fbpx

E-shoqëri.mk: Rritet numri i dezinformatave të publikuara në disa media

Përveç mekanizmave për njohjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave, temë e diskutimit në sesionin e sotëm “Aspektet juridike dhe vetërregullimi në luftën kundër dezinformatave” në kuadër të edicionit të 17-të të konferencës e-Shoqëri.mk ishte edhe raportimi i mediave dhe shpërndarja e dezinformatave në rrjetet sociale, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Dragan Sekullovski, theksoi se Radiotelevizioni i Maqedonisë si transmetues publik i paguar nga qytetarët duhet të ketë rolin e shërbimit kryesor për verifikimin e fakteve. Por, ai tha se është shqetësues fakti se RTM-ja këtë vit ka një buxhet gjysmë më të vogël në krahasim me vitet paraprake.

Rëndësinë e forcimit të mbështetjes financiare të RTM-së e theksoi edhe Katerina Sinadinovska, kryetare e Këshillit Drejtues të Këshillit për Etikë në Media të Maqedonisë (KEMM). Ajo tha se çdo transmetues publik është i obliguar që ta edukojë publikun dhe të prodhojë përmbajtje të tij cilësore për dallim nga programet e blera nga mediat e tjera dhe për këtë nevojitet edhe një buxhet përkatës.

Sinadinovska tha se bashkëpunimi i KEMM-së me mediat që janë anëtare të organizatës është përmirësuar dukshëm dhe mediat po marrin pjesë gjithnjë e më shumë në proceset e ndërmjetësimit. Megjithatë, për të vënë në dukje problemet në punën e mediave që nuk janë anëtare, KEMM publikon mendime.

“Nga të gjitha ankesat që i marrim, më shumë shkelet neni 1 i Kodit të Gazetarëve, i cili kërkon publikimin e informacionit të verifikuar dhe të saktë. Nga numri i përgjithshëm i ankesave, 70 për qind janë për nenin e parë dhe shqetësues është fakti se kjo është në rritje. Kjo shkakton dëm, sepse nëse më vonë publikohet se është dezinformatë, dëmi tashmë është bërë”, theksoi Sinadinovska.

Ajo shtoi se edhe mosrespektimi i neneve 7 dhe 8, të cilat u shkelën gjatë ditëve të kaluara kur ndodhi tragjedia me autobusin ku e humbën jetën 45 persona, gjithashtu është disfatë për gazetarinë e Maqedonisë. Këto nene kërkojnë të raportohet pa senzacionalizëm, të mos zbulohet identiteti, të respektohet dhimbja dhe pikëllimi personal, si dhe të raportohet për të gjitha palët e përfshira pa sugjeruar vendim.

Kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari theksoi se nga aspekti gazetaresk, fenomeni i krijimit të mediave të reja në periudhën parazgjedhore kur duhet të shpërndahen paratë shtetërore është diskriminues, dhe gjatë shqyrtimit të tyre rezulton se shumë prej tyre nuk kanë as adresë e as impresum, por janë regjistruar një muaj para fillimit të fushatës, duke i plotësuar kështu kushtet për të marrë para. Zylbeari theksoi se pikërisht këto media përhapin dezinformata dhe e dëmtojnë raportimin profesional vetëm për të përfituar apo për të përhapur fushatë të zezë dhe dezinformata, duke kontribuar kështu në mosbesimin e publikut në gazetari.

Foto: Vanço Xhambaski,CC-BY

Për të përmirësuar imazhin e mediave, sipas Sekullovskit, gazetarët duhet t’i përmbahen standardeve etike, po ashtu politikanët duhet të kenë kujdes sepse shpeshherë thonë gënjeshtra dhe dezinformata në publik, që paraqet jokulturë politike. “Kodi Etik nuk është vetëm për gazetarët, por për të gjithë qytetarët”, theksoi Sekullovski.

Ai gjithashtu konsideron se me rëndësi të veçantë për krijimin e kushteve që gazetarët të raportojnë profesionalisht, nevojitet motivimi i gazetarëve të rinj. Edhe Sinadinovska mendon se zvogëlimi i numrit të gazetarëve është një pasqyrë tragjike.

“Në përgjithësi, gjendja me mediat nuk ndryshon shumë nga ato të huajat për sa i përket rënies së cilësisë së raportimit. Në vendin tonë, fatkeqësisht mediat kryesore nuk e përmbushin qëllimin e tyre dhe nuk e mbrojnë interesin publik. Na mungon përsosja e hapësirës mediatike publike, sepse mediat e edukojnë publikun me përmbajtjen e tyre” – tha ajo.

Folësit iu referuan edhe nevojës që Oda Ekonomike t’u rekomandojë kompanive që të reklamohen në media që janë në listën pozitive të mediave profesionale, prej ku mund të monitorohet puna e tyre dhe në këtë mënyrë të tregohet përgjegjësia sociale. Kështu kompanitë do të munden më lehtë t’i diskreditojnë mediat joprofesionale.

Kryeredaktori i Agjencisë së lajmeve Meta.mk, Goran Rizaov, gjatë diskutimit përkujtoi opinionin se edhe pse gazetarët dhe të gjithë punonjësit e Fondacionit Metamorfozis tashmë një vit janë cak i kërcënimeve online dhe i fushatës së zezë, ndërsa institucionet kompetente ende nuk kanë ndërmarrë asgjë në lidhje me gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet për dhunë fizike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button