Konventa e Bernës hapi një rast për kërcënime mbi Liqenin e Ohrit dhe Galiciçën

Konventa e Bernës hapi një rast kundër Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për kërcënimet ndaj zonave Smerald të liqenit të Ohrit dhe malit Galiçicë. Ankesën e ka dorëzuar qysh në vitin 2016 organizata civile “Fronti 21/42”, ndërsa pas zhvillimeve të fundit alarmante lidhur me ndërtimet pa leje dhe urbanizimin në zonën e mbrojtur, Konventa vendosi të hapë çështje kundër shtetit, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Aktivistët e organizatave qytetare pajtohen se kjo është fitore e madhe për shoqërinë civile, me të cilën duhet të parandalohen kërcënimet e mëdha ndaj njërit prej liqeneve më të vjetër në botë, nga mbetjet, ndotja, ndërtimet dhe urbanizimi i paligjshëm dhe rënia e nivelit të ujit.

“Sapo ka përfunduar mbledhja e 41-të e Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës pranë Këshillit të Evropës, në të cilën është miratuar vendimi për të hapur rastin e dorëzuar nga ‘Fronti 21/42’ për kërcënimet mbi Liqenin e Ohrit dhe malit Galiçicë. Hapja e çështjes së re kundër Maqedonisë së Veriut vjen pasi organizata jonë para tri ditësh i ka paraqitur argumentet e ankesës para Komitetit dhe shteteve nënshkruese të Konventës, ndërsa përfaqësuesi i shtetit ka informuar për masat mbrojtëse të cilat i zbaton vendi”, thonë nga “Fronti 21/42”.

Pretendimet në ankesë dhe raportet e “Frontit 21/42” janë konfirmuar nga organet e dy konventave të tjera ndërkombëtare që e mbrojnë pasurinë tonë më të madhe natyrore – UNESCO dhe Konventa e Ramsarit. UNESCO e ndau shqetësimin për vendimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore për të mos e përfshirë rajonin e Ohrit në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore të Rrezikuara, duke shtuar se argumentet për shpalljen e zonës së rrezikuar janë të padiskutueshme, ndërkohë që vendi tashmë ka fituar kohë shtesë.

Nga Konventa e Ramsarit, lista e së cilës këtë vit përfshin Liqenin e Ohrit dhe Kënetën e Studençicës, konfirmuan se ata janë të shqetësuar rreth projektligjit për shpallje të kënetës së  Studençicës park natyrës, por që nuk ofron zonë mbrojtëse rreth kënetës.

“Përkundër disa aktiviteteve interesante, për të cilat raportoi Qeveria, Komiteti ishte thellësisht i shqetësuar për situatën në dy fushat e përshkruara nga parashtruesit e ankesës dhe organizatat ndërkombëtare. Duke iu përmbajtur kërkesës së ankuesit, e cila u mbështet nga disa shtete nënshkruese, Komiteti i Përhershëm vendosi të avancojë ankesën në rast të hapur”, thuhet në vendimin e Komitetit të Përhershëm.

Nga organizata “Front 21/42”, venë në pah se në pranverë një mision i Konventës së Bernës do të vijë në rajonin e Ohrit për të vlerësuar situatën në terren, duke shtuar se hapja e çështjes vjen në kohën e duhur duke sjell shpresë për shpëtimin e pasurisë sonë më të madhe natyrore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button