fbpx

E-shoqëri.mk: Bashkëpunimi i verifikuesve të fakteve është thelbësor në luftimin e dezinformatave

Kundër problemit të dezinformatave në nivel ndërkombëtar mund të luftojmë më së miri vetëm të bashkuar, verifikuesit e fakteve nga e gjithë bota duhet të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë vazhdimisht, sepse infodemia është një fenomen global, ndërsa sasia e dezinformatave është shumë e madhe. Kjo është arsyeja pse e krijuam Rrjetin Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN) për t’u bashkuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin. Pra, tani kemi një bazë me 90.000 verifikime të bëra të fakteve në mbarë botën, tha Ferdi Ferhat Ozsoy, menaxher i programeve në IFCN, në diskutimin e sotëm të titulluar “Dezinformatat dhe kërcënimi ndaj demokracisë”, raporton Portalb.mk.

Diskutimi ishte ngjarja e parafundit e konferencës së 17-të ndërkombëtare të këtij viti “E-Shoqëri.mk” e organizuar nga Fondacioni “Metamorfozis”, e cila përfundoi sot.

Në konferencën 4-ditore u diskutua për transformimin digjital, të dhënat e hapura dhe rëndësinë e tyre për zhvillimin demokratik, si dhe për sigurinë digjitale. Ndër temat kryesore ishin edhe përhapja e dezinformatave dhe mënyrat për t’i luftuar ato, si dhe përmirësimi i edukimit mediatik dhe të menduarit kritik.

Nevojën për përfshirjen e më shumë palëve të interesuara në luftën kundër përhapjes së dezinformatave, e cila po bëhet problem i madh me pandeminë e Kovid-19, dhe për të përcaktuar qartë udhëzimet për trajtimin e dezinformatave, e potencoi edhe moderatori i diskutimit, Filip Stojanovski, Drejtor për Partneritete dhe Zhvillim të Burimeve në Fondacionin “Metamorfozis”.

Përveç Ozsoy-it dhe Stojanovskit, përvojat e veta dhe të organizatave që përfaqësojnë, si dhe rekomandimet për përballimin më efektiv të dezinformatave i paraqitën edhe Alceo Smerili nga Grupi i Punës Task për Ballkanin Perëndimor (StratCom Western Balkans Task Force) në kuadër të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, si dhe Ana Jeshe Perkoviq nga Qendra për Perspektivë Evropiane (CEP) nga Lubjana. Për këtë folën edhe Ivan Sigal, Drejtor Ekzekutiv i “Global Voices”dhe Vlladimir Petreski, redaktor i Vistinomer.mk.

Të gjithë folësit në diskutim vunë në dukje në mënyrë të veçantë problemin e qendrave politike, shteteve dhe aktorëve të sponsorizuar nga shteti, që nxisin përhapjen e dezinformatave, në një përpjekje për të minuar shoqëritë demokratike.

Por, pa marrë parasysh se nga vjen dezinformata dhe për çfarë qëllimi, duhet një qasje për trajtimin e tyre që do ta përfshijë të gjithë shoqërinë, e kjo nënkupton edhe punën e autoriteteve për ta forcuar besimin e qytetarëve tek ata përmes transparencës dhe llogaridhënies, që të merren seriozisht në përpjekjen e tyre për t’i frenuar dezinformatat. Por, është e nevojshme të zhvillohet edukimi mediatik dhe gazetaria profesionale, ndërsa organizatat e shoqërisë civile kanë një rol kyç, thanë folësit.

Sipas Perkoviqit, problemi i dezinformatave në Ballkanin Perëndimor është veçanërisht i theksuar, ndërsa arsyet për këtë mund të jenë për shkak të mosbesimit kronik të qytetarëve ndaj autoriteteve, për shkak të tranzicionit të dobët në mbarë Evropën Lindore në përgjithësi, kështu që shoqëritë nuk janë rezistente ndaj dezinformatave.

“Kur flasim për dezinformatat dhe ndikimin e një mjedisi demokratik, pyetja është se si t’i bëjmë shoqëritë shumë rezistente ndaj dezinformatave. Një faktor është arsimi, i dyti është edukimi mediatik, por sigurisht na duhet gazetari më profesionale. Dezinformatat kundër vaksinave kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse, kështu që edhe autoritetet duhet të luajnë rolin e tyre, por në ato vende ku besimi ndaj tyre është i dobët, organizatat e shoqërisë civile duhet të luajnë një rol veçanërisht të rëndësishëm”, theksoi ajo.

Sipas redaktorit të Vërtetmatësit.mk, problemi i faktorëve politikë në dezinformata është i dukshëm qartë.

“Shumë vende tani kanë rrjete dezinformimi dhe shpesh kanë mbështetje politike, ndonjëherë mbështetje të fortë qeveritare. Edhe ne ishim viktima të sulmeve të tilla, ata ishin shumë të forta, na kërcënonin me gjëra të ndryshme… Kishte ditë që vija në punë dhe shihja 50 sulme në rrjetet sociale. Ato sulme vazhduan kur filluam të bashkëpunojmë me mediat sociale. Na akuzuan për censurë, ka pasur kërcënime për protestë para objektit tonë, ata janë njerëz me të cilët është e vështirë të bisedohet, sepse janë pjesë e atyre rrjeteve të dezinformatave të motivuara politikisht”, sqaroi Petreski.

Megjithatë, thotë ai, dhe në qasjen e gjerë tëj faktorëve të ndryshëm të përfshirë në përballjen me dezinformatat, një gjë është vendimtare – sa më shumë të përhapen dezinformatat, aq më shumë verifikuesit e fakteve duhet të përgjigjen me argumente që e përfaqësojnë të vërtetën kundrejt dezinformatave.

“Gjëja e parë është këmbëngulja – pavarësisht se sa dezinformata përhapen, ne duhet të bëjmë edhe më shumë verifikime të fakteve, që të parandalojmë që rrjetet e dezinformimit të bëhen të kryesore. “E dyta është të jemi të mençur, të ndërtojmë bashkësi të verifikuesve të fakteve, por edhe të punojmë në edukimin mediatik”, tha redaktori i Vistinomer.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button