegovinë, Gabriel Escobar po ashtu nga SHBA-ja si përfaqësues i posaçëm, dhe së fundi Stuart Peach u emërua përfaqësues special nga Britania e Madhe.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është njëra prej çështjeve që të emëruarit është thënë se do t’i kenë në agjendën e tyre të angazhimeve.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se këto emërime janë tregues për rritjen e interesimit dhe përkushtimit kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa konsiderojnë se mund të jetë e pritshme që edhe Rusia të delegojë një emisar të vetin, për këtë pjesë të Evropës.

Analisti politik, Belul Beqaj thotë për KALLXO.com se angazhimi i zyrtarëve të lartë me profile politike-diplomatike dhe ushtarake është një indikator i seriozitetit të qasjes ndaj Ballkanit Perëndimor, por edhe të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se Ballkani në përgjithësi, ka liderë të cilët vuajnë nga arroganca ndaj realitetit që është në kundërshtim me mundësitë e tyre objektive. Në anën tjetër, angazhimin e këtyre zyrtarëve të lartë e konsiderojnë si ‘normale’ pavarësisht se ata janë vetëm faktorë indirekt që dëshirojnë të ndihmojnë për gjetjen e zgjedhjeve të kompromiseve e jo të mbajnë anën e cilitdo shtet apo komb”, tha ai.

Sidoqoftë, analisti shton se ndryshimi pozitiv i interesimit ndërkombëtar duhet të kuptohet si ndihmë për kompromise racionale e jo për ambicie populliste.

Njohësi tjetër i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri thotë për KALLXO.com se simbolika e emërimit të emisarëve është jashtëzakonisht e qartë: “rritje e interesimit, angazhimit dhe përkushtimit të një shteti ndaj një çështjeje të caktuar, si dhe dedikim i resurseve të shtuara institucionale në formatin e investimeve të veçanta kadrovike drejt gjetjes së zgjidhjeve komplekse”.

“Përfaqësuesit politikë të kësaj kategorie janë aset i shteteve respektive, prandaj fakti që të koordinuar do të punojnë për rajonin tonë i dëshmon përqendrimet strukturore të instancave që i kanë deleguar ata”, shprehet ai.

Sipas Muhaxhirit, është e pritshme që në të ardhmen e afërt edhe Rusia ta delegojë një emisar të vetin, si kundërpeshë balancuese në pjesëmarrjen aktive.

Ai thekson se emisarët janë sinjal për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti që t’i fillojë përgatitjet e maksimalizimit të potencialeve politike dhe ekspertizës profesionale – brenda dhe jashtë Kosovës, me qëllim të rritjes së gatishmërisë shtetërore për bashkëpunime e ballafaqime në këtë etapë të procesit historik dialogues.

Duke folur për situatën politike në Ballkanin Perëndimor, analisti Muhaxhiri thekson se destabiliteti është sport i preferuar i një pjese të konsiderueshme të politikanëve ballkanas, sepse kësisoj fuqizohen militantizmat dhe pseudonacionalizmat me anë të të cilëve i riciklojnë mandatet qeverisëse.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të marrë epilog, sepse nuk ka asnjë kuptim vazhdimësia e mjegulluar me perspektivë të turbullt”, tha ai për KALLXO.com.

“Bosnje dhe Hercegovina është duke kaluar nëpër një krizë të madhe, pasi destruktiviteti i Milorad Dodikut, liderit të serbëve të atjeshëm, bashkë me tentimin e tij që të shndërrohet në levë ruse përbrenda Ballkanit, i kanë goditur themelet e federatës”, theksoi analisti politik.

Pritjet në procesin e dialogut Kosovë-Serbi 

Me gjithë angazhimin e vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara, një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duket të jetë vështirë e arritshme në të ardhmen e afërt për shkak të zhvillimeve të fundit në këtë proces.

Analisti Muhaxhiri ka thënë për KALLXO.com se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është bllokuar.

“Paradoksalisht, hendeku rritet çdo ditë – më shumë ka ide distancuese sesa konstruktive. Me qasjet aktuale të Kosovës, BE-së dhe Serbisë, nuk ka asnjë gjasë që të arrihen përparime kualitative, aq më pak një marrëveshje përfundimtare. Kjo situatë imponon intervenime të faktorëve relevantë gjeostrategjikë, të cilët kanë pushtete të domosdoshme për të iniciuar dhe dizajnuar ndryshime të rëndësishme”, shprehet ai.

Muhaxhiri shton se energjizimi i procesit mund të bëhet vetëm me shtimin e presioneve ndërkombëtare, pasi aktualisht mungojnë vullnetet që një e tillë të bëhet në mënyrë autonome.

“Me vendosjen në tavolinë të ideve të konkretizuara, duke përfshirë përfitimet jetëndryshuese politike dhe socioekonomike për qytetarët kosovarë, do të transformohen edhe premisat e dialogëve. Vetëm kështu do të mund të rritet optimizmi i bazuar për sukses afatgjatë dhe shumështresor”, përfundoi ai.

Ndërkaq, analisti Belul Beqaj ka thënë se dialogu do të merr një dinamikë të shtuar.

“Por qasja joreale ndaj problemeve reale të palëve në dialog do të vështirëson arritjen e marrëveshjeve të cilat nëse nuk realizohen, besoj se do të reflektojnë trysni të ndërsjella, që mund të përfundojnë me zgjedhje të reja, para se gjithash në Kosovë, ngase në Serbi edhe ashtu ato do të zhvillohen në pranverë të vitit të ardhshëm. Por, humbja e këtij rasti kur është koncentruar ‘artileria’ me e rëndësishme diplomatike ndërkombëtare do të dëshmojë pa pjekuri politike të palëve, të cilët, si duket, janë shndërruar peng i popullizmit!”, tha ai për KALLXO.com.

Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, mes tjerash, nuk po arrijnë dakordim për shumë çështje e madje edhe takimet e nivelit më të lartë të të dy shteteve, ka kohë që nuk kanë ndodhur.

BE-ja ka thënë se pret një takim të radhës me kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button