KUJDES NGA PAQERUAJTËSIT E RREMË!

Me pretekstin e shpifur për gjoja rreziqet që i kanosen nga fqinjët e parë, Serbia po përshpejton furnizimin e ushtrisë me armë ofenzive, që dallojnë prej armëve mbrojtëse nga sulmet e të tjerëve. Me këso pallavrash Vuçiqi mundohet ta bëjë të padukshëm për syrin e botës militarizimin e Serbisë dhe të vë në gjumë fqinjët me ninullat për shtetin, i cili bëka gjithçka në të mirë të paqes në rajon e më gjerë.

Profkave të tij u besojnë, si dikur, ca shtete të fuqishme evropiane, duke pandehur se pinjolli millosheviqian gjithë kërcënimet dhe demonstrimet e forcës në kufijtë e tokavë të fqinjëve i bën për të forcuar pozicionet para elektoratit serb dhe për t’ia mbushur mendjen faktorit ndërkombëtar se Serbia është forca e parë ekonomike, ushtarake, politike…, në duart e së cilës duhet të jenë çelësat e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor. Aleatët tradicionalë serbë  shtirren sikur nuk e dinë se Vuçiqi e ka kthyer prej vitesh Serbinë në bazë ushtarake ruse, në shtet vazal të ekspansionizmit ruso-kinez, që synon shkatërrimin e BE-së dhe dobësimin e ndikimit të SHBA-së në rajon – lënien pas dore të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilët, para pak vitesh, NATO-ja i shpëtoi nga gjenocidet e papara, të përkrahura pothuajse nga gjithë parësia e sotme “kosmopolite” serbe.

Fatmirësisht, kundër nxitësve të luftërave të reja, krahas SHBA-së, janë dhe disa shtete të fuqishme evropiane, si Gjermania dhe Anglia, që i kanë të qarta politikat e rrezikshme të Serbisë së shndërruar në jatakun më të besueshëm të Rusisë dhe Kinës, dy shteteve që, nëpërmjet satelitit të tyre, synojnë të vënë nën kontroll gjithë botën, duke nisur nga siujdhesa e brishtë ballkanike. Këtë e kuptojmë nga alarmet e medieve të mëdha perëndimore, si Ekonomist-i britanik, artikujt e të cilit zhveshin qëllimet ekspansioniste të Vuçiqit dhe gatishmërinë për të përsëritur krimet e kasapit të tij të adhuruar në pesë fronte paralele: në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe, po t’i këndojë, siç e pret, gjeli e pula bashkë, edhe në Kroaci e Maqedoni.

Disa njohës të rrethanave në rajon e më gjerë, pohojnë se, përkundër militarizimit ekstrem, në raportet e tanishme të forcave Vuçiqi ka pak gjasa të provojë të kthejë në fitore humbjet e djeshme. I këtij mendimi është dhe analisti i mirënjohur i çështjeve të luftës Gjuro Kozar, sipas të cilit, me aktin e armatosjes së ankthshme gjatë 5 viteve të fundit, Serbia ka shkelur me të dy këmbët marrëveshjen me Kroacinë dhe Bosnjën, të nënshkruar më 1996 dhe të plotësuar më 2014 në Bazel, për përmbajtje nga paisja me armët konvencionale – topat, tankset, transporterët e blinduar, aeroplanët dhe helikopterët luftarakë sulmues. Gjithnjë sipas Gj. Kozar-it, fobia e Vuçiqit për armatosjen e ushtrisë serbe me armë të blera e të dhuruara nga armiqtë e përbetuar të Perëndimit, ndodh për shkak të mungesës së legjitimitetit politik të qeverisjes së tij, gjë që dëshmohet edhe me trazirat antiqeveritare, të shtrira aktualisht në qytetet më të mëdha serbe.

Megjithatë, pohojnë analistët e njohur, rreziku mund të vijë nga forcimi i atmosferës së luftës në qarqet ekstremiste, sepse, siç dihet: luftërat ekspansioniste nuk i nisin të fortit po kriminelët e tebdilosur në paqeruajtës. Së kendejmi, pavarësisht të dhënës se shtetet fqinje me Serbinë janë anëtare të NATO-os ose kanë baza të saj brenda territorit të tyre, është mirë të ruhen nga vuçiqët dhe të mos ua japin të tillëve bajrakun e të ardhmes së Ballkanit, sepse ata nuk kanë plan tjetër pos finalizimit të projekteve garashaniniste të Botës Serbe. Këtë duhet ta kuptojnë sa më parë edhe politikanët tanë daltonistë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button