E-tregu i parë rural “Tezga jonë” shembull i suksesit të grave të bashkuara

Gratë e Koalicionit Rural e lansuan onlajn platformën e parë nëpërmjet cilës me vetëm disa klikime mund të blini fruta, perime, mjaltë, lajthi, madje edhe specialitete të shijshme të përgatitura në mënyrë tradicionale, punime artizanale dhe kozmetikë natyrale, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Tezgat virtuale të femrave të E-tregut të parë rural “Tezga jonë” janë gërshetim i traditës sonë të prodhimtarisë vendore me mënyrën moderne të jetesës së konsumatorëve dhe ndikojnë në ngritjen e shprehive për onlajn blerje. Përveç lehtësimit të blerjeve, kjo platformë kontribuon drejtpërdrejt edhe për përmirësimin e pozitës socio-ekonomike të grave nga zonat rurale.

Ndryshe nga shumë onlajn platforma, për shitje nëpërmjet internetit, për të cilat nuk e dimë se nga kush blejmë, gjatë çdo blerjeje të produkteve bujqësore të shëndetshme dhe produkteve të përpunuara që duhet të mbushin tryezat tona, blerësit përmes “Tezga jonë” kanë mundësi që virtualisht të njihen me historitë jetësore të secilës nga gratë që i shesin produktet e tyre.

Pjesëmarrëset në prezantimin e E-tregut “Tezga jonë” theksuan se rreth 84 për qind e grave në zonat rurale gjatë pandemisë së koronavirusit u përballën me ulje të të ardhurave ekonomike nga bujqësia kurse produktet e tyre mbetën pa u shit.

Të dhënat e Koalicionit Rural tregojnë që më shumë se gjysma, gjegjësisht 54% e këtyre grave nuk kanë qasje në informacione për mundësitë dhe mbështetjen financiare që u ofrohet ashtu që punojnë nga 11 orë në ditë, punë kjo që nuk regjistrohet dhe nuk paguhet.

“E-tregu i parë rural i grave është ndërtuar mbi partneritete ndërsektoriale, që do të thotë se ky treg është ndërtuar nëpërmjet bashkëpunimit të përbashkët të komunitetit të biznesit, komunitetit të donatorëve, qytetarëve individualë dhe institucioneve”, thanë anëtaret e platformës.

Për shkak të gjithpërfshirjes së tij, E-tregu konsiderohet si një nga shembujt e suksesshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, nuk ishte befasi që brenda vetëm pak minutash gjatë promovimit, gratë fermere arritën të shesin edhe më shumë se sa ishte planifikuar në pakon promovuese me produkte bujqësore dhe produkte të shijshme dimërore, të mbushura me dashuri në thasë ekologjikë dhe e ngjallën dëshirën për vullnetarizëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button